1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Pasojat e katastrofës natyrore në Azinë e Jugut dhe zgjedhjet presidenciale në Ukrainë

2 Janar 2005

Katastrofa e baticës pas tërmetit në Azinhë Jugore ka qenë këtë javë në fokusin e komenteve të shtypit ndërkombëtar. Krahas kësaj temë tjetër e artikujve kryesore të javës kanë qenë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë.

https://p.dw.com/p/ArxN

Lidhur me katatsrofën në Azinë Jugore e përditshmja italiane "LA STAMPA" shkruan: "Përse duket kjo katatsrofë natyrore ndryshe nga të tjerat, përse na prek kjo kaq shumë, ndërsa të tjera tragjedi natyrore: si dhejtra mijëra të vdekur pas tërmetit në Turqi dhe në Iran i kemi harruar menjëherë? Arësyeja nuk ka të bëjë vetëm me faktin, që ky tërmet është një shfaqje e jashtëzakonshme gjeologjike, dhe as me faktin që numri i viktimave është jashtëzakonisht i madh. Arësyeja e tronditjes ka të bëjë më shumë me faktin që kjo fatkeqësi natyrore ka prekur një nga aspketet më të reja të stilit tonë modern të jetesës: turizmin global, që i kapërcen dallimet ekonomike e kulturore", vëren "LA STAMPA".

Gazeta spanjolle "LA VANGUARDIA" duke iu referuar ndihmave ndërkombëtare thekson: "Bota ndodhet përballë operacionit më të madh të ndihmës të organizuar ndonjëherë pas katastrofave natyrore. Ata që janë përgjegjës në OKB paralajmërojnë nga rreziku, se për shkak të përmasave të pallogaritshme të zonave të prekura nuk mund t´u përgjigjesh atyre me ndihma. Asnjëherë më parë OKB-ja nuk është përballur me një detyrë të tillë. Por është e rëndësishme që në këtë proces të jetë dikush që të marrë në dorë drejtimin. Dhe OKB-ja është ajo qëduhet ta marrë mbi vete komandën për operacionin ndërkombëtar të ndihmave", mendon "LA VANGUARDIA" spanjolle.

Në sfondin e valës së gatishmërisë për ndihma austriakja "DIE PRESSE" vëren: "Sa kohë do të mbajë ndjenja e dhimbjes për të prekurit? Një javë, dy javë? Pamjet që shohim ngjallin kudo emocione të forta. Por shumë shpejt ato do të zëvendësohen prej pamjeve të reja. Një fakt ky që tërheq shumë pak vëmendje në botën e shumëngjyrshme të televizionit. Si qëndron puna me ndjenjën e solidaritetit global? Për fat të keq edhe kjo do të zbehet shpejt, ashtu si edhe 11 shtatori pas disa javëve. Por e rëndësishme është tani që të shfrytëzojmë momentin, për aq kohë sa zemrat janë të hapura", komenton "DIE PRESSE".

Gazeta zvicerane "TAGES - ANZEIGER" trajton mësimet që duhen nxjerrë prej katastrofës: "Mos vallë të gjithë të vdekurit kanë rënë viktimë e pakujdesisë? Jo. Masat e ujit i kanë shkatërruar mjaft rëndë vendet e botës së tretë, vende këto që normalisht duhet t´u bëjnë ballë të tjera halleve. Në to mungojnë paratë e rezervuara për t´u mbrojtur nga të papriturat. Një sistem funksionues alarmi ndoshta do të kish mundur të mbronte nga më e keqja zonat e izoluara mirë të turistëve. Ndërsa kuartiereve tw panumërta të të varfërve dhe fshtrave tw peshkatarëve, që u rrëmbyen prej masës së ujit, u mungonte gjithçka nga infrastruktura e nevojshme. Ndaj nuk duhet që për shkak të viktimave në radhët e turistëve evropianë t´u bëhet vërejtje qeverive aziatike", nënvizon zvicerania "TAGES - ANZEIGER".

Duke folur për mësimet që dalin prej katatsrofës, gazeta belge "DE MORGEN" shprehet me skepticizëm: "Mësimi i parë është modestia. Ne mund të ngrejmë në mbarë botën qendra të matjeve sizmiologjike dhe mund ta vëzhgojmë Tokën pandërprerje çdo 24 nga hapësira nëpërmjet dhjetra satelitëve, por me shkencën tonë ne nuk mund ta kontrollojmë kurrë natyrën. Asnjëherë nuk mund ta bëjmë këtë, sepse asgjë nuk është e garantuar, madje as toka, mbi të cilën qëndrojmë ne, gjithçka mund të ndodhë, edhe më e keqja e të këqiave, (...)", parashikon "DE MORGEN".

Gazeta britanike "THE DAILY TELEGRAPH" tërheq vëmendjen për një analizë më të kthjellët dhe mbështet turistët që vazhdojnë t´i kalojnë pushimet në plazhet e zonave të katastrofës në Azinë Jugore: "Ekonomia jostabile e Azisë Jugore pa paundin, pa euron dhe pa dollarin e turistëve nuk mund të lulëzojë. Ndaj ne u bëjmë thirrje lexuesve tanë jo vetëm që të japin donacione me zemërgjerësi, por edhe që të mos ngurrojnë t´i vizitojnë këto vende me bukuri mahnistëse si Tajlanda, Sri Lanka dhe Indonezia. Këtë ata duhet ta bëjnë jo vetëm për kënaqësinë e tyre, por edhe për interesin afatgjatë të popullsisë vendase, që ka vuajtur kaq shumë", bën thirrje "THE DAILY TELEGRAPH".

Lidhur me zgjedhjet presidenciale në Ukrainë një opinion i gazetës britanike "THE TIMES": "Trembëdhjetë vjet pas shkëputjes nga kthetrat imperializmit sovjetik, iu dha fund ndarjes mes Rusisë dhe Ukrainës. Do të jetë e vështirë që Rusia të pajtohet me Ukrainën e re. Por të dy vendet janë të varur prej njëri-tjetrit, një fakt ky që duhet të shndërrohet në burim stabiliteti. Fituesi i zgjedhjeve Viktor Jushenko ka shansin historik për t´i dëshmuar Rusisë, se nuk ka përse të frikësohet prej shtrirjes së institucioneve perëndimore drejt Lindjes", komenton britanikja "THE TIMES".

E përditshmja franceze "LE FIGARO" e konsideron si historike fitoren e kreut të opozitës Viktor Jushenko: "Presidenti i ri jo vetëm që i mbijetoi tentativës për helmim, por tani ai është kthyer në një luan. Ukrainasit kanë zgjedhur jo vetëm një kandidat, por ato kanë vendosur në post demokracinë. (...) Në të vërtetë në Ukrainë gjatë muajve të fundit ndodheshin në luftë kundër njëri-tjetrit nga njëra anë mafia që trëmbej për prenë e saj dhe nga ana tjetër një klasë e re politike që përpiqet ta orientojë vendin drejt kritereve të Perëndimit", nënvizon "LE FIGARO".