Tirana miraton ligjin e diskutueshëm të policisë | Ballkani | DW | 03.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tirana miraton ligjin e diskutueshëm të policisë

Një nen në projektligjin e ri për policinë e shtetit në Shqipëri, ka ngjallur alarm për mundësi shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut. Qeveria e Tiranës e mbron variantin e ri si me modernin

default

Neni i kundërshtuar fuqimisht nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe juristë të pavarur është ai me numër 115. Vasilika Hysi, kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thotë se në të ka hapësira të medha ku mund të dhunohen të drejtat e njeriut.

Sipas nenit 115 të projektligjit të ri, policia e shtetit në Shqipëri ka të drejtë të përgjojë dhe survejojë këdo që ka kryer një vepër penale apo për të cilin ka dyshime. Neni 115 nuk e specifikon llojin e veprës penale të kryer apo për t´u kryer. Ndërkohë që në ligjin ekzistues policia ka të drejtë të përgjojë vetëm për një kategori krimesh të rënda si edhe për terrorizëm.

Mungesa e specifikimit të veprës penale në projektligjin e ri i krijon hapësira policisë së shtetit të verë nën përgjim çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe dikë, që është penalizuar për një vepër të thjeshtë penale, aksident automobilistik apo për motive të dobëta. Ndonëse sipas praktikave të bashkëpunimit Drejtësi- Polici eshte prokuroria ajo që thotë fjalën e fundit duke lejuar ose jo ushtrimin e kompetencave që i jep ligji policisë së shtetit, për të përgjuar apo survejuar personat.

Por kritikat ndaj projektligjit të ri për policinë e shtetit, në raport me garantimin e të drejtave të njeriut bazohen edhe në argumenta të tjerë. Në projektligjin e ri ka shkelje në procedurën e thirrjes së njerëzve në komisariatet e policisë për t´i identifikuar, verifikuar si edhe ushtruar kontroll në banesat e tyre. Një aspekt tjetër është dhënia e kompetencave të shumta prefekteve, duke bërë kështu mbivendosje të tyre, për sa kohë kompetencat në marrëdhëniet me komunitetin atyre ua jep pushteti lokal.

Projektligji i ri për policinë e shtetit është hartuar me asistencën e ekspertëve të misionit të BE-së për policinë e Shqipërisë të njohur me inicialet

PAMECA. Fakti që në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut ai është objekt kritikash për juristin e njohur konstitucionalist në Shqipëri, Njazi Jaho, do të thotë se ekspertët europiane duket se kanë aplikuar në mënyrë mekanike përvojat europiane pa marrë parasysh realitetin e Shqipërisë.

Për qeverinë projektligji i ri i policisë së shtetit nuk ka asnjë të metë. Përkundrazi është shprehje e modernizimit të legjislacionit dhe respektimit më të mirë se deri meësot të të drejtave të njeriut. Zv. Ministri i Brendshëm Gjergji Lezhja thotë se ai garanton këto të drejta dhe është konform standarteve europiane.

Megjithatë organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, të mbështetura edhe nga organizatat e shoqërise civile dhe juristë të pavarur i kanë drejtuar një kërkesë Parlamentit për të marrë parasysh kritikat e tyre dhe për të shtyrë miratimin e projktligjit të ri, pas përmirësimit të neneve të kontestuara.

  • Data 03.12.2006
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arah
  • Data 03.12.2006
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arah
Reklamë