Tiranë: Presidenti Meta dekreton 13 tetorin për zgjedhjet lokale | Ballkani | DW | 27.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Tiranë: Presidenti Meta dekreton 13 tetorin për zgjedhjet lokale

Presidenti Meta dekretoi 13 tetorin si datë të zhvillimit të Lokaleve 2019. Por kryeministri Rama deklaroi në median sociale se „30 qershori është e vetmja datë për zgjedhjet lokale“.

Dekreti presidencial për datën e  re të zgjedhjeve u shpall nga Presidenti Meta në një konferencë për shtyp, në pasditen e së enjtes, pas takimesh që kishte zhvilluar gjatë paradites me drejtues të partive opozitare, të kryesuara nga Partia Demokratike.  

Kërkesa e tij për të dialoguar edhe me kryeministrin Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste në pushtet, u refuzua nga ky i fundit, me arsyetimin e pamundësisë kohore për shkak të angazhimit të tij në fushatën elektorale për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, këtë të diel, më 30 qershor.

Presidenti Meta e përligji nxjerrjen e dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në 13 tetori, me mundësitë që kjo datë jep për zgjedhje që plotësojnë standartet demokratike.

„Data e re është një mundësi për të zhvilluar zgjedhje me standarte demokratike në një kohë me vendimet e pritshme të BE-së për të nisur negociatat me Shqipërinë për anëtarësim të plotë”, vuri në dukje ai në konferencën për shtyp.

13 tetori është një datë në prag të marrjes së vendimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

"Rama reflekto" jo "Rama IK"

Dekreti i Presidenti Meta për datën e re është i treti, që ai nxjerr për Lokalet 2019. I pari doli në vjeshtën e vitit të kaluar dhe caktoi si datë  të zgjedhjeve 30 qershorin 2019, i dyti doli para dy javësh dhe anuloi këtë datë,  në një situatë krejt të re nga dekreti i parë: opozita kishte hequr dorë nga  mandatet e saj parlamentare, po zhvillonte që prej 4 muajsh protesta antiqeveritare dhe kishte deklaruar se nuk merrte pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Dekreti i dytë u konsiderua "nul” nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor. Procesi zgjedhor, që nisi para pothuajse një muaj më parë, po vazhdon sot e kësaj dite. Kjo situatë ka sjellë që mbi 48 %  e elektoratit të djathtë, që mori pjesë në Lokalet 2015 të mos jetë i përfaqësuar.

Sipas raportit paraprak të misionit ndërkombëtar vëzhgues të OSBE/ ODIHR-it , në 31 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria,  përballë kandidatëve për deputetë të PS, nuk ka kundërshtarë në garë nga partitë opozitare që janë regjistruar në KQZ të konkurrojnë.

Presidenti Meta i bëri të enjten thirrje kryeministrit Rama "të reflektojë” ndaj situatës.Ai tha në konferencën për shtyp se nuk kërkon” Rama IK” ,  që ka qenë moto e opozitës në katër muajt e protestave të saj të vazhdueshme antiqeveritare.

Rama: zgjedhjet në 30 qershor.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj menjëherë dekretit për datën e re të zgjedhjeve.  Ai bëri me dije në rrjetet sociale se "data 30 qershor është e vetmja datë për zgjedhje vendore”.

Dekreti për zhvillimin e Lokaleve 2019 më 13 tetor në Shqipëri vjen vetëm 1 ditë përpara mbylljes së fushatës elektorale. KQZ ka shpërndarë tanimë materialet e votimit në të gjitha qëndrat e votimit, duke përfshirë edhe ato në bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet e lokale 2015.

Këto bashki kanë refuzuar të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës dhe përmes mosbindjes civile dhe protestave kanë kërkuar të lirohen mjediset, në juridiksion të bashkive të djathta, ku janë ngritur qendrat e votimit. Por këtë nuk e kanë arritur dot, nga ndërhyrja e forcave të rendit.

Data e  re e zgjedhjeve ka thelluar mosmarrëveshjet mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, ndaj të cilit Parlamenti po vijon procedurën për shkarkimin e tij, Për mazhorancën socialiste dekreti i anulimit të 30 qershorit, si datë e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, është antikushtetues.

Kundërshtia mes Presidentit dhe Kryeministrit për datën e Lokaleve 2019 ka thelluar mosmarrëveshjet mes tyre. Shmangia e një përplasjeje civile mes elektoratit të djathtë dhe atij të majtë, nëse Lokalet 2019, do të zhvillohen këtë të diel, mbetet, tani për tani, çështja kryesore.