1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Proçesi i reformave në Shqipëri nuk duhet te prekë pavarësinë e institucioneve

Ani Ruci / Tiranë 1 Tetor 2008

Zv. sekretari amerikan i mbrojtjes, Gordon England i sugjeron autoriteteve të larta të Shqiperisë, gjatë vizitës zyrtare që kreu të martën në Tiranë.

https://p.dw.com/p/FS9l
Ushtar helmetblu në Tiranë
Ushtar helmetblu në TiranëFotografi: DW / Aida Cama
Vazhdimi i mbështetjes amerikane në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vlerësimi i rolit moderator të Tiranës në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, rëndësia e reformave dhe e ruajtjes se pavarsise së institucioneve jane mesazhet kryesore që Gordon England, Zv.Sekretari amerikan i mbrojtjes u dha dje autoroteteve më të larta të Shqiperisë.

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, me të cilin numri dy i Pentagonit hapi serinë e takimeve në Tiranë, duke përmbledhur temat e bisedimeve i cilësoi ato tepër konstruktive dhe positive për frymën e tyre.

"Të dyja palët konstatuan frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve, vullnetin për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta në reformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, evidentuam edhe klimën positive në rajon, e cila po ndikon në ndryshimin e imazhit të rajonit. Gordon England vlerësoi rolin moderator që Shqipëria luan në garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon," tha ministri Oketa.

Reformat që Shqipëria duhet të vazhdojë të kryejë për t‘u anëtarësuar në NATO dhe për të bërë progres në proceset demokratike dhe në zhvillimin e saj ekonomik, qenë kryefjala e bisedimeve që Gordon England zhvilloi me kryeministrin Berisha dhe Presidentin e Republikes Bamir Topi. Berisha premtoi vazhdimin e reformave dhe u ndal në mënyrë të posaçme në pëgatitjen e kuadrit ligjor dhe infrastrukturës që garantojnë arritjen e standarteve ndërkombëtare në zgjedhjet parlamentare 2009.

" I kërkova Zv. Sekretarit amerikan të mbrojtjes, Gordon England, që të vijnë në Shqipëri vëzhgues nga institucionet kompetente të SHBA për zgjedhjet e vitit 2009," tha kryeministri Berisha.

Garanci për vazhdimin e reformava i dha Zv.sekretarit amerikan të mbrojtjes edhe Presidenti Bamir Topi. Gordon England inkurajoi autoritet e larta të Tiranës për të vazhduar reformat në të gjitha fushat. Ai tërhoqi vëmendjen e tyre në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve duke e quajtur atë "tepër të rëndësishme për ndërtimin e një demokracie dhe ekonomie të fortë."

Vizita e djeshme e Zv.sekretarit amerikan te mbrojtes, Gordon England, u zhvillua pas ratifikimit që Senati amerikan i bëri javën e kaluar Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ajo konsiderohet një sinjal pozitiv i mbështetjes amerikane dhe partneritetit mes dy vendeve.