1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trajtim problematik i refugjatëve

9 Mars 2012

Kundër Greqisë shqiptohen kritika. E këtë herë jo për borxhet e vendit. Ministrat e Brendshëm të BE ankohen për praktikën dorëlëshuar të mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE, mbrojtjen nga emigrantët ilegalë.

https://p.dw.com/p/14Hvk
Refugjatë në Kretë
Refugjatë në KretëFotografi: picture-alliance/dpa

Vërshimi i refugjatëve nga Pakistani, Afganistani dhe prej një sërë vendesh afrikane nuk ka të ndalur. Kampet janë të stërmbushur. Njerëzit janë strehuar si mos më keq dhe jetojnë në rrugë. Autoritetet greke janë me plotëkuptimin e fjalës të mbingarkuara. Procedurat për azilim zvarriten, nëse zhvillohen. Shumë refugjatë largohen nga Greqia në drejtim të Turqisë dhe që prej atje vazhdojnë rrugën në vende të tjera të BE. Dhe pikërisht këtë duan të ndalojnë ministrat e Brendshëm të Gjermanisë, Austrisë, Suedisë, Belgjikës, Francës, Britanisë së Madhe dhe Hollandës.

E drejta për azil nis që në det

Por është e barabartë gati me një shkelje të të drejtave të njeriut po të kërkosh nga Greqia që t'i mbrojë më mirë kufijtë e saj të jashtëm kundë emigrantëve ilegalë. Sepse kjo mund të bënte që kjo e drejtë t'u refuzohet pikërisht refugjatëve që kanë nevojë për ndihë. "Do të supozohej afrofe" thotë Dr. Hendrik Cremer, bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Gjerman për të Drejtat e Njeriut, "që refugjatët janë ilegalë - pa e verifikuar kërkesën e tyre për azil ose pa u dhënë atyre ndihmë juridike- megjithëse pikërisht kjo është një e drejtë që atyre u takon." Dhe u takon jo vetëm atëherë, kur kanë arritur të shkelin tokën kontinentale, por edhe në det të hapur.

Praktika e zakonshme e vendeve të BE, për t'i kapur në det të hapur refugjatët dhe për t'i kthyer ata në atdhe, ose në vende të gatshme që t'i pranojnë, shkel nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai ndalon që njerëzit të kthehen në vende, në të cilat ata i kërcënon rrezik për tortura ose trajtime çnjerëzore. Kjo duhet respektuar edhe në kufijtë e jashtëm të BE, thekson Kremer. "Për këto vende nuk ekziston mundësia, që t'i bien shkurt e të thonë: këtu ju nuk mund të hyni."

Dublin II dhe Shengeni

Refugjatë në kufirin e Greqisë me Turqinë
Refugjatë ilegalë në kufirin e Greqisë me TurqinëFotografi: picture alliance / dpa

Brenda BE vlen që vendi, në të cilin hyn refugjati, është përgjegjës edhe për procesin e refugjatit për azilimin. Kjo është përcaktuar në një dekret, i cili quhet Dublin II. Vendet të BE, të cilët p.sh. si Greqia ndodhen në bregdet dhe arrihen më lehtë nga refugjatët, duhet të pranojnë shumë më tepër azilantë se sa vende evropiane jo në kufi. Një zgjidhje për këtë, Dr. Kremer i Instituti Gjerman për të Drejtat e Njeriut sheh në "një ndarje brenda Evropës, përkatësisht një lehtësim të vendeve në bregdet." Por kjo kërkon një ndryshim të direktivës së Dublinit.

Edhe mbrojtja e përforcuar të kufijve brendaevropianë - për shembull përmes rifutjes së kontrolleve kufitare në hapësirën e Shengenit- shihet në mënyrë kritike.

Më shumë solidaritet midis shteteve të BE është i nevojshëm edhe për Karl Kopp-in, nga organizata Pro Asyl. Ai kritikon që Greqinë, me gjithë këtë vërshim refugjatësh e lënë vetëm. Me vend do të ishte ngritja e një sistemi të përbashkët mbrojtjeje në Evropë, thotë ai, me "kushte pranimi humane".

Autor: Beatrix Beuthner/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica