1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Mbyllet protesta e opozitës me thirrjen “Rama ik”

Ani Ruci'
5 Mars 2019

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagon ndaj protestës së opozitës me thirrjen "Rama ik", se mund të bisedojmë, por nuk negociojmë mandatin e dhënë nga shqiptarët.

https://p.dw.com/p/3EUdv
Albanien Tirana - Demonstrationen der Opposition gegen die Regierung
Fotografi: DW/A. Ruci

Ka përfunduar këtë të martë (05.03) në mënyrë paqësore, pa konfrontime me policinë, pa akte dhune ndaj godinës së parlamentit, e katërta protestë e opozitës, në serinë e protestave të saj antiqeveritare, të nisura në mes të muajit të kaluar. Parlamenti, ku gjatë protestës u   zhvillua seanca plenare e rradhës, u mbrojt me tela me gjemba dhe forca të shumta policore. Mijëra protestues, mbështetës të opozitës bënë të njëjtat thirrje dhe akuza: largimin e kryemininistrit Rama, rrëzimin e qeverisë, zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe akuzuan qeverinë për ardhjen në pushtet me vota të blera dhe lidhje me krimin e organizuar.

Protestuesit dogjën goma makinash, ndezën fishekzjarre, hodhën bomba molotov që mbuluan me tym sheshin, por nuk pati tensione me policinë, sikurse ndodhi në protestën para një jave. Policia sot nuk përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Basha: Sot etapa e fundit e Parlamentit të krimit

Gjatë kohës që u zhvillua protesta e opozitës Parlamenti zhvilloi normalisht seancën plenare. Katër kandidatë për deputetë nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI) që morën një ditë më parë (4.03) mandatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u betuan si deputetë të opozitës. Sipas deklaratave publike të KQZ ka të paktën edhe 16 kandidatë për deputetë në listat e dy partive opozitare PD dhe LSI, që pritet të bëjnë betimin në seancat e ardhshme plenare, duke mundësuar funksionimin demokratik të Parlamentit me maxhorancën e majtë dhe opozitën e djathtë.

Në fjalën e tij në mbyllje të protestës, përpara mbështetësve të PD, kryetari i saj, Lulzim Basha e quajti protestën e sotme: ”etapën e fundit të parlamentit të krimit”dhe bëri thirrje për një pjesëmarrje më të madhe në protestën e planifikuar për më 16 mars, para kryeministrisë. Ai shprehu bindjen se protesta e 16 marsit do të largojë kryemnistrin Rama dhe rrëzojë qeverinë e tij.

Thirrjeve të opozitës në protestë për largimin e tij dhe  rrëzimin e qeverisë, kryeministri Rama iu përgjigj nga foltorja e parlamentit. Ai përsëriti, se "shumica e shqiptarëve i kanë dhënë mandatin dhe detyrën PS të qeverisë deri në vitin 2021. Opozita kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, pasi kur e sheh që nuk i fiton dot zgjedhjet, ikën, djeg mandatet dhe thotë anulim loje”.

Lidhur me zgjidhjen e krizës politike, ku është futur vendi kryemnistri Rama ofroi përsëri gadishmërinsë për dialog” Jemi gati të dialogojmë për gjithçka, por ne nuk jemi gati dhe s'do jemi asnjëherë gati të negociojmë me askënd demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha, mandatin e marrë nga shumica dërrmuese e qytetarëve, ne nuk e negociojmë me askënd”.

Opozita e re në Parlament

Një opozitë e re pritet të formohet me kandidatët për deputetë të listave të PD dhe LSI që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017. Pa një Parlament që të funksionojë me maxhorancën e majtë dhe opozitën e djathtë është vështirë të plotësohen kriteret politike, që kërkon hapja e negociatave me BE në qershor. Përpjekjet për krijimin e opozitës së re janë një reagim i menjëhershëm edhe ndaj thirrjes "për përgjegjësi politike nga të gjitha forcat për të siguruar një demokraci parlamentarte funksionale dhe për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën europiane”, të euro-deputetit gjerman Knut Fleckenstein, në mbyllje të misionit fakt –mbledhës dhe  vlerësues për ecurinë e reformave dhe plotësimin e kritereve nga Shqipëria për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE në qershor 2019.

Shpresat që kjo të ndodhë janë forcuar javën e kaluar nga deklaratat e  euro-parlamentarëve, se "Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pasi kushtet e vëna janë plotësuar”.