Teroristi ndërkombëtar Johanes Veinrih, bashkëpunëtor i famëkeqit ″Karlos″, shpallet i pafajshëm në procesin e apelit në Berlin | Gjermania | DW | 24.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Teroristi ndërkombëtar Johanes Veinrih, bashkëpunëtor i famëkeqit "Karlos", shpallet i pafajshëm në procesin e apelit në Berlin

Pas më shumë se 20 vjetësh të një serie sulmesh në Francë me pasojë gjashtë të vdekur, terroristi gjerman Johanes Veinrih u çlirua nga akuza për pjesëmarrje në këtë akt. Gjykata e apelit në Berlin gjykoi, se nuk mund të provohej implikimi i 57 vjecarit në atentate. Gjyqtarët argumentojnë, ndër të tjera, se dosja përkatëse e procesit nga Franca nuk është dorëzuar e plotë.

"Dëshmitë ishin të pamjaftueshme për dënim" - kështu u shpreh gjyqtari. Si rjedhojë kuptohet që i akuzuari u lirua. Fjala nuk ishte për ndonjë dosido, por i dënuari prej kohësh në cështje të tjera, terroristi Johanes Veinrih, duhej të përgjigjej përpara gjykatës së Berlinit për tri shpërthime të kryera në fillim të viteve 80 në Francë.

Pothuajse një vit resht gjykata e apelit të Berlinit u përpoq të zbulojë të vërtetën mbi serinë e sulmeve që tronditën Francën në fillimin e viteve 80. Por më kot: dëshmitë ishin të pamjaftueshme, konstatoi gjyqtari Ralf Eheshted duke e shpallur të lirë të akuzuarin. Ndonëse ky vendim nuk i sjell lirinë faktike gjermanit 57 vjecar. Johanes Veinrih, që për vite me radhë konsiderohej si dora e djathtë e kryeterroristit ndërkombëtar "Karlos", është dënuar me burgim të përjetshëm në një cështje tjetër. Në vitin 1983 ai ishte implikuar në atentatin me bombë ndaj ndaj qendrës kulturore franceze "Masion de France" në Berlin. Si pasojë e këtij atentati asokohe gjeti vdekjen një person dhe shumë të tjerë u plagosën. Për shkak të këtij akti të rëndë penal ai nuk mund të llogarisë me një lirim të parakohshëm.

Veinrih e nisi karrierën e tij terroriste në vitet 70 në të ashtuquajturat celula revolucionare në Gjermani, përpara njohjes me famëkeqin venezuelas Ilich Ramirez Sancez, i quajtur "Karlos". Bashkë me shefin e tij "Karlos" Veinrih filloi veprimtarinë në mbarë botën në emër të revolucionit. Në fillim të viteve 80 në valën e akteve terroriste bënte pjesë edhe një lloj lufte private kundër shtetit francez. Qëllimi ishte që të imponohej lirimi i gruas së Karlos, e cila një pjesë të kohës kish qenë edhe bashkëshortja e Veinrih. Një sulm në vitin 1982 në qendër të Parisit i kushtoi jetën një gruaje shtatzënë. Një sulm i dyfishtë në mbrëmjen e vitit të ri 1983 ndaj një treni të shpejtësisë së lartë dhe në një stacion treni në Marsejë shkaktoi pesë të vdekur dhe mbi dhjetë të plagosur.

Prokuroria u përpoq por pa sukses ta rikostruktojë ngjarjen për të bindur trupin gjykues mbi fajin e Veinrih duke u bazuar në dëshmitë e punonjësve të sigurimit të shtetit në ish-RDGj, të dosjeve të shërbimit sekret të ish-RDGj-së dhe në deponimet e një dëshmitari okular nga Siria.

Veinrih dhe ish-bashkëshortja e tij, për lirimin e së cilës ai, sipa sakuzës, organizoi sulmet me bombë, nuk pranuan të deponojnë në gjyq. Sjellja e ish-shefit të Veinrih "Karlos" në sallën e gjyqit që pritej me shumë interes nuk u realizua. Kjo pasi autoritetet e sigurisë e konsideronin si mjaft të rrezikshëm udhëtimin e Karlosit për në Berlin nga burgu në Francë, ku ai po vuan dënimin e përjetshëm. Nga ana tjetër venezuelasi Sancez me pseudonimin Karlos kategorikisht nuk pranoi të dëshmojë nëpërmjet lidhjes me videokonferencë. E pra një kapitull i përgjakshëm nga koha e konfliktit Lindje-Perëndim ka mbetur i pasqaruar.

  • Data 24.08.2004
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5u
  • Data 24.08.2004
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5u