1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transmetues i ri shtetëror, probleme të vjetra

Jannis Papadimitriou7 Nëntor 2014

Një vit më parë, më 7 nëntor policia boshatisi ndërtesën e transmetuesit shtetëror grek ERT. Më pas u ngrit një tjetër transmetues, që në fakt duhet të ishte i pavarur.

https://p.dw.com/p/1Dj0Y
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Në qershor 2013 shefi i qeverisë greke shkriu me anë të një dekreti televizionin shtetëror ERT dhe 2.650 punonjës përfunduan menjëherë në rrugë. Kjo u bë si pasojë e politikave të forta të kursimit. Përveç kësaj qeveria shtoi se vendimi u mor për shkak të keqadministrimit që i bëhej televizionit dhe do të krijohet një transmetues i ri në shembullin e BBC. Në shenjë proteste disa qindra punonjës të ERT-së qendrore deklaruan se do të vazhdojnë të prodhojnë vetë materiale televizive dhe radiofonike. Në nëntor të vitit 2013 njësitë speciale të policisë boshatisën ndërtesën. Në maj nisi transmetimet stacioni pasardhës NERIT.

400 punonjës të ish-transmetuesit shtetëror përgatisin një program proteste që mund të shihet në Internet dhe dëgjohet në frekuenca radioje. "Ne nuk dorëzohemi, edhe pse tani nuk marrim as paratë e ndihmës sociale. Ne duam që ERT të ringrihet", shpjegon për DW moderatori Nikos Tsimpidas. Në muajt e shkuar ish punonjësit e ERT kanë arritur disa suksese: "Janë gjithsej 17 transmetues lokalë që marrin programin tonë protestë", tregon gazetari.

Protestë në Athinë kundër mbylljes së ERT
Protestë në Athinë kundër mbylljes së ERTFotografi: REUTERS/Phasma

Aksioni i bastisjes së ndërtesës së ERT në nëntor 2013 do të vazhdojë të qendrojë për një kohë të gjatë në kujtesën e Tsimpidas. Atëherë ai ishte duke bërë turnin e natës, kur policia ia behu në orën katër të mëngjesit. Ai dhe kolegët e tij u urdhëruan të largoheshin menjëherë nga ndërtesa. "Ata kishin zgjedhur orarin e duhur sepse nuk mund të hasnin shumë rezistencë. Ne kërkuam shpjegim për aksionin policor, por nuk morëm asnjë përgjigje ", shprehet moderatori radiofonik.

Transmetuesi i ri

Tsimpidas nuk kundërshton faktin se transmetuesi shtetëror duhet të reformohej, por nuk kishte asnjë arsye që ai të mbyllej në atë mënyrë dhe të ngrihej një transmetues tjetër qeveritar si NERIT.

Por edhe transmetuesi i ri nuk po kalon kohë të qeta. Vetëm pas pak javësh në zyrë shefi i parë i NERIT Giorgos Prokopakis u shkarkua pa një arsye të qartë dhe ai akuzoi në Facebook për mungesë transparence dhe ndërhyrje politike. Vendin e tij e zuri Antonis Makridimitris, i cili e dorëzoi detyrën pas pushimit veror. Këtë detyrë tani e ka marrë përsipër Petros Mais, një ekonomist që ka punuar për 38 vjet për ERT. Duket ky si një fillim i ri?

Gjatë transmetimeve të ERT
Gjatë transmetimeve të ERTFotografi: DW/Greta Hamann

"NERIT nuk ka tejkaluar ende mënyrën e funksionimit si ERT", mendon Giorgos Plios, profesor i mediave në Universitetin e Athinës. Eksperti i medias akuzon se ndikimi i qeverisë tek transmetuesi i ri është akoma më i madh se sa tek ERT. Fatkeqësisht sipas tij, në Greqi nuk ka patur asnjëherë një transmetues publik të pavarur. Profesor Plios e konsideron si qesharak krahasimin e transmetuesit të ri shtetëror me BBC.

Roli i mediave private

Pas mbylljes së ERT në verë të vitit 2013 shoqatat mediatike zhvilluan protesta. Edhe mediat private ishin kundër mbylljes së ERT, por solidariteti i tyre nuk zgjati shumë. Politikanët në qeveri dhanë intervista në mediat private, ku mbronin mbylljen e ERT. Opozita e majtë ka bojkotuar transmetuesin e ri shtetëror NERIT dhe ka premtuar se nëse do të fitojë zgjedhjet do të ringrejë ERT duke rikthyer të gjithë punonjësit.

Në gjendien aktuale të ekonomisë dhe medias, shumë grekë kanë humbur besimin tek mediat e vendit të tyre, thotë Pilos. Kjo gjë konfirmohet edhe nga një sonaazh i Eurobarometer: Mbi 80% e të pyeturve nuk kanë besim tek televizionet e vendit të tyre. Edhe gazetat e radiot shihen me skepticizëm.