Trazira në Kirgistan | Bota | DW | 21.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trazira në Kirgistan

Opozita demonstron kundër falsifikimit të zgjedhjeve

Protestues në rrugët e Kirgistanit

Protestues në rrugët e Kirgistanit

Ishte një fundjavë e trazuar për Republikën qendrore aziatike të Kirgistanit. Në disa qytete opozita doli në rrugë, u sulmuan stacionet e policisë, u pushtuan institucionet administrative. Opozita u përlesh në rrugë me organet e rendit. Si pasojë dyshohet që jetën të kenë humbur të paktën dhjetë dhe të jenë plagosur disa njerëz të tjerë, të dhënat e sakta mungojnë.

Shkaktare të këtyre trazirave ishin zgjedhjet parlamentare të para tre javësh. Opozita ka fituar vetëm shtatë nga 75 vendet sa ka parlamenti kirgistanez. Qeveria nën drejtimin e Askar Akajevit akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve. Edhe për sot është paralajmëruar vazhdimi i protestave. Protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e presidentit i cili fillimisht konsiderohej si liberal por më vonë ndryshoi kursin e tij.

Qendër e përleshjeve mes opozitës dhe policisë ishte qyteti Xhalal-Abad në perëndim të Kirgistanit. Të dielen në mbrëmje mijëra demonstrues sulmuan një stacion të policisë, nënpunësit e të cilit u detyruan të ngjiten në kulmin e ndërtesës dhe të qëllojnë në ajër. Megjithatë protestuesit nuk u frikësuan nga këto të shtëna dhe dëbuan policët në rrugë. Rreth dhjetë mijë njerëz kanë dalur vetëm në rrugët e Xhalal-Abadit. Edhe në qytetet tjera të Kirgistanit janë regjistruar tubime proteste.

E orientuar nga "Revolucioni i portokalltë" në Ukrainë, opozita dëshiron të zgjeroj protestat e saj dhe të detyroj qeverinë për zgjedhje të reja. Presidenti Akajev i cili nuk guxon më të kandidoj në zgjedhjet e tetorit por provon të instaloj vajzën e tij për pasuese në këtë post ndërkohë ka shprehur gatishmërinë për bisedime me opozitën. Megjithatë në to nuk do të marrë pjesë ai por zëvendësi i tij, thuhet në Bishkek, kryeqytetin e Kirgistanit. Kjo është kundërshtuar në mënyrë kategorike nga përfaqësuesit e opozitës. Edhe vëzhguesit e zgjedhjeve të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, OSBE i kanë vlerësuar zgjedhjet parlamentare në Kirgistan si jo korrekte.

Kirigistani kufizohet në lindje me Kinën, fqinj tjerë janë Kazakistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani. Të ardhurat për kokë të banorit kanë shënuar rënje të vazhdueshme që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Kirgistani është një nga vendet më varfëra në rajon dhe shërben kryesisht si vend tranzit për tregtinë ruso-kineze. Ashtu si në Ukrainë nuk protestohet vetëm kundër falsifikimit të zgjedhjeve por edhe si pasojë e rrethanave të këqija ekonomike. Papunësia e madhe, korrupcioni, ekonomia familjare dhe varfëria janë pjesë e përditshmërisë në vend. Njerëzit janë të zhgënjyer me Akajevin në të cilin besuan aq shumë.

A do të arrij opozita që të dëboj qeverinë si në Ukrainë apo Gjeorgji varet prej shumë faktorëve. Që tani flitet për një "Revolucion të verdhë", pjestarë të opozitës bartin në rrugë kapela dhe shallë të verdhë. Me këtë rast nuk përjashtohet suksesi. Por nuk përjashtohet as mundësia që presidenti të shpall përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare dhe të ofroj zgjedhje të parakoshme presidenciale. Një zëdhënës i tij deklaroi se më e rëndësishmja është që të mos ketë përleshje, diçka që ka ndodhur ndërkohë.

  • Data 21.03.2005
  • Autor Hermann Krause
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQ4
  • Data 21.03.2005
  • Autor Hermann Krause
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQ4
Reklamë