1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200808 D Einbürgerungstest

Marlies Schaum1 Shtator 2008

Prej një shtatorit të gjithë të huajt që duan të marrin nënshtetësinë gjermane duhet të bëjnë testin integrues, që do të thotë duhet të dëshmojnë njohuri për Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/F8TC
Pamje simbolikeFotografi: Fotomontage/AP/DW

Rreth pesë milionë të huaj jetojnë në Gjermani më shumë se tetë vjet dhe ende nuk kanë pashaportë gjermane. Qeveria gjermane dëshiron që sa më shumë prej tyre të marrin nënshtetësinë. Para dy vitesh ajo ka harmonizuar ligjin gjerman me atë evropian, që do të thotë se për marrjen e shtetësisë janë futur edhe dy teste të veçanta: dëshmia për njohjen e gjuhës dhe testi për integrimin.

Kush e ka shkruar himnin gjerman?

33 pyetje të zgjedhura rastësisht nga 310 sa përmban testi në tërësi. Secila pyetje ka katër mundësi përgjigjeje. Pyetja e parë është se kush e ka shkruar himnin gjerman: Friedrich von Schiller, Clemens Brentano, Johann Wolfgang von Goethe apo Heinrich Hoffmann von Fallersleben. Përgjigjen në këtë pyetje nuk e dinë as shumë gjermanë. Sidoqoftë përgjigja është Heinrich Hoffmann von Fallersleben! Ndër pyetjet e tjera është edhe se cila e drejtë parashikohet me kushtetutë? Mos është kjo e drejta për të mbajtur armë? Apo e drejta e më të fortit? Ndoshta e drejta e lirisë së mendimit apo ajo e marrjes së drejtësisë në duart tuaja? Përzgjedhja e përgjigjeve ndonjë herë të duket absurde, por përgjigja është e drejta e lirisë së mendimit.

Ausländer in Berlin-Kreuzberg
Gra turke në GjermaniFotografi: dpa

Disa prej temave në këtë test me siguri që janë të arsyeshme. Për shembull, si është i organizuar shteti juridik në Gjermani dhe cilat të drejta dhe obligime ka një qytetar. Ndryshe, mbase edhe nuk është e domosdoshme të dihet se si quhet kancelari apo kancelarja gjermane.

Si e vlerësojnë testin të huajt?

“Quhem Natali, jam 29 vjeç dhe jam me prejardhje ruse. Prej tetë vitesh jetoj në Gjermani." Teorikisht Natalia mund të shkojë në test për nënshtetësi, sepse qëndrimi tetë vjet në Gjermani është një prej kushteve kryesore. Natalia ka studiuar në Gjermani dhe ndërkohë është punësuar, kushte të tjera këto për marrjen e nënshtetësisë. Njeriu pra duhet të ketë mjaft para për të jetuar. Ndërkohë që nuk guxon të ketë kryer vepra të rënda të dënueshme me ligj. Natalia me sy të mbyllur zgjedh një pyetje: “Sistemi zgjedhor në Gjermani është sistem treklasor zgjedhor, sistem i shumicës zgjedhore apo të drejtën e zgjedhjes e kanë vetëm burrat. Kjo e fundit nuk është me siguri. Mendoj se është sistemi zgjedhor i shumicës, pra c.”

E vërtetë. Natalia i di të gjitha përgjigjet, por disa herë ia qëllonte me hamendje. Natalia mendon se testi ka kuptim, sepse njerëzit duhet të dijnë për historinë dhe strukturën e Gjermanisë. Prandaj është me rëndësi të kalojnë një test të këtillë, sepse më pas mund të flasin me njerëzit tjerë dhe mund t'i kuptojnë lajmet.

Përgatitja për testin

Nga 33 pyetjet e obligueshme, duhet ditur të paktën 17. Nëse nuk i di, testi mund të përsëritet sa herë të duash, por secili kushton 25 euro. Ka edhe materiale për të përgatitur testin. Ndryshe, Gjermania nuk është vendi i parë evropian që ka futur një test të tillë. Në forma të ndryshme ai ekziston në Austri, Zvicër, Britani të Madhe dhe Letoni. Kritikët thonë se në disa prej këtyre vendeve, testi është tepër i vështirë dhe se për ta dhënë atë edhe vendorët duhet të përgatiten mirë. Pra duhet ushtruar e më pas me plot zemrën mund të këndohet himni gjerman.