Tiranë: Protestuesit e opozitës përleshen me policinë | Ballkani | DW | 28.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Tiranë: Protestuesit e opozitës përleshen me policinë

Kryeministri Rama: zgjedhjet lokale do të zhvillohen hyn apo nuk hyn opozita në parlament

 

Opozita me mbështetësit e saj zhvilluan sot (28.03.2019) para Parlamentit, protestën e saj të shtatë në serinë e protestave antiqeveritare për  të larguar kryeministrin Rama, rrëzuar qeverinë e tij dhe formuar një qeveri kalimtare, për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

Për opozitën Parlamenti dhe Qeveria Rama nuk janë legjitime pasi, sipas saj kanë fituar mandatin qeverisës përmes blerjes së votave dhe lidhjeve me krimin. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij socialiste i hedhin poshtë akuza të tilla dhe theksojnë që "zgjedhësit i kanë dhënë mandatin të qeverisin deri në vitin 2021 dhe ky mandat nuk negociohet.”

Lideri i Partisë Demokratike, më të madhes në opozitë, Lulzim Basha, tha në protestën e sotme se "misioni ynë më i madh është të rrëzojmë qeverinë e krimit” dhe ftoi gjithë qytetarët t'i bashkohen protestës së opozitës. Pjesëmarrja e protestuesve në protestën e sotme, ishte tkurrur dukshëm në krahasim me gjashtë protestat e mëparshme.

Forca të shumta policore kishin rrethuar godinën e parlamentit dhe bllokuan qarkullimin e të gjitha rrugëve që çojnë në parlament. Protestuesit tentuan disa herë të thyejnë kordonet e policisë dhe të futen në sallën e parlamentit, ku po zhvillohej seanca plenare e radhës. Ata u përleshën me policinë, hodhën shashka dhe bomba Molotov, që mbuluan me tym sheshin ku po u zhvillua protesta.

Policia ia doli mbanë të pengojë tentativat e protestuesve për t'u futur në sallen e parlamentit pa përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion si në rastet e protestave  të mëparshme të opozitës, të nisura para gjashtë javësh. Në  shkurtin e kaluar protestuesit kryen akte dhunë për t'u futur në godinën e kryemnistrisë dhe parlamentit. Sipas njoftimeve të Partisë Demokratike, policia ka lënduar një protestues, student në gazetari.

Opozita bëri përsëri me dije vijimin e protestave të saj, kur parlamenti të zhvillojë punimet e tij, në seancë plenare dhe zhvillimin e një proteste kombëtare muajin e ardhshëm para kryeministrisë.

Në prag formimi i grupeve parlamentare të opozitës

Deputetët e dy partive opozitare, PD dhe LSI, që kanë hyrë në parlament pas heqjes dorë nga mandatet parlamentare të deputetëve të opozitës, ranë sot dakort t'i drejtohen zyrtarisht parlamentit për të formalizuar dy grupet parlamentare të opozitës, PD dhe LSI. Nga mandatet e deritanishme, që kanë marrë  kandidatët për deputetë nga listat e PD dhe LSI, në zgjedhjet parlamentare  2017, rezultojnë 20 deputetë.

Formimi i grupeve parlamentare pritet të bëjë të mundur zhvillimin e punimeve të parlamentit edhe me opozitë si edhe miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar prej 84 votash. Në seancën e sotme të parlamentit kryeministri Rama deklaroi se zgjedhjet lokale të qershorit do të zhvillohen me ose pa opozitën që është jashtë parlamentit, në protestë. "Hyjnë apo nuk hyjnë, zgjedhjet do të zhvillohen në afatin e caktuar dhe për këtë nuk ka kompromis,” tha kryeministri Rama sot në seancën parlamentare.