1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

GB Jugendproteste

10 Gusht 2011

Trazirat e shkaktuara nga të rinjtë janë duke u përhapur në qytete të tjera britanike. Epiqendra e trazirave është kthyer qyteti i Mançesterit në verilindje të Anglisë. Një 26 vjeçar humbi jetën.

https://p.dw.com/p/12Dw0
Mançester Protesta
Mançester ProtestaFotografi: dapd

Policia ka intervenuar me qenë dhe pajisje të ndryshme. Një përfaqësues policie tha se këto ishin trazirat më të rënda në Mançester në 30 vitet e fundit. "Këta janë kriminelë", theksoi ai.

"Kjo është dhunë e pakuptimtë dhe kriminalitet i një përmase të gjërë, që nuk e kam parë kurrë më parë", tha një oficer i lartë policie, duke shtuar se ata kanë regjistruar video të shumta me vepra kriminaliteti. Në pjesë të ndryshme të Mançesterit janë arrestuar shumë përsona, bënë të ditur autoritetet.

Trazira edhe në qytetet tjera

Në Notingham, një grup prej 30-40 personash ka sulmuar një stacion policie dhe ka hedhur bomba Molotov. Nuk është lënduar askush, ndërkohë që është shtuar edhe zjarri i shkaktuar. Edhe në Salford, Volverhampton, Bristol dhe Gloucester ka patur trazira. Në Liverpul janë sulmuar automjetet e policisë dhe zjarrfikësve.

Mançester Protesta
Mançester ProtestaFotografi: picture alliance / empics

Ndërsa në Vest Bromviç, në afërsi të Birminghamit, ka patur edhe përleshje mes policisë dhe demonstruesve. Një grup prej rreth 200 personash ka sulmuar barrikadat e policisë, ka ndezur automjete dhe ka hedhur gurë e gjëra të tjera kundër forcave të sigurisë. Edhe në Birmingham ka patur trazira. Policia në këtë rajon ka arrestuar rreth 100 persona.

Në kryeqytet qetësi e tendosur

Në Londër ku ditët e kaluara janë zhvilluar trazirat më të mëdha prej vitesh, situata ishte e qetë. Në kryeqytet janë stacionuar forca të mëdha sigurie prej 16.000 nëpunësish. Prej fillimit të trazirave ditën e shtunë, në Londër janë arrestuar 768 persona, njofton Scotland Yard të mërkurën në mëngjes.

Të martën në mbrëmje dhe gjatë natës u është vënë flaka shumë godinave dhe dyqaneve. Me qindra dyqane janë thyer dhe plaçkitur në trazirat më të rënda deri tani. Ka pasur njoftime edhe për zjarre dhe plaçkitje nga tetë pjesë të qytetit. Një 26 vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e goditjes me armë zjarri.

Londër
LondërFotografi: picture alliance / dpa

E djathta paralajmëron aksione

Forca me orientim të djathtë, English Defense League (EDL) ka paralajmëruar se do të nxjerrë anëtarët e saj në rrugë, për të shuar protestat. Ata kanë paralajmëruar aksione në Luton (ku është selia e grupit), në Mançester dhe në vende të tjera. Disa pjesëtarë të këtij grupi tani më janë parë në rrugë. Ndërsa këtë të mërkurë mund t'u bashkangjiten edhe qindra të tjerë. "Ne duam të ndalim protestat, sepse policia duket se nuk është në gjendje", deklaroi një përfaqësues i tyre.

Shkaku i protestave

Trazirat kanë nisur ditën e shtunë në veri të Londrës, në Totenham, dhe janë përhapur në qytete të tjera. Shkas ishte vrasja prej policisë e një 29 vjeçari me ngjyrë. Hetimet kanë konstatuar se (i vrari) Mark Duggan nuk ka qëlluar me armë në drejtim të policisë, siç pohonte Scotland Yard në fillim.

Autor: Frank Wörner (afp, rtr, dpa, dapd)/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama