1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Opozita proteston sërish kundër qeverisë

5 Mars 2019

Kreu i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha është shprehur, se dalja nga kriza bëhet me një marrëveshje politike me socialistët, pa Ramën kryeministër. Rama shprehet pro dialogut, kundër negocimit për qeverinë.

https://p.dw.com/p/3EReE
Albanien Tirana - Oppositionsproteste: Parlament
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Krzeziu

Opozita rifillon të martën ( 5.03.2019) serinë e protestave për largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij. Ajo shënon protestën e katërt brenda 17 ditësh, nga të cilat 3 me akte dhune nga protestuesit dhe gaz lotsjellës nga policia. Protesta e sotme (05.03) para Parlamentit zhvillohet pa lejen e policisë. Në përgjigjen zyrtare policia argumenton refuzimin e saj me "aktet e mundshme të dhunës, rrezikimin e jetës së deputetëve nga protestuesit, pengimin e zhvillimit të  seancës plenare”. Në protestën e opozitës, të zhvilluar para Parlamentit një javë më parë, pati akte dhune, djegie gomash, shpërthim të bombave Molotov, lëndëve piro-teknike dhe cënim fizik të 3 deputetëve.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për DW se janë marrë masa për të rritur sigurinë e deputetëve: është rritur numri i kordonëve të policisë, ndërtesa e Parlamentit është rrethuar me tela me gjemba dhe në sheshin para saj janë ngritur skela. Për të shmangur tentativat për të hyrë në Parlament, Policia paralajmëron se do të përdorë përsëri gazin lotsjellës dhe ujë me presion. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftoi qytetarët të hënën, (4.03) "të përballen me qeverinë e kapur nga krimi për të vjedhur zgjedhjet” dhe paralajmëroi se " nuk ka për të pasur hapa pas, por vetëm hapa para drejt largimit të Edi Ramës”.

Albanien Anti Regierungsproteste
Fotografi: DW/A. Ruci

Presidenti Meta - dialog për të zgjidhur krizën politike

Një paralajmërim i tillë vjen kur Presidenti Meta u bëri dje thirrje dy palëve, qeverisë dhe opozitës, për t‘i gjetur një zgjidhje politike krizës politike dhe institucionale ku është zhytur vendi. Në një deklaratë për mediat Meta theksoi të hënën se „palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë me përgjegjshmëri për normalizimin e institucioneve". Por dialogu duket ende larg. Basha ka refuzuar ftesën e kryeministrit Rama, drejtuar atij fundjavën e kaluar, për të biseduar dhe gjetur zgjidhje për krizën politike dhe institucionale. „Hapi i vetëm për ta çuar Shqipërinë në Evropë është që të largohet një qeveri e lidhur me krimin. Vendi qeveriset nga politikanë të lidhur me krimin dhe ndajnë Shqipërinë si të ishte tortë duke shkatërruar institucionet e vendit dhe duke detyruar qytetarët të marrin rrugën e emigracionit. Shqipëria nuk ka nevojë për një tango.” deklaroi dje Basha. Në një prononcim në mbrëmjen e së hënës, në një kanal telviziv të Tiranës Basha foli për herë të parë që nga fillimi i protestave në muajin e kaluar „për një marrveshje politike me socialistët pa Edi Ramën për të dalë nga kriza institucionale, për shkëputjen e politikës nga krimi dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të lira dhe të ndershme."

Albanien Tirana Ilir Meta
Fotografi: picture-alliance/AA/O. Shehu

Narrativa e liderit të opozitës është identike si ajo në pranverën 2017, kur pas 3 muajsh proteste, në ҫadrën e ngritur përballë kryeministrisë, e ndëmjetësuar nga ndërkombëtarët u arrit marrëveshja politike Basha-Rama, më 18 maj, në bazë të së cilës u krijua një qeveri e përkohshme me pjesëmarrjen e opozitës, e cila pranoi dhe ҫertifikoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare 2017, që risollën në pushtet Edi Ramën.

Por këtë herë situata është ndryshe. Heqja dorë nga mandatet parlamentare pothuajse „en block" nga deputetët e opozitës është kritikuar me një zë nga BE dhe SHBA, që duket se nuk do të bëjnë arbitrin mes palëve, siҫ ka ndodhur rëndom në krizat politike mes opozitave dhe maxhorancave parlamentare në pothuaj 3 dekada rotacionesh pushteti në Shqipërinë post-komuniste. Më shumë se për një marrëveshje politike, maxhoranca socialiste po sheh zgjidhjen tek zëvendësimi i deputetëve opozitarë të vetë dorëhequr.  Kryeministri Rama tha dje në mbledhjen e Asamblesë së PS, në Tiranë se " PS është pro dialogut, por qeveria nuk negociohet."

Protestë dhe betim deputetësh nga partitë opozitare

Në seancën e sotme plenare të parlamentit do të betohen edhe 4 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI) që morën  mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) , pas vendeve të lira prej heqjes dorë nga mandatet parlamentare të 4 deputetëve të tjerë të LSI. Zëvendësimin e deputetëve të PD dhe LSI me kandidatët për deputetë që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe janë në listën që këto dy parti paraqitën në KQZ, shihet nga kreu  i opozitës si "opozitë fasadë”. Burime nga KQZ pohojnë që kanë pranuar të marrin mandatin rreth 20 kandidatë nga lista e PD dhe LSI, gjë që do të bëjë të mundur formimin e 2 grupeve parlamentare opozitare të PD dhe LSI me nga 10 anëtarë, shifër që nuk bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor..

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana