1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muhammad-Bande Presidenti i ri i Asamblesë së Përgjithshme

Aida Cama
12 Shtator 2019

Nigeriani Tijjani Muhammad-Bande merr pas disa ditësh presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, të cilën do e mbajë për një vit.

https://p.dw.com/p/3PRip
Antonio Guterres und Tijjani Muhammad Bande
Fotografi: DW/A. Cama

Presidenti i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Tijjani Muhammad-Bande, i prezantoi më 11 shtator, letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.

Tijjani Muhammad- Bande, i zgjedhur në këtë post në muajin qershor, ka qenë dy vitet e fundit prezent në Nju Jork si përfaqësues i përhershëm i vendit të tij, Nigerisë, pranë OKB. Ai do të mbajë presidencën e Asamblesë së Përgjithshme në sesionin e 74-të, i cili fillon të martën e ardhshme, më 17 shtator. Duke folur për prioritetet e punës së tij, Muhammad Bande ka vënë theksin tek paqja dhe siguria, ndryshimi i klimës dhe të drejtat e njeriut. Duke patur parasysh se do të drejtojë Asamblenë e Përgjithshme në përvjetorin e 75-të të organizatës, ai ka theksuar se do të punojë për të zvogëluar mungesën e besimit midis shteteve.

Tijjani Muhammad - Bande
Tijjani Muhammad - Bande, Presidenti i ardhshëm i Asamblesë së PërgjithshmeFotografi: DW/A. Cama

Në Asamblenë e Përgjithshme, një nga gjashtë organet kryesore të OKB, përfaqësohen 193 vendet anëtare. Në Asamble ato diskutojnë dhe punojnë bashkë për çështjet ndërkombëtare që lidhen me Kartën e OKB, si zhvillimi, paqja, e drejta ndërkombëtare etj.

Çdo vit në muajin shtator të gjithë anëtarët takohen në Asamblenë e Përgjithshme, në selinë kryesore të OKB, në Nju Jork. Këtë shtator, fillon sesioni i 74 i Asamblesë së Përgjithshme, i cili përfundon pas një viti, më 16 shtator 2020.