1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

101109 Arafats Erben

12 Nëntor 2009

Me 11 nëntor 2004 vdiq lideri i Organizatës Çlirimtare Palestineze Yassir Arafat, në një spital në Paris. Sot pesë vite pas vdekjes së Arafatit nga trashëgima e tij ka mbetur vetëm një grumbull gërmadhash.

https://p.dw.com/p/KUCU
Palestinezët kujtojnë Arafatin
Palestinezët kujtojnë ArafatinFotografi: AP

Ramallah, 12 nëntor 2004. Një ditë pas vdekjes së Arafatit dhjetëra mijëra palestinezë janë mbledhur në oborrin e godinës ku ishte rezidenca e tij provizore, për të pritur trupin e pajetë të udhëheqësit të tyre. Çdo palestinez, kështu dukej atë ditë, donte të përshëndetej nga Abu Amarin, siç e quanin presidentin e autoriteteve autonome palestineze.

Dy muaj më vonë Abbasi u zgjodh presidenti i ri i autoriteteve palestineze. Ai fitoi 60 % të votave dhe trashëgoi një gjendje shumë të rëndë: aparati qeveritar në Ramallah ishte jofunksional pas sundimit të gjatë prej Arafatit, Hamasi ndiqte kursin e rezistencës së armatosur ndaj fuqisë okupatore Izraelit, ndërsa kryeministri i Izraelit Sharon e konsideronte presidentin e ri si tepër të dobët. Por Mahmud Abbasi i dërgonte Izraelit pa ndërprerë të njëjtën apel.

"Dua t'ju siguroj se rruga drejt sigurisë është paqja e drejtë dhe jo zgjidhjet ushtarake. Ne jemi partnerë të barabartë në këtë çështje dhe së bashku duhet t'i japim fund dhunës."

Kur Izraeli në verën e vitit 2005 largoi lagjet hebreje nga Rripi i Gazës, kryeministri Sharon pohonte se meritat i ka vetëm ai. Presidenti Abbas, i cili do të përfitonte shumë politikisht nga kalimi i koordinuar i rripit të pastruar bregdetar, mbeti me duar bosh. Kjo bëri që në zgjedhjet parlamentare palestineze në janar të vitit 2006 të fitojë Hamasi. Izraeli, SHBA-ja dhe BE-ja reaguan me sanksione të ashpra kundër qeverisë së Hamasit. Gati një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2006, Abasi mbeti pa ndonjë zgjidhje tjetër.

"Kam vendosur të shpall zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare."

Hamasi pohonte se kjo nuk vjen në konsideratë, bëri të ditur bashkëthemeluesi i Hamsit Mahmud Zahar.

"Ne nuk do të marrim pjesë dhe nuk e mbështesim një gjë të tillë. Nëse Abbasi është lodhur, atëherë duhet të japë dorëheqje."

Lufta qytetare tani më kishte filluar. Në qershor të vitit 2007, Hamasi brenda disa ditësh mundi Fatahun konkurrent. Pesha e vetme politike në duart e Abbasit ishte tani mbështetja e qeverisë së re amerikane e Presidentit Barack Obama. Ai duhej t'u jepte fund gabimeve të Marrëveshjes së Oslos dhe të mundësonte negociatat e reja, por Izraeli vazhdoi me ndërtimin e ngulimeve hebreje. Kur Abbasi paralajmëroi se nuk do të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale, gati njëkohësisht me pesë vjetorin e vdekjes së Arafatit, Hamasi është i bindur se ka të drejtë në të gjitha pikat. Kështu thotë deputeti i Hamasit, Khamis Najjar:

"Politika amerikane është konstante: Presidenti bën një zgjedhje, por politika amerikane mbetet e njëjtë, si edhe politika evropiane. Ato e kanë themeluar dhe e mbrojnë Izraelin. Izraeli gjithmonë ka të drejtë, ndërsa palestinezët kurrë."

Hamasi kaherë është nën ndikimin e Teheranit, që gati pamundëson edhe pajtimin kombëtare me Fatahun, thotë deputeti i Fatahut Ibrahim Musaddar.

"Ai që futet në konflikte rajonale, e ka vështirë të dalë prej tyre."

Autor: Clemens Verrenkotte/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi