1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregtia e ndershme lulëzon

Nina Wekhäuser6 Gusht 2015

Në vitin 2014 për herë të parë në Gjermani u fituan miliarda nga tregtia e ndershme. Më e shitura është kafeja. Por edhe veshje të prodhuara në mënyrë të ndershme shiten gjithnjë e më shumë.

https://p.dw.com/p/1GAo5
Fotografi: picture alliance/Universität Jena/J.P. Kasper

Kush i bën rrobat tona? Kush mbledh pambukun, ngjyn pëlhurat, kush i qep ato? Në pjesën më të madhe të rasteve kjo mbetet krejtësisht në errësirë, por Ben Irion është i interesuar pikërisht për këtë gjë. Në dyqanin e tij të modës në Berlin-Kreuzberg ai shet vetëm veshje, që janë të çertifikuara - të çertifikuara për kushtet e rregullta të punës dhe për trajtimin e kujdesshëm të mjedisit.

"Kushtet e punës duhet të jenë të tilla, që njerëzit të mos dëmtohen gjatë saj dhe të paguhen arsyeshëmm", thotë sipërmarrësi 45-vjeçar. Nëse është kështu, atëherë Ben Irion e ofron këtë mall në dyqanin e tij. Shpesh janë marka të panjohura, që bashkëpunojnë me kooperativat jashtë vendit.

Ben Irion në dyqanin e tij në Berlin-Kreuzberg
Ben Irion në dyqanin e tij në Berlin-KreuzbergFotografi: DW/N. Werkhäuser

"Ka ende shumë vend për përmirësim"

Xhinse elegante dhe t-shirte prej pambuku organik, këpucë me material të ricikluar. Kush dëshiron, mund të vishet që nga koka deri te këmbët në këto 100 metra katrorë, edhe me çorape dhe të brendshme. Dyqani me emrin "Supermarché" ecën aq mirë, saqë Ben Irion dhe stafi i tij vitin e kaluar kanë lëvizur në një dyqan më të madh. Shumë klientë vijnë qëllimisht në dyqanin e thjeshtë për të blerë veshje të prodhuara në mënyrë të drejtë, thotë ai. Por në shkallë globale, kjo përbën një pakicë.

Pjesa e veshjeve të prodhuara në mënyrë të drejtë në tregun global të veshjeve është maksimumi një gjysmë për qind. Ka ende shumë vend për përmirësim. "Tek markat e mëdha të modës mungon ende gatishmëria për të kontrolluar standardet e drejta nga një organ i pavarur", thotë Irion.

Të monitorosh tërë zinxhirin e prodhimit

Ndërsa ai e thotë këtë, një kliente del shpejt nga dyqani duke thënë "më duket shumë shtrenjtë". Me çmimet e H & M rrobat, që tregtohen në mënyrë të drejtë natyrisht që nuk mund të konkurrojnë. Bluza më e lirë kushton 12 euro këtu. Por kërkesa për veshje të prodhuara në mënyrë të drejtë rritet. Organizata "Fairtrade International" është duke punuar për një etiketë të re të produkteve, me të cilën monitorohet i gjithë zinxhiri i prodhimit për një rrobë. Deri tani ka vetëm një vulë për pambukun e tregtuar në mënyrë të ndershme.

Infografik Anteil einzelner Produkte am Fairtrade-Gesamtumsatz in Deutschland

Kafeja më e shitura

Nëse i marrim të gjitha produktet së bashku, tregtia e ndershme në Gjermani në vitin 2014 është rritur në mënyrë mbresëlënëse me 31 për qind. Kjo del nga statistikat aktuale të "Forumit për tregti të drejtë". Që për herë të parë u fituan miliarda, i dedikohet edhe kafesë. Gjermanët pijnë gjithnjë e më shumë kafe të tregtuar në mënyrë të ndershme dhe janë të gatshëm të paguajnë më shumë për të. Këtu bëjnë pjesë edhe tre sipërmarrës të rinj nga Berlini, që ofrojnë kafe me cilësi të lartë nga Etiopia. "Coffee Circel" quhet firma e re, e cila pesë vjet pas themelimit ka 20 punonjës.

Tregti e ndershme edhe pa çertifikatë

Në katin e fabrikës në ish-lagjen e punëtorëve Wedding, ku ndodhet firma, ndjehet era e kafesë. Menaxheri Martin Elwert dhe kolegët e tij e zgjedhin vetë kafenë në Etiopi, e skuqin në Berlin dhe pastaj e shesin përmes internetit - për rreth tetë euro për 350 gram. "Ne po flasim për një nga kafetë më të mira në botë", thotë bashkë-themeluesi i firmës Elwert. Konsumatorët e vlerësojmë këtë cilësi dhe e blejnë tani kafenë me abonim. Coffee Circle u paguan fshatarëve për produktin e tyre çmime më të larta se të tregut dhe mbështet edhe projektet sociale në rajonet, ku mbillet kafeja. Kjo nuk është dhuratë, thotë sipërmarrësi 34-vjeçar, por një vlerësim i drejtë i punës së mirë të kultivuesve të kafesë.

Shkon rregullisht në Etiopi: Martin Elwert
Shkon rregullisht në Etiopi: Martin ElwertFotografi: Coffee Circle

"Unë besoj se kultivuesit e kafesë arrijnë sukses përmes stimujve ekonomikë dhe jo solidarë", thotë Elwert. Atij si sipërmarrës nuk i nevojitet një çertifikatë fairtrade për të tregtuar ndershmërisht. Duke patur vulën, paguan çmime më të larta se ato të tregut, "por cilësia nuk luan rol." Kultivuesit e kafesë duhet të paguajnë shumë para për çertifikimin dhe pastaj do të merrnin më shumë para për kafenë e tyre, por jo se do të prodhonin kafe më të mirë. "Kjo nuk ka kuptim në afat të gjatë", thotë themeluesi i firmës, kafeja e cilit rrjedhimisht nuk paraqitet në statistikat zyrtare për tregti të ndershme.

Tregtia e drejtë në rritje

Sigurisht është e vërtetë se shija dhe cilësia nuk janë pjesë e standardeve të tregtimit të drejtë, pranon drejtori i "Forumit të tregtsië së drejtë", Manuel Blendin. "Kriteret kanë të bëjnë me aspektet sociale dhe pjesërisht ato ekologjike." Por në mesin e produkteve të tregtisë së ndershme ka shumë shumë proukte me kualitet të lartë dhe gjithnjë e më shumë produkte organike. Blendin pret që tregtia e ndershme në Gjermani do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme.

Gjermanët deri tani në krahasim ndërkombëtar nuk janë shumë përpara: 13 Euro në vit jep çdo gjerman për produktet e tregtisë së ndershme në krahasim me 33 euro, që japin në Britaninë e Madhe dhe 57 euro në kryesuesen e Evropës, në Zvicër.