1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karsai Vorwürfe

6 Prill 2010

Presidenti afgan Hamid Karzai sa vjen e distancohet më shumë nga Perëndimi, para së gjithash nga SHBA-ja. Ai i akuzon aleatët e vet në luftën kundër terrorizmit për përzierje në punët e brendshme afgane.

https://p.dw.com/p/MoKL
Presidenti afgan Hamid Karzai.
Fotografi: AP

Kohët kur Kabuli dhe Uashingtoni mund t'i besonin verbërisht njëri-tjetrit duket se kanë kaluar me kohë. Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për pafuqi në luftën kundër talibanëve, korrupsionit dhe baronëve të drogës. Presidenti afgan Hamid Karzai e fajëson Perëndimin gjithashtu se përzihet me forcë në punët e brendshme të vendit të tij. Për shembull: Jo ai, thotë Karzai, por "të huajt" i manipuluan zgjedhjet e fundit presidenciale.

Deklaratat kritike ndaj Perëndimit mirëpriten nga afganët

Presidenti afgan dëshiron të tregohet muajt e fundit si politikan i pavarur, që i kundërvihet pa u trembur çdo ushtrimi ndikimi në vendin e tij. Në përputhje me këtë vijë ai kërkoi së fundi në një fjalim para shumë kryetarëve të fiseve në Kandahar, që ofensiva e afërt e NATO-s të kryhej në bashkërendim me të dhe me udhëheqësit e klaneve. Më vonë, në një takim të fshehtë me deputetë, ai thuhet të ketë thënë, se mosrespektimi i ligjeve afgane nga "të huajt" do t'i forcojë edhe më shumë talibanët."

Hamid Karsai NO FLASH
Karzai kërcënon: Operacionet e NATO-s në bashkërendim me kryetarët e fiseve!Fotografi: AP

Tetë vjet pas rrëzimit të talibanëve shprehje të tilla kritike të presidentit mirëpriten nga afganët. Karzai dhe ekipi i tij e dinë këtë. Meqënëse kryetari i shtetit nuk i entuziazmon dot me vepra bashkëatdhetarët e vet, tani ai po e provon me fjalë. Shumë afganë janë të zhgënjyer për arsye të gjendjes së mjerë të vendit, të zhgënjyer para së gjithash prej Perëndimit me amerikanët në krye. Siguri, demokraci dhe një jetë më e mirë iu premtua atyre, por realiteti i përditshëm ka pamje krejt tjetër pas pothuajse një dekade pranie amerikane.

Karzai i pakënaqur me administratën demokrate të Obamës

Megjithatë, presidenti afgan nuk distancohet vetëm për arsye populiste prej fuqisë reale mbrojtëse, SHBA-së. Karzai, që gëzonte besimin e ish-presidentit amerikan George W. Bush, dallon që nuk merr të njëjtën mbështetje prej administratës së re demokrate në Uashington. Presidenti Barak Obama emëroi Richard Holbrooke-un të ngarkuar për Afganistanin dhe Pakistanin. Pikërisht atë politikan amerikan, që Karzai e kritikon publikisht dhe e akuzon për afërsi me Pakistanin dhe rivalin e tij të brendshëm Abdullah Abdullah.

Presidenti afgan zemërohet që rizgjedhja e tij u vu publikisht në dyshim pikërisht prej SHBA-së.

Presidenti afgan Karzai në Pekin tek Hu Jintao.
Presidenti afgan Karzai në Pekin tek Hu Jintao.Fotografi: AP

Më tej Karzai konstaton që politika e tij e pajtimit me forcat radikale në Afganistan nuk gjen mbështetjen e dëshiruar nga ana e administratës Obama. Karzai e di që ka humbur prestigj si tek miqtë edhe tek armiqtë dhe po përpiqet tani të ndryshojë kahjen, jo vetëm me fjalë. Para pak javësh ai vizitoi për të disatën herë Pekinin dhe Teheranin. Me këtë ai do të tregojë se ka edhe miq të tjerë në rajon. Një politikë e rrezikshme, sepse Kabuli e provoi një herë 50 vjet më parë që t'i manovronte superfuqitë kundër njëra-tjetrës: me pasoja katastrofale, që ndihen deri sot.

Por, presidenti afgan e di që sado ta krikojë SHBA-ja, aktualish ajo nuk ka alternativë ndaj tij. Sidoqoftë, ai është presidenti i zgjedhur i popullit afgan. Ta shpërfillë atë plotësisht, këtë SHBA-ja nuk ia lejon dot vetes, sepse Uashingtoni nuk mund të luftojë njëkohësisht kundër Al-Kaidës, talibanëve dhe Kabulit.

SHBA-ja nuk ka alternativë ndaj Karzait

Presidentit Barack Obama nuk do t'i mbetet rrugë tjetër veçse t'i afrohet homologut të tij afgan, së paku publikisht. Rasti për këtë krijohet gjatë vizitës tjetër të Hamid Karzait në Uashington në fillim të majit. Por e këshillueshme për të dy është që të merren më shumë me diplomaci të qetë dhe jo me vringëllitje armësh. Gjendja në Afganistani është larg gjendjes së qëndrueshme dhe njerëzit mezi presin përparime. Grindja midis Kabulit dhe Uashingtonit mund ta rrezikojë seriozisht suksesin e misionit të paqes, me pasoja shkatërrimtare për Afganistanin dhe krejt botën.

Autor: Ratbil Shamel

Redaktoi: Elert Ajazaj