1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre, dy, një... dhe gurët rrokullisen - Berlini festoi të hënën 20 vjetorin e rënies së murit

9 Nëntor 2009

Me gjithë shiun e fortë, tek Sheshi i Parisit në Berlin u mblodhën qindra mijëra njerëz për të festuar së bashku me mysafirë nga mbarë bota ngjarjen që që më vonë do të ndryshonte hartën gjeopolitike të Evropës

https://p.dw.com/p/KSGt
Gurët e dominosë rrëzohen në Berlin
Gurët e dominosë rrëzohen në BerlinFotografi: picture-alliance/ dpa

5,4,3,2,1... Numëron moderatori më i njohur i Gjermanisë, Thomas Gotschalk, dhe gurët e dominosë fillojnë e rrëzohen. Sërish rrëzohet muri në Berlin. Por këtë radhë ai është prej stereopori. 1000 figurat e dominosë të pikturuara nga nxënës nga e gjithë bota ishin vendosur përgjatë një segmenti që 20 vjet më parë ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimor, ndërmjet sheshit Potsdam dhe Portës së Brandenburgut.

Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton me kancelaren gjermane Angela Merkel
Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton me kancelaren gjermane Angela MerkelFotografi: AP

Përpara kësaj të fundit pak më parë kishin mbajtur fjalime patetike dhe të ngjashme për nga përmbajtja kryebashkiaku i kryeqytetit Klaus Wowereit, presidenti francez Nikola Sarkozy, ai rus, Dmitrij Medvedjev, kryeministri britanik Gordon Brown, kancelarja Angela Merkel dhe ministraj e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, e cila i befasoi qindra mijëra të pranishmit e mbledhur në shesh me një mesazh me video të presidentit amerikan, Barack Obama:"Le të mos e harrojmë kurrë nëntorin e vitit 1989 dhe as sakrificat që do ta mundësonin atë. Dhe le të punojmë që miqësia transatlantike të mos prishet kurrë. Dhe le të mbajmë të gjithë së bashku të ndezur dritën e lirisë për të gjithë ata që jetojnë në errësirën e tiranisë", bëri thirrje Obama përmes ekranit.

Në foto, kryeministri britanik Gordon Brown dhe presidenti francez Nikolas Sarkozy
Në foto, kryeministri britanik Gordon Brown dhe presidenti francez Nikolas SarkozyFotografi: picture alliance / abaca

Nikola Sarkozy vlerësoi rolin e rënies së murit për hapjen e mëtejshme të Evropës: "Ishin berlinezët ata që e shkatërruan murin e turpit, pikërisht atë mur, të cilin të gjithë e konsideronin të pashkatërrueshëm dhe u hapën rrugën vendeve të tjera, Bullgarisë, Çekosllavakisë, që gjithashtu u çliruan nga tirania," do të thoshte Sarkozy, i cili do të përfundonte në gjermanisht me fjalët: "Ne jemi vëllezër, ne jemi Berlin".

Edhe Brown u thurri lavde berlinezëve. "Ky mur nuk u rrëzua nga krerët dhe as nga pushteti ushtarak, por atë e rrezoi forca më e madhe e shpirtit të grave dhe burrave të Berlinit", tha kryeministri britanik.

Presidenti rus, Medvedjev, paralajmëroi që të mos harrohet roli që kishin luajtur më parë vendet e tjera ish-socialiste, e sidomos Bashkimi Sovjetik: "Ne nuk duhet të harrojmë se rënia e murit ishte paralajmëruar që më parë. Ajo u përgatit nëpërmjet ndryshimeve që ndodhën në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera. Roli i Bashkimit Sovjetik në atë periudhë ishte vendimtar për bashkimin paqësor të Gjermanisë", tha ndër të tjera presidenti rus.

Foto simbolike për natën e pogromit
Foto simbolike për natën e pogromitFotografi: dpa

Angela Merkel iu falënderua në fjalën e saj të gjithëve, si forcave aleate, perëndimore, Franca, SHBA-të dhe Britania e Madhe, ashtu edhe Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të lindjes. Por ajo i paralajmëroi gjermanët, se 9 nëntori, nuk është vetëm dita e gëzimit, por edhe e paralajmërimit: "Por për ne, gjermanët, 9 nëntori është edhe një ditë paralajmëruese. Si sot, 71 vjet më parë, në "Natën e Pogromit të Rajhut" u hap kapitulli më i errët i historisë gjermane, ai i përndjekjeve dhe vrasjeve sistematike të hebrenjve dhe shumë të tjerëve. Këtë ne nuk e harrojmë as në një ditë si kjo e sotmja. Të dyja na dëshmojnë se liria nuk lind vetvetiu, për të duhet luftuar."

Më pas fjalën e morën edhe figura të rëndësishme të historisë, ish-disidentë që kishin punuar heshtur për afrimin e 9 nëntorit, por edhe politikanë të kohës, që krijuan kushtet e përshtatshme për bashkimin paqësor të Gjermanisë, si ish-udhëheqësi i ish-Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, apo ish ministri i jashtëm, Hans Dietrich Genscher. Një figurë shumë e rëndësishme mungonte: Ish kancelari i Gjermanisë Helmut Kohl, i quajtur ndryshe edhe "Babai i bashkimit", i cili që prej shumë muajsh është në një gjendje shëndetësore kritike.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti