1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre të vdekur nga zjarri në një bankë në qendër të Athinës

5 Maj 2010

Qindra mijëra vetë protestuan në Athinë kundër masave të kursimeve të rrepta të qeverisë. Manifestimet u stigmatizuan nga humbja e jetës së tre qytetarëve, që u dënua me forcë edhe në një seancë e posaçme parlamentare

https://p.dw.com/p/NFDt
Fotografi: AP

Tensionet shoqërore, por edhe një përshkallëzim i dhunës duket se janë më shumë se një eventualitet, siç u vërtetua sot në mesditë në mënyrën më tragjike gjatë protestave në Athinë kundër masave shtrenguese qeveritare me humbjen e jetës së tre punonjësve të Bankës Marfin. Dy gratë njëra prej tyre shtatzënë, sipas informacioneve të para, edhe një koleg i tyre nuk munden të shpetojnë nga zjarri, që shkaktoi hedhja e bombave molotov nga manifestuesit në zyrat e tyre, pasi më parë ishin orvatur të hynin në parlament dhe u konfrontuan me policinë. Bulevardet e Athinës, por edhe rrugët përreth për orë të tëra u kthyen në arenë përleshjesh midis autonomëve dhe policisë, ku u u dogjën edhe automjete dhe u thyen vitrina dyqanesh. “Siç kuptojmë të gjithë nuk bëhet fjalë për një akt të shëmtuar, por për diçka shumë më të keqe, humbja e jetës së njeriut është diçka më e madhe, më e rendë, më serioze” tha me zë të dridhur nga tronditja kryetari i parlamentit Filipos Pecalnikos, kurse më vonë kryeministri Papandreu shprehu hidhërimin e tij të thellë për ngjarjen tragjike dhe foli për “të drejtën e qytetarit të protestojë, por jo të përdorë dhunën”.

Griechenland Ausschreitungen in Athen Mittwoch 5.5.2010
Protesta në AthinëFotografi: AP

Gjithsesi në qendër të Athinës, në sheshet e saj Areos, Omonia dhe Sintagma, por edhe përgjatë bulevardeve të saj kryesore sot rrahu me forcë pulsi i cunamit të grevës së përgjithshme, që pasoi cunamin e masave qeveritare të kursimeve drastike të një jave më parë, që prekën thellë dhe nxorën nëpër rrugë qindra mijëra vetë.

“Është pjesëmarja më e madhe e 10 viteve të fundit. Shumë më e madhe se pjesëmarrja për çështjen e siguracionit social, që kishte nxjerrë nëpër rrugë mbi 1 milionë vetë në të gjitha qytetet greke” thotë për DW Kristos Kacikas, sekretari i Federatës Panhelenike të Filologëve, sipas të cilit manifestimi i sotëm “thjesht shtron rrugën për manifestimet e tjera, që do të pasojnë dhe do të synojnë të frenojnë përpjekjen e varfërimit të popullit grek”.

Revoltat dhe protestat vazhdojnë

“Jo masave që sjellin varfëri, papunësi dhe recesion” shkruante dhe banderola e tribunës së dy sindikatave, të sektorit privat dhe publik, ku u ngjiten dhe shprehen solidaritetin e tyre ndaj punonjësve grekë edhe përfaqësues të federatave të mëdha të sindikatave evropiane. Ishte pikërisht motoja e kësaj banderole, që falë edhe pjesëmarrjes së madhe i bashkoi pothuajse në një manifestuesit e dy sindikatave me ata të sindikatës komuniste PAME, që manifestonin në sheshin tjetër Omonia me banderolat dhe parullat radikale si “shtetëzoni bankat”, “hajdutët në burg” apo “poshtë kapitalizmi”. “Masat nuk kanë për objektiv krizën, duan të krijojnë ditë pune të modelit të Kinës dhe të zhysin popullin në varfëri” vijon Kacikas, i cili shpreh frikën se do të shohim pamje të “kohës së urisë të vitit 1940 në Athinë” dhe prandaj njerëzit, sipas tij, “nuk do t'i pranojnë dhe do të ngrihen”. “Na vjedhin arritje të një jete të tërë, të gjithë në betejë”, dëgjohej parulla në krahë e bllokut sindikalist të punonjësve nëpër spitale.

Gewaltsame Ausschreitungen in Athen Griechenland
Përleshje e policisë me demonstruesitFotografi: AP

Rezistencë, por deri ku?

“Deri sa të marrin pas masat. Po varfërohemi skajshëm për një borxh, që nuk e kemi krijuar ne. Ata që e krijuan, kapitali, pronarët e anijeve, afaristët të paguajnë”, thotë Panajotis Pandelis, nënkryetari i federatës së nënpunësve spitalorë, për të plotësuar se masat “asfiksojnë financimin e spitaleve publike, kufizojnë marrjen e personelit të nevojshëm dhe çojnë drejt venitjes Sistemin Kombëtar të Shëndetit”. Midis protestuesve edhe pensionistët, që vështirësitë e moshës nuk i penguan të japin fuqishëm prezencën e tyre në manifestime. “Edhe pensionistët, sigurisht, të gjithë, na morën dhuratat, na shkurtuan tri rroga” thotë Fanis Dhimitriadhis, i cili ka një fëmijë pa punë dhe një tjetër student. Një grup të rinjsh të së majtës jashtëparlamentare me zi pret radhën që të shprehë protestën e brezit të “700 eurove”, siç quhet, që me masat e reja do të bëhen brezi i “500 eurove” , pasi aq do të jetë paga e të integruarit për herë të parë në tregun e punës. “Dalim në rrugë që të mos përballemi nesër ne me papunësinë që na pret”, thotë Dina Nikolla.

Griechenland Ausschreitungen in Athen Mittwoch 5.5.2010
Fotografi: AP

Protestuesit nuk duan të pranojnë se masat e ndërmarra ishin e vetmja alternativë siç thekson me forcë për DW edhe Janis Burnos, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Majtë Sinaspimos. “Qeveria greke, sipas tij, ka tani përpara saj dy obcione, ose të marrë pas masat dhe të përpiqet në nivel evropian për një mekanizëm tjetër të zgjidhjes së problemit, që të mos prekë shtresat e ulëta sociale, ose të vazhdojë të njejtën rrugë dhe të ketë përballë saj nëpër rrugë punonjësit, të rinjtë, ata që ndjejnë se e ardhmja e tyre shteron dhe për këtë arsye sot vershuan nëpër rrugë”, thotë Burnos. Disaprovimi i presidentit të Konfederatës së Punonjësve të Greqisë Janis Panagopullos në fillim të manifestimit ishte me sa duket edhe preludi i tensioneve dhe ngjarjes tragjike që pasuan, që në qoftë se nuk do të dominojë përmbajtja sociale dhe urtësia politike do të zhysin dhe më thellë vendin në krizë dhe peripeci.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica