1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre të arrestuar për terrorizëm në Kosovë e një në Gjermani

Bekim Shehu
29 Qershor 2018

Arrestimi katër personave është bërë me urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë.

https://p.dw.com/p/30Xg4
Kosovo Polizei verhaftet kriminelle Gruppen
Fotografi: DW

Policia e Kosovës arrestoi tre persona të dyshuar të jenë të përfshirë në vepra terroriste. Një person tjetër, që besohet të jetë pjesë e këtij grupi, u arrestua në Gjermani, bënë të ditur policia e Kosovës, drejtoria kundër terrorizimit. Arrestimi i tre personave në Kosovë, ndodhi në dy qytete Prizren dhe Skënderaj.

Arrestimi i këtyre personave është bërë me urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë. "Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në Drejtorinë Kundër Terrorizmit tre persona të dyshuar (R. K.- A. A. dhe L. M.), nën dyshimin e bazuar se ata kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, që ndërlidhen me terrorizëm. Ky operacion policor është zhvilluar në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me autoritetet gjermane, të cilat njëkohësisht kanë zbatuar urdhërarrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarit B. B”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë kundër Terrorizmit.

Në njoftim thuhet se "Gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar, një armë automatike AK 47, tre karikatorë të armës AK 47 me 40 fishekë, një pushkë ajrore, një revole e tipit colt, një palë dylbi, një veturë me targa të huaja, si dhe disa pajisje elektronike dhe sende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim”.

Në fund të muajit të maj të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi nëntë persona të cilët kishin planifikuar sulme terroriste. Nëntë personat e dënuar, në vitin 2016, kishin planifikuar të kryenin sulm ndaj përfaqësueses izraelite te futbollit gjatë një ndeshje që zhvillohej në Shkodër të Shqipërisë. Ndeshja Izrael-Shqipëri zhvillohej në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në Futboll.

Operacioni për arrestimin e këtyre të dënuarve për terrorizëm ishte zhvilluar në vitin 2016, në bashkëpunim edhe me policinë e Shqipërisë. Në atë operacion u arrestuan 19 persona, të dyshuar për lidhje me grupin militant islamik ISIS, dhe planifikim sulmi terrorist në Shqipëri dhe Kosovë.

Mediet e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar, se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, mbi 300 u janë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Në një studim të vitit 2015 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (QKSS), thuhej se që nga fillimi i konfliktit në Siri e deri në muajin janar të vitit 2015, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Ky numër u rrit në vitet e fundit. Deri tash, sipas të dhënave zyrtare dhe jozyrtare, afro 60 kosovarë kanë humbur jetën në këto luftëra. Ndërsa, deri tani sipas të dhënave të policisë, 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta nga ta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme dhe nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Parlamenti i Kosovës në fillim të vitit 2015 ka miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për tu bashkuar në luftëra jashtë vendit. Hapat konkrete që janë ndërmarrë për luftën kundër terrorizmit, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që çon në terrorizëm.