1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thuaj fjalën tënde!

Aygül Cizmecioglu28 Shkurt 2007

Qytetarë nga 27 vendet anëtare të BE-së diskutojnë për herë të parë mbi vizionin e tyre për Europën

https://p.dw.com/p/Ar8j
Fotografi: AP

"Thuaj fjalën tënde!" është motoja. Për herë të parë që prej themelimit të Bashkimit Europian qytetare dhe qytetarë nga 27 vendet anëtare të BE-së diskutojnë mbi vizionin e tyre për Europën. Në të ashtuquajturat "Konferenca Qytetare Kombëtare" ata takohen dhe hartojnë këshilla për politikën. Ideator dhe organizator i këtyre aktiviteteve është një grup fondacionesh private, në Gjermani fondacioni "Robert Bosch". Në fillim të muajit maj, 27 deklaratat do të përmblidhen në një "Deklaratë Qytetare Europiane" e cila do t'i dorëzohet kryetarëve të institucioneve të BE-së në Bruksel. Konferenca qytetare gjermane u zhvillua në fundjavë në Berlin.


"Italinë do të kisha bërë më të gjatë!
- Nëse këtu vendos Norvegjinë atëherë kjo tjetra ku e ka vendin?
- Hungaria ndoshta këtu!"

Të vizatosh një hartë të Europës - pengesa e parë për pjesëmarrësit e konferencës së qytetarëve. Gjermania rezulton tepër e fryrë, Franca shumë e vogël dhe atje ku në fakt duhej të ishin vendet europiano-lindore një boshllëk i madh. Megjithë mangësitë në njohuritë nga gjeografia, 200 burrat dhe gratë janë mbledhur në Berlin për të kuptuar më mirë Europën dhe kontribuar në dhënien asaj formë. Ata janë përzgjedhur me anë të një sondazhi të rastësishëm me telefon. Në rradhët e tyre gjen si pensionistin nga Lindja e Gjermanisë, nxënësin nga Hansa deri tek mjeshtri marangoz nga Mynihu. Njëri prej pjesëmarrësve është Ernst Kuntsmann. Mësuesi madje ka anuluar një festë familjare për të ardhur në konferencën qytetare.

"Ky është një forum ku mund të shkëmbesh mendime. Mund të kontrollosh mendimin që njeriu ka mbi Europën, të ngresh pyetje mbi të dhe të japësh propozime për zgjidhje - e ndoshta politikanët mund të mësonin diçka nga e gjitha kjo."

Model janë edhe pasioni dhe angazhimi me të cilin pjesëmarrësit diskutojnë. Në grupe prej dhjetë vetësh ata janë ulur rreth tryezave të rrumbullakëta. Ngjyra e mbulesave tregon se çfarë teme kanë zgjedhur si pikërëndesë të diskutimit. Ngjyra blu përfaqëson temën "Familja dhe sigurimi social në Europë". Me lapsa të trashë me ngjyrë shkruhen në çështjet kryesore dhe metodat përfundimtare të zgjidhjes shkruhen në Laptop. Christiane Appeldorn ka zgjedhur me vetëdije temën "Familja". Përpara lindjes së tre fëmijëve të saj ajo ishte një manaxhere e suksesshme, sot ajo është shtëpiake:

"Në Gjermani aktualisht gratë janë të detyruara të vendosim mes profesionit dhe familjes. Në vendet fqinje si p.sh. Belgjikë ndodh e kundërta. Aktiviteti profesional i nënës është kusht për përkujdesjen e mirë të fëmijëve."

Më shumë shkolla me kujdestari gjatë gjithë ditës, kujdestari për fëmijët në firma - t'i japësh formë Europës do të thotë të mësosh nga fqinjët. Njëtrajtshmëria dhe transparenca janë dëshirat kryesore të pjesëmarrësve, jo vetëm në Gjermani. Vazhdimisht në një ekran të madh bëhet lidhja me Letoninë dhe Sllovakinë. Atje zhvillohen në të njëjtën kohë konferenca qytetare. Edhe tek dy vendet e tjera anëtare një prej pikave të axhendës është imigracioni në Europë. Një temë gjatë diskutimit të së cilës pasiguria bëhet qartë gjatë bisedave. Në Berlin 22-vjeçarja Carla Rune përpiqet të bindë një pensioniste të moshuar në tryezën e saj se sa e rëndësishme është të sillesh në mënyrë të përgjegjshme me refugjatët. Nga ana e saj vajzës së re i duhet të pranojë se komunikimi është vetëm atehërë i mundur kur njerëzit flasin të njëjtën gjuhë. Pra kurset e gjuhës në Europë duhet të jenë të detyrueshme.

"Meqënëse jam shume re nuk e kam perceptuar asnjëherë me kufinj Europën. Unë kam patur shoqe nga Polonia, nga Franca të cilat i kam vizituar vazhdimisht. Kam udhëtuar shumë nëpër Europë dhe njerëzit i kam konsideruar vazhdimisht si të barabartë. Ndryshimet që vija re më shumë e kanë pasuruar jetën time se sa më kanë frikësuar."

Pikërisht në këtë sjellje të lirshme dhe krejt të natyrshme gjendet shansi i Europës, në këtë pikë pjesëmarrësit në konferencë janë të një mendjeje. Qytetarët kanë hartuar propozime edhe sa i takon temës "klima dhe politika energjitike". Krahas vlerave të ulëta të emetimit të dioksidit të karbonit ata kërkojnë dhe nxitjen e zhvillimit të energjive alternative në të gjithë Europën. Idetë e tyre së shpejti do të bashkohen me propozimet e dala nga konferencat kombëtare qytetare në vendet e tjera anëtare dhe në maj do t'u dorëzohen politikanëve të BE-së. Pjesëmarrsit në konferencën në Berlin janë të bindur se ata dhe mendimi i tyre do të merren parasysh. Për të gjitha ata konferenca qytetare ishte një gjë e re. Për herë të parë ata ndien se Europa, BE-ja, nuk janë vetëm një përzierje skepticizmi dhe malesh të larta me shkresa. Jo, për ta Europa është shumë konkrete dhe prek direkt të ardhmen e tyre.