1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Trajtim i papërshtatshëm" e shkelje kushtetute në Guantanamo

Karsten Shmister13 Qershor 2008

Gjykata më e lartë në Uashington mori të enjten një vendim parimor, i cili u mundëson të arrestuarve në burgun ushtarak të Guantanamos të drejtën për ta nxjerrë rastin e tyre para gjyqeve civile në SHBA.

https://p.dw.com/p/EJ7w
Burgu i Guantanamos
Burgu i GuantanamosFotografi: AP

Gjykatësit më të lartë thanë se refuzimi nga qeveria amerikane i pranimit të kësaj të drejte shkel kushtetutën.

Nuk është hera e parë që Xhorxh Bushi merr një refuzim nga Gjykata më e Lartë e SHBA, kjo është hera e tretë. Por prej të gjithave, kjo është ajo që duhet t'i dhembë më shumë dhe sipas të gjitha gjasave e fundit e periudhës së tij në post. Tri herë kanë konstatuar deri tani gjykatësit se të dyshuarit për terrorrizëm, që mbahen nga qeveria Bush si "luftëtarë armiq" të arrestuar në Guantanamo, kanë të drejtën të ankohen kundër arrestimit të tyre. Dhe ta bëjnë këtë jo para një gjykate ushtarake, por para një gjykate të rregullt civile në territorin amerikan. Në vendimin e marrë me numër minimal votash, pesë pro dhe katër kundër, thuhet më tej se ka qenë dhe është "e papërshtatshme", që u është refuzuar aktualisht 270 të burgosurve një trajtim në bazë të Konventës së Gjenevës për të burgosurit e luftës.

Disa prej tyre ka më shumë se gjashtë vjet që ndodhen pas kangjellave të Guantanamos, 80 prej tyre presin procesin gjyqësor para gjykatave të posaçme ushtarake. Por pas këtij vendimi të Gjykatës është e paqartë, nëse do të ketë ndonjëherë vendime të tilla. Javët e fundit ka pasur vetëm dëgjime përgatitore të seancës, kur u morën në pyetje të dyshuarit si nxitës të atentateve të 11 shtatorit 2001. Ata, si të gjithë të burgosurit e kampit mund të kërkojnë tani para një gjykate civile lirimin e tyre dhe ndoshta mund ta arrijnë këtë: një ëndërr e keqe për presidentin, i cili deklaroi gjatë vizitës së tij në Romë, se do ta pranojë vendimin, edhe nëse e refuzon atë: "Vetë Gjykata është thellësisht e përçarë. Unë mbështes pikëpamjen e minoritetit. Ata e kundërshtuan mendimin e shumicës nga meraku për sigurinë kombëtare."

Nuk përjashtohet që deputetë republikanë të kongresit të përpiqen sërish ta minojnë vendimin e Gjykatës me anë të ndryshimeve të ligjeve. Por ata sot janë në minoritet.