Tregu i punës në Gjermani & Masakra në Irak | Studimi në Gjermani | DW | 01.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Tregu i punës në Gjermani & Masakra në Irak

Në Gjermani papritur gjatë muajit maj ka pasur rënie të ndjeshme të numrit të të papunëve. Me rreth 250.000 të papunë më pak gjatë këtij muaji numri i përgjithshëm i papunësisë është 4,545 milionë. Krahasuar me një vit më parë janë 350.000 të papunë më pak. Kjo është edhe tema kryesore e komenteve në shtypin e sotëm, por komentatorët i referohen edhe masakrës në Irak.

Lidhur me papunësinë gazeta "Westdeutsche Allgemeine" që del në Dyseldorf analizon: "Një shifër e rrumbullakosur pothuajse një çerek milionë më pak të papunë, ky është një lajm i mirë. Një ulje kaq te ndjeshme brenda një muaji s´ka pasur asnjëherë qysh pas ribashkimit kur ekonomia ishte në bum. Megjithatë ky lajm i mirë relativizohet disi, nëse kemi parasysh që në Gjermani ende vazhdon të ketë mbi katër milionë të papunë. Përveç kësaj ka edhe një irritim për atë se nga dalin këto shifra pozitive. Madje bëhet fjalë edhe për zbukurime statistikore...", komenton "Westdeutsche Allgemeine".

Ndërsa gazeta e Berlinit "Die Welt" vëren: "Eshtë ende shumë herët që të bëjmë fjalë për ndonjë tendencë kthese në tregun e punës. Pas shifrave pozitive fshihet në radhë të parë gjallërimi i ekonomisë në pranverë. Kampionati Botëror i Futbollit e ka rritur kërkesën për krah pune gjatë muajit maj. (...) Eshtë gjithashtu një e vërtetë jo e këndshme që të papunët afatgjatë nuk përfitojnë prej ripërtëritjes pranverore. Ndërkohë që bie numri i atyre që marrin asistencën krahasuar me një vit më parë, të papunët afatgjatë rrezikohen të mbesin në vendnumëro. (...) Partitë e koalicionit duhet të kenë parasysh të mos flenë mbi dafina duke shpresuar tek konjuktura, sepse ende s´është gjetur ilaçi për tregun e punës", tërheq vëmendjen "Die Welt".

Me kritikë shprehet edhe komentatori i "Allgemeine Zeitung" që del në Mainc: "Mbi 250.000 vetë kanë gjetur punë gjatë muajit maj, padyshim që kjo i gëzon të prekurit. Por nëse shohim më me kujdes kupton, se shifrat e publikuara nga agjencia e punës në Nyrnberg vetëm sa tregojnë që dimri ka kaluar, asgjë më tepër. Edhe diçka tjetër zbulojmë po të vëzhgojmë më me vëmendje shifrat e sapopublikuara: numri i vendeve të rregullta të punës krahasuar me një vit më parë është ulur me 88.000 duke shënuar kështu 29,91 milionë. Kjo do të thotë, që hopi nuk mundet dhe as nuk do të na sjellë punësimin si në dhjetëvjeçarët e mëparshëm. Kjo pasi struktura tradicionale e punës në Gjermani në përgjithësi vazhdon të jetë shumë e shtrenjtë", komenton "Allgemeine Zeitung".

Kalojmë në temën tjetër, masakra në Irak. Ushtarët amerikanë mendohet të kenë vrarë 24 civilë në rajonin Hadita gjatë një akti hakmarrjeje ndaj një sulmi. Pas akuzave të rënda që janë ngritur presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, ka udhëzuar hetimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës. Lidhur me këtë gazeta "Neue Osnabrücker Zeitung" shkruan: "Nëse vërtetohet plotësisht, që marinsat amerikanë në Hadita kanë vrarë të shpenguar dhe me paramendim civilë, kjo së pari do të thotë, se ushtarët u bënë hakmarrës me kokën e vet dhe nga luftëtarë u shndërruan në vrasës. Kjo do të thotë, se ata kanë vepruar kundër mandatit të tyre, kundër asaj që është e vetëkuptueshme për marinsat e ShBA dhe me pasoja të hidhura për politikën e vendit të tyre dhe për sigurinë e ushtarëve në Irak. Një gjë e tillë do të jetë e tmerrshme...", shkruan "Neue Osnabrücker Zeitung".

Ndërsa gazeta "Berliner Zeitung" kritikon politikën ndaj Irakut që ndjekin ShBA: "...Qeveria e Bushit është përpjekur, që të zbukurojë politikën neokolonialiste të pushtetit për sigurimin e lëndëve të para dhe të sferave të influencës me parrullat e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Tragjikja e politikës amerikane ka të bëjë me atë që pikërisht elementët, që ajo pretendon t´i luftojë nxisin papushim forca të reja. (...) Eksese të tilla si në Hadita kanë efektin e një inxheksioni me vitaminë për grupet që i bashkangjiten El Kaidës", nënvizon "Berliner Zeitung".

  • Data 01.06.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arpf
  • Data 01.06.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arpf