Tkurrje në ″koalicionin e të vullnetëshmve″ | Bota | DW | 16.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tkurrje në "koalicionin e të vullnetëshmve"

Rreth 150.000 amerikanët dhe 8.700 britanikët në Irak mbështeten prej më shumë se 15.000 ushtarësh nga 20 vende të tjera. Por ky "koalicion i të vullnetëshmve" po tkurret dukshëm që prej vitit të kaluar: Polonia, e cila si Britania e Madhe dhe SHBA është përgjegjëse për një zonë të vetën, planifikon tërheqjen e 1.700 ushtarëve deri në fund të vitit, Bullgaria, e përfaqësuar me 450 ushtarë në Irak, po ashtu. Ukraina ka filluar që këtë javë me tërheqjen e kontingjentit të saj prej 1.600 ushtarësh. Tani edhe Italia, njëri prej aleatëve më të ngushtë të SHBA, kërkon të tërheqë trupat e saj.

Silvio Berlusconi

Silvio Berlusconi

Në Itali ka shkaktuar trazim paralajmërimi i kryeministrit Silvio Berlusconi për të tërhequr nga shtatori trupat nga Iraku. Ishte një gabim i rëndë i kreut të qeverisë që e bëri të ditur tërheqjen e trupave pikërisht atëherë kur dhoma e deputetëve po votonte për financimin e misionit, deklaroi kreu i demokratëve të majtë, Piero Fassini. Udhëheqësi i opozitës Romano Prodi tha, se "kishte mbetur pa gojë".

Berlusconi deklaroi dje në televizionin italian se do të fillonte me tërheqjen në shtator në rast se deri atëherë gjendja e sigurisë do të ishte e pranueshme. 3.000 ushtarët italianë janë kontingjenti i katërt për nga madhësia pas atij të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Koresë së Jugut.

"Mendoj se kontingjenti i trupave tona me siguri do të pakësohet përpara fundit të vitit - në bashkërendim me aleatët tanë. - deklaroi kryeministri italian.

Nuk ekziston një listë zyrtare aktuale e "koalicionit të të vullnetëshmve", por ekspertët hamendësojnë se nga më shumë se 50 shtete që merrnin pjesë në luftën e Irakut kanë mbetur vetëm 20 vende me trupa atje. Ukraina ka filluar tashmë me tërheqjen e 1.650 ushtarëve të saj. Në këtë mënyrë presidenti Viktor Jushçenko ktheu mbrapsht një vendim jopopullor të paraardhësit të tij në detyrë.

"Jemi për tërheqjen e trupave ukrainase të stacionuara në Irak. Tërheqja e plotë do të kryhet në kuadër të këshillimeve të ngushta me partnerët dhe aleatët tanë. Ky operacion ushtarak do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e përfshira në këtë prozes. Ne shpresojmë se qeveria e re irakiane do të ndërtohet së shpejti. Nuk e përjashtojmë mundësinë që disa ushtarë ukrainas të qëndrojnë në Irak. Ata do të japin atje mbështetje tekniko-ushtarake si dhe do të jenë të përfshirë në stërvitjen e forcave ushtarako-policore irakiane."

Deri në fund të majit 2005 Hollanda do ti urdhërojë të kthehen trupat e veta prej 1.400 ushtarësh. Polonia do të fillojë në qershor me tërheqjen. Në Bullgari po rritet kritika publike ndaj misionit në Irak qëkurse vdiq një ushtar bullgar, i cili u vra me armë zjarri në rrethana të pazbardhura nga trupat amerikane. Që vitin e kaluar Spanja i tërhoqi trupat e saj.

1.650 ushtarë ukrainas dhe 1.400 ushtarë hollandezë nuk janë shumë në krahasim me 150.000 ushtarët amerikanë të stacionuar në Irak. Prandaj ekspertët për Irakun pajtohen në faktin se pasojat ushtarake të tërheqjes së trupave ukrainase janë të kufizuara. Me rëndësi është efekti simbolik: nëpërmjet kësaj "koalicioni i të vullnetëshmve" është bërë shumë më i brishtë.

Nxitimi në tërheqje që manifestohet prej disa "koalicionarësh" të dikurshëm nxjerr në pah motivet e vërteta për angazhimin e tyre në Irak. Në fillim të luftës shumë prej tyre shpresuan tek ndihma politike dhe ushtarake e SHBA. Tani me sa duket për shumë qeveri kjo dobi nuk i barazon shpenzimet në politikën e brendshme. Sa më gjatë zgjasin trazirat në Irak dhe sa më shumë viktima shkaktojnë ato në radhët e ushtarëve, aq më i vështirë bëhet për qeveritë arsyetimi i kësaj lufte përballë popullit.

"Bring our boys home", thuhet edhe në SHBA. Në fakt atje fjala "exit strategy" është zyrtarisht tabu, por tërheqja e trupave të vendeve të tjera nga Iraku e përforcon trysninë mbi qeverinë amerikane për të bërë të njëjtën gjë. Megjithatë parashikon Joachim Gießmann nga Universiteti i Hamburgut, tërheqja e plotë nga Iraku nuk do të ndodhë gjatë periudhës legjislative të presidentit Bush. Rëndësia gjeopolitike e Irakut është tepër e madhe që të ndodhte kjo.

  • Data 16.03.2005
  • Autor Angela Göpfert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQ8
  • Data 16.03.2005
  • Autor Angela Göpfert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQ8
Reklamë