Tiranë: Kuvendi i PD-së shkëput marrëdhënien me Berishën | Ballkani | DW | 19.12.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Tiranë: Kuvendi i PD-së shkëput marrëdhënien me Berishën

Patia Demokratike (PD) ndodhet në një situatë të paprecedentë në skenën politike post-komuniste të Shqipërisë: Dy kuvende me grupime ndryshe brenda një jave dhe një referendum kundër kryetarit aktual të PD-së.

Dy liderët e grupimeve kundërshtare brenda forcës politike opozitare më të madhe në Shqipëri, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, me vendimet e marra dhe sulmet e ndërsjellta po ecin me shpejtësi drejt ndarjes, që duket e pariparueshme.

Me logon "PD zgjedh të ardhmen" të shtunën (18.12) u zhvillua Kuvendi Kombëtar, i thirrur nga kryetari i saj aktual Basha dhe me delegatë mbështetës të tij, që përjashtoi Berishën nga çdo funksion drejtues në parti. Në statutin e rishikuar të PD-së ky kuvend konsideroi „të papajtueshëm me çdo funksion partiak këdo anëtar të saj që shpallet „persona non grata" nga qeveria e SHBA-së". 

Sipas vendimit të sapomarrë nga kuvendi i PD-së (18.12), Berisha i shpallur nga Departamenti i Shtetit në SHBA në maj 2021 si "persona non grata" për „vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri" - sikurse argumentohet ky vendim - nuk është më anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së e si rrjedhim as i Kuvendeve të saj Kombëtare. 31 vjet pas krijimit të saj, PD hapi një kapitull të ri: atë të ndarjes nga themeluesi i saj.

"Rrugët e Berishës me PD-në janë ndarë, ai është e shkuara dhe ne jemi ndarë nga kjo e shkuar, ai është përjashtuar nga grupi parlamentar, nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar, më saktë ai është vetëpërjashtuar me veprimet e tij dhe me sjelljet e tij qesharake”, tha Basha në një mbledhje të kryesisë së PD-së,  në orët e vona të së shtunës (18.12).

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, thotë për DW, se „ në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Basha ndodhi ndarja e prerë, zyrtare, e dimensiounuar me ish-kryetarin historik të PD-së. Beteja brenda PD-së me dy grupimet e saj kundërshtare e bën të pakthyeshme ndarjen e saj."

44 mijë demokratë pro shkarkimit të Bashës

Një referendum i organizuar në nivel kombëtar, po të shtunën (18.12) nga Berisha me mbështetësit e tij, rezultoi me 44 mijë vota demokratësh në favor të vendimit të shkarkimit të Bashës, të marrë në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, të pagëzuar si „Kuvendi i Rithemelimit të PD-së" të organizuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij.

Demokratët votuan në mbi 100 qendra, të ngritura në të gjithë vendin në mjedise private, dhe dhanë votën e lidhur me shkarkimin ose jo të Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.

Rezultatet e referendumit u paraqitën në mbrëmje, nga vetë Berisha në oborrin e selisë së PD-së,  në Tiranë, kur brenda saj Basha po zhvillonte mbledhjen e kryesisë. "Ky është ndëshkimi më i merituar për një person të padenjë për këtë detyrë, që detyrën më të lartë të kreut të opozitës e shfrytëzon për pazare personale dhe e trajton PD-në, si një pronë të tij. Basha ka humbur çdo lloj besimi dhe është gjykuar ashpër nga PD, në referendumin e saj të parë të thirrur nga anëtarësia”, tha Berisha.

Referendumi dhe berishizmi

„Referendumi, i zhvilluar nga një fraksion i një force politike, nuk ka vlerë dhe besueshmëri formale. Por PD po bëhet shumë më e dobët përpara misionit të domosdoshëm për rotacion të pushtetit të afërt qevërisës”, tha për DW, Aleksandër Çipa.

Në kushtet e tri humbjeve rradhazi të zgjedhjeve, analisti thekson, se "Basha më shumë se kredibilitet të shtuar tek demokratët po dëshmon kapacitetin e munguar si kryetar zyrtar i PD-së, pavarësinë dhe refuzimin ndaj atit të tij politik, Berishës."

"Duket sikur po e fiton betejën me Berishën në sajë edhe të aleancës që po dëshmon me vendimin e qeverisë së SHBA-së, por ende nuk është e qartë nëse ka rritje të besueshmërisë ndaj tij. Duhet ende shumë që të fitojë përkrahjen e të gjithë anëtarësisë. Aq sa më duket e pamundur. Ndarja nga Berisha është më e lehtë sesa mposhtja e berishizmit në PD", thotë analisti Çipa për DW.