Thaçi e Vuçiq në Bruksel - Zgjidhje e afërt Kosovë-Serbi? | Ballkani | DW | 19.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi e Vuçiq në Bruksel - Zgjidhje e afërt Kosovë-Serbi?

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i serbisë Aleksandar Vuçiq morën pjesë në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jastme Federica Mogherini.

Pas gostisë evropiane (19.12) presidentët e dy vendeve balkanike komentuan letrat dërguar atyre nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Thaçi dhe Vuçiq shprehën edhe qendrimet e tyre të ndryshme lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në të ardhmen e afërt. 

Presidenti i Kosovës tha, se ai mendon që në të ardhmen e afërt mund të arrihet deri te një marrëveshje, një mendim që nuk e ndau edhe presidenti serb Vuçiq i cili mendon se palët nuk janë afër gjetjes se zgjidhjes. 

"Realisht unë shpresoj dhe besoj se marrëveshja mund të arrihet në një të ardhme të afërt. Ky mobilizim i faktorit ndërkombëtar i ShBA-së dhe Bashkimit Evropian është mesazhi më i mirë edhe për ne në Kosovë, se ne duhet të punojmë bashkarisht. Duhet që ky ekip negociator të përgatitet edhe më mirë të krijojë grupet profesionale të komunikojë me qytetarët që të kemi një proces krejt transparent dhe me një përfshirje sa më të gjerë politike”, tha Thaçi. 

Nga ana e tij Presidenti Vuçiq duke komentuar letrën e Presidentit Trump, ku thuhet se "negociatat janë futur në fazën finale” tha se ai nuk pajtohet me këtë. 

"Me këtë unë nuk pajtohem plotësisht dhe nuk mendoj se jemi afër zgjidhjes, por më duket se kjo (letër) tregon që SHBA-ja është e interesuar që të arrihet deri në një marrëveshje çfarëdo që të jetë ajo. A është kjo e mundur a është reale kjo gjë nuk mendoj se është një çështje e lehtë apo thjeshtë”, tha Vuçiq. 

Sa i përket letrës nga Shtëpia e Bardhë Vuçiq shtoi, se ajo flet edhe për dy gjëra të tjera: "E para është se SHBA-ja është e interesuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me një kompromis, e dyta se në këtë është përfshirë edhe kreu i SHBA-së në mënyrë të hapur dhe pa mëdyshje, që do të thotë se një makineri e madhe do ta mbëshesë këtë proces”, tha ai.

Nga ana e tij presidenti Thaçi për letrën e presidentit të SHBA-së tha, se ajo është "shpresë dhe besim për institucionet e vendit. Letra është zëri i Amerikës është mbështetja e plotë unike për Kosovën dhe rajonin. Nëse dikush ka pasur hezitime deri tani për rolin SHBA-së, kjo tregon dhe dëshmon qartë se SHBA është e involvuar në procesin e mbështetjes së plotë të arritjes së një marrëveshjeje Kosovë - Serbi”. 

Vazhdimi i negociatave 

Presidenti Thaçi tha se në këtë vit nuk pret fillim të negociatave, pasi tashmë kanë filluar festat, por ato mund të fillojnë në vitin e ardhshëm. Ndërsa sa i përket tarifës prej 100 për qind ai tha se gjatë drekës janë diskutuar shumë gjëra rajonale pra edhe këto probleme. 

Nga ana e tij Presidenti Vuçiq tha, se ata janë të gatshëm të vazhdojnë negociatat por jo pa u hequr tarifa. "Me rëndësi është se ne nuk kemi ndryshuar qëndrim”, theksoi ai, duke shtuar, se kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe se nuk do të ketë vazhdim dialogu pa heqjen e tarifave doganore. 

Përkundër këtij kushti, Vuçiq theksoi se dialogu nuk ka alternativë dhe se duhet të gjendet nje zgjidhje."Por ne nuk kemi alternativë, veçse të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Nëse nuk gjejmë një zgjidhje të mirë mundet që një zgjidhje e keqe të na gjejë neve dhe të na kthejë 50 apo 100 vite prapa”, nënvizoi ai.

 

Reklamë