1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi në Hagë: „Teknikalitetet“ dhe lufta për pavarësi

13 Korrik 2020

Në Gjykatën Speciale për krime lufte u paraqit sot për herë të parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Dita e parë kaloi me shumë paqartësi.

https://p.dw.com/p/3fGkh
Den Haag Anklage Hashim Thaci Präsident Kosovo
Fotografi: DW/A. Bajrami

Data 13 korrik 2020, ora 13:00, por nuk është ditë e premte. Para dyerve të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale paraqitet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i skuqur në fytyrë, gati i shqetësuar. Disa nga dhjetra gazetarët e mbledhur nga Kosova e Serbia (kësaj radhe erdhën shumë pak për shkak të pandemisë Corona), por më së shumti nga Haga dhe Brukseli, ishin të bindur se kanë parë buzën e poshtme të presidentit duke u dridhur. Në dorë mbante një letër të bardhë të shkruar në gjuhën angleze dhe të korrigjuar në disa vende. Shkurt, dhe me një anglishte jo tepër të shkathtë, presidenti tha se ka ardhur në Hagë, në Gjykatën Speciale për krime lufte "për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe kam luftuar: një Kosovë të lirë e të pavarur, të mbështetur tek të drejtat e barabarta për këdo, një shoqëri multietnike dhe sundimi i ligjit”.

Den Haag Anklage Hashim Thaci Präsident Kosovo
Fotografi: DW/A. Bajrami

Gatishmëria për përballje me ligjin

Presidenti Thaçi u shpreh i gatshëm të përballet edhe "me këtë sfidë të re për djalin tim, familjen time, njerëzit dhe vendim tim”, sepse "askush nuk mund ta rishkruajë historinë.”

Thaçi tha se "ky është çmimi për lirinë”, e ai nënvizoi se beson në paqe, në të vërtetën, në pajtim dhe në drejtësi, beson në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është histori suksesi. "Jam shumë krenar për këtë, synimi i Kosovës është antarësimi në NATO dhe BE dhe miqësi e pafundme me SHBA-në”.

Por ajo që po ndodhte dhe po ndodh pas kangjellave të Gjykatës Spoeciale, nuk ishte e qartë për askend. Shumë gazetarë ishin të bindur se marrja në pyetje e presidentit Thaçi nga prokurorët e Dhomave të Spelizuara do të zgjasë vetëm një orë. Disa ishin të bindur madje se mund të përfundojë edhe më shpejt, sepse "presidenti do të mbrohet në heshtje”.

Heshtja e stërzgjatur

Por kjo bindje zbehej nga momenti në moment, ndërkohë që dielli po përcëllonte mbi kokat e gazetarëve dhe të rreth 30 mbështetësve të presidentit dhe të UÇK-së, të ardhur nga Mynihu, Salzburgu, Brukseli, Këlni dhe shumë vende të tjera. Për më shumë se një orë ata i brohorisnin pastërtisë së luftës çlirimitare në Kosovë, të bindur se presidenti nuk ka asgjë të bëjë me krimet e luftës, por pikërisht ana tjetër, pra ajo serbe, është ajo që ka bërë krime.

Niederlande Den Haag | Hashim Thaci, Präsident Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/P. Nijhuis

Por dalë - ngadalë, kjo bindje për heshtjen e presidentit zbehej. Dhe tani gati të gjithë ishin të bindur se presidenti për dallim prej shumë të dyshuarve dhe dëshmitarëve të tjerë të ftuar në Hagë, e të tillë ka pasur rreth 200, kishte vendosur të flasë dhe të paraqes dëshmitë e tij.

Në fund, pas gjashtë orë pritjeje, i dyshuari për krime lufte nga prokuroria, doli para gazetarëve dhe tha shkurt: kam dëgjuar shkëmbime të teknikaliteteve të shumta mes avokatit Prosper dhe prokurorëve. Pra çështje sqaruese dhe teknike, por edhe pyetje fillestare të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndaj dëshmia do të vazhdojë nesër. Ajo që Hashim Thaçi poashtu la të kuptohet pa kurfarë dyshimi ishte se ai nuk do të japë dorëheqje nga posti i tij, pa ngritjen zyrtare të aktakuzës.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë pra dëshminë e tij të martën (14.07) në Hagë, por nuk është e qartë se kur do të përfundojë. Ata që mendonin se do të heshtë u bindën për të kundërtën, por fakt është që nuk do të heshtë as prokuroria, e cila pretendo se ka dëshmi për rreth 100 vrasje, për të cilat sipas saj mbajnë përgjegjësi Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli dhe nëntë persona të tjerë. Por nga Haga thuhet se ka edhe dy aktakuza të tjera të prokurorisë për raste të tjera. Asnjë prej tyre deri tani nuk është konfirmuar nga gjykatësit, e deri në konfirmimin e tyre ato mbeten vetëm pretendime të prokurorisë.