1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trauma nga Hindukushi?

Verner Nording30 Nëntor 2006

Prej vitit 1992 ushtria gjermane Bundesvehr ka angazhuar në misione jashtë vendit më tepër se 100 mijë ushtarë. Më pak e njohur është se 1.500 prej tyre janë kthyer në shtëpi me plagë shpirtërore dhe shpesh për vite të tëra duhet t'i nënshtrohen trajtimit psikiatrik.

https://p.dw.com/p/AqyU
Ushtarë gjerman në Kabul
Ushtarë gjerman në KabulFotografi: AP

Në spitalin e Bundesvehrit në Hamburg Ministria e mbrojtjes ka ngritur një Qendër speciale traumatike. Parë nga jashtë, stacioni traumatik duket si një kazermë. Një si korridor i gjatë e i zbrazët, nga ana e djathtë shtrate katërsh me dollape të kazermës në të cilat pacientët mund të lënë gjërat e tyre personale. Nga ana e majtë një oborr i madh me bar dhe stole.

Ka dhjetë vjet që Bundesvehri trajton këtu ushtaret dhe ushtarët, të cilët ende vuajnë nga pasojat e misioneve të tyre jashtë vendit, thotë kryemjeku Karl-Heinz Bisold, drejtues i Psikiatrisë ushtarake në spitalin e Hamburgut: "Pacientët e parë, që kishim ishin pas Kamboxhas. Ishte viti 1992, 1993. Të tjerët pastaj pas misionit në Somali dhe në numër më të madh pas fillimit të misionit në Kosovë në vitin 1999 ku ushtarët për herë të parë u konfrontuan me pasojat e luftës - si me ndikimet e tmerrit dhe shkatërrimit", thotë Bisold.

Dy deri tre herë në javë pacientët kanë një seancë psikoterapeutike. Në to psikologu i Bundesvehrit Klaus Barrer merret me situata konkrete, me të cilat të prekurit nuk arrijnë t'ia dalin vetë mbanë. Pjesë nga biseda me një pacient: - "Tani së pari do të dija se si e ndjeje veten pas bisedës?". - "Pas bisedës e ndjeja veten pak të dëshpëruar dhe natën flija shumë keq".

- "Në rregull, tani thatë se e ndjeje veten pak të dëshpruar dhe keni fjetur keq. Çfarë ju shkonte nëpër mend, çfarë ndjeje në zemër apo çfarë pamjesh të dilnin para sysh? Kishte diçka të paharrueshme?".

- "Po, pamjet e përjetimit të sulmit".

Ushtari 28 vjeçar nga Hesseni mbijetoi në shkurt të këtij viti një sulm të kryer në Kundush të Afganistanit. Afër makinës së tij patrulluese shpërtheu një bombë-biçikletë dhe shkaktoi vdekjen e dy fëmijëve dhe një të rrituri. Ai vet kishte fat dhe i shpëtoi sulmit. Plagët e marra fizike i janë shëruar ndërkohë që pamjet e tmerrshme të viktimave nuk mund t'i harroj.

"Pamjet e fëmijëve, të cilët ndodheshin të vdekur para meje. Në momentin e parë njeriu nuk e merr si të vërtetë për shkak se trupi krijon aty për aty një lloj funksioni mbrojtës. Por me kalimin e kohës ato duhet si të them të përpunohen. Apo në të vërtetë unë nuk kam sqarimin e duhur për këtë".

Sulmi i Kundushit ka ndryshuar jetën e ushtarit me profesion bojaxhi. Diskot, tregjet apo tubimet e njerëzve ai nuk mund t'i duroj më. Atë e ka lënë edhe e dashura. Më nuk gëzohet për asgjë.

"Në jetën normale mund të merret pjesë por ajo nuk mund të shijohet më. Gjëra të ndryshme më sillen nëpër kokë, natyrisht janë pamje që nuk largohen lehtë dhe paraqiten sërish. Kështu që nuk është si ka qenë më parë. Kjo vërehet edhe nga të tjerët dhe të bën të shtrosh pyetjen çfarë duhet të bëj që të bëhet mirë. Si mund ta shijoj tani jetën time? Si ta shfrytëzoj më tej kohën?".

Mjekët flasin për pengesa post-traumatike. Janë të rralla raste kur pacientët lajmërohen me inciativë të vet. Shumicën e rasteve janë partnerët, të cilët kërkojnë nga të prekurit që të paraqiten tek mjeku. Në këtë mënyrë ata shpesh lënë pas vetes: vite të tëra pa gjumë, trishtim apo dobësim të nervave. Apo krizë në jetën bashkëshortore, rënie sociale apo rënie në vetmi, thotë mjeku Bisold.

"Nuk janë të rralla rastet kur fillimisht duket se gjithçka është përpunuar si duhet dhe pas një faze qetësie apo me kthimin nga misioni paraqiten problemet dhe simptomet e pamundësisë së largimit të pamjeve janë më të fuqishme edhe pse i prekuri është sërish në shtëpi, në siguri. Mirpo ata e ndjejnë veten edhe më tej se ndodhen në situata të rrezikshme", sqaron Bisold.

Kështu i ka ndodhur edhe 52 vjeçarit, pjesëtar i policisë ushtarake nga Saksonia e Poshtme:

"Unë kam qenë gati nëntë muaj në Bosnjë dhe kisha vetëm një javë pushim gjatë kësaj kohe. Për mua ishte e vështirë të ndaja këto dy botëra - botën e misionit dhe botën këtu. Më janë dashur muaj të tërë për të kuptuar se ndodhem sërish këtu. Ende edhe sot makinën e ngas vetëm në anën e djathtë të autostradës për shkak se kam frikë se mund të rrethohem. Në mëngjes kur dal të blej e zë rradhën i pari, nuk më pëlqen të pres në rresht. Po qëndrova në rresht zemra fillon menjëherë të më rrah më shpejt dhe mendoj se më nuk mund të dal që aty".

Për të kuptuar se tek ai kanë ndodhur ndryshime është dashur të kaloj një kohë: "Unë jam kthyer në vitin 2001. Për një vit nuk kam vërejtur asgjë nga këto ngarkesa post-traumatike. Njeriu thjesht tërhiqet në vete. Vetë nuk e vëren. Ulur para aparatit televiziv, pa vullnet për të bërë gjë tjetër. Bari rritej në oborr e mua nuk më interesonte që të dal ta kosis atë. Kështu kaloi një vit i tërë deri sa e kam kuptuar se diçka nuk është në rregull. Gruaja ime e kishte vënë re më më herët por nuk më thoshte asgjë".