Temat: Kisha katolike në perëndim dhe Vatikani, shitja e biletave për kampionatin botëror të futbollit 2006 që zhvillohet në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 23.04.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Temat: Kisha katolike në perëndim dhe Vatikani, shitja e biletave për kampionatin botëror të futbollit 2006 që zhvillohet në Gjermani

Qëndrimi i perëndimorëve ndaj kishës, pohimet e kandidatit të CDU-së,në zgjedhjet e landit të Nordrhein Westfalen, Rüttger të kritikuara në opinionin gjerman, si edhe shitja e biletave për kampionatin botëror të futbollit 2006, janë temat kryesore të shtypit gjerman

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" mbi kishën shkruan: Shumica e njerëzve në Evropën perëndimore i përket akoma kishës së krishterë- shpëtimin e tyre veçse ata e presin, sa kohë që jeta e tyre rrjedh e qetë, nga paraja që i bën të pasur, nga ilaçet që i ruajnë shëndetin. Kishat po humbasin anëtarët e vet, shumë kanë vështirësi financiare. Po qe se opinionistët pyesin për ringjalljen e Krishtiti, trinitetin e shenjtë dhe virgjinitetin e Maries, ata dëgjojnë përgjigje, që janë aq afër kishës, sa ç'është miza e dheut me hënën. Jeta në bashkësinë e krishterë është kthyer në çështje të një minoriteti. Po ta pohosh këtë do të thotë të thyesh tabu, dhe të këshillohesh për të pasur me tepër kujdes publikisht.

Ndërsa "Westfälische Rundschau" lidhur me kishën dhe pohimet e kandidatit të landit Nordrhein Westfalen për CDU, Rüttgers shkruan: Është mirë kur edhe politikanët bazohen në vlera. Por ata duhet të kenë kujdes me vlerësimet që japin,- sidomos të ruhen nga tundimi që t'a shkrijnë fenë në politikën e partisë. Kur Rüttgers konfirmoi superioritetin e modelit të njeriut katolik, nuk lëndoi vetëm ndjenjat fetare të besimtarëve të feve të tjera. Ai injoroi edhe një parim bazë, që qe sanksionuar madje edhe në kushtetutën e Republikës së Vajmarit, që edhe sot vlen por i formuluar ndryshe, se shteti vendos me kushtetutën një kornizë, brenda së cilës gjithësecili është i lirë, të besojë në cilën fe dëshiron. Kjo tolerancë e bazuar në vlera është baza e një bashkëekzistence paqësore në shoqërinë tonë. Veçanërisht asaj i detyrohen ata që kanë përgjegjësi politike. Si mund të bëhet i besueshëm Rüttgers si kryeministër landi, kur atij i drejtohet akuza e njëanshmërisë fetare? Si mund të jetë ai i besueshëm për dialogun kulturor, si mund të ofrojë ai zgjidhje të besueshme në çështje delikate që nga konsultimi për shtatzaninë e padëshiruar deri në mbështetjen e mësimit të fesë në kopshte dhe shkolla? Shefi i CDU-së do të duhet t'i largojë shpejt deklaratat e tij, në vend që të të merret me interpretime të holla para bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të tij.

Gazeta "Mannheimer Morgen" mbi Vatikanin, kishën dhe papën e ri shkruan:
Duket se euforia e zgjedhjes së papës po i jep shumë flatra fantazisë. Nga thirrjet patriotike në gazetën "Bild" "Ne jemi papë" deri tek teza e Rüttgerit se vetëm modeli i krishterë i njeriut
është ai i vërteti dhe i duhuri, duket se mjafton vetëm një hap. Fakti që vlerat dhe normat e shoqërisë sonë perëndimore duhet t'i kërkojmë në rrënjët e krishtërimit dhe fese së hebrejve, nuk na zhvesh nga respekti dhe toleranca përballë komuniteteve të tjera fetare. Ndjenja triumfalizmi dhe superioriteti janë helm për bashkëjetesën. Nuk dëmtojnë askënd sikur të tregojnë pak më shumë thjeshtësi, ata që ngrenë veten, për të nënvlerësuar të tjerët.

Lidhur me shitjen e biletave të kampionatit botëror të futbollit, gazeta "Express" shkruan: Është gjëja më e mrekullueshme që mund t'u ndodhë tifozave të futbollit. Të kenë Kampionatin botëror në vendlindje. Secili do të shkojë në stadium, të jetë pjesë e kësaj feste unikale të sportit. Por duket se shumë duan të nxjerrin përfitime nga festa më e madhe e futbollit. Bileta të personalizuara, shumë kontigjente biletash jepen nëpër firma. Deri më tani flitet vetëm për qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet që të ngrihen ekranë live në ambiente publike. Çfarë ndodh me qytetet e tjera? Me ata që nuk banojnë në qytetin e Këlnit për shembull, po që janë mikpritës entuziastë të kampionatit dhe duan të marrin pjesë në gëzimin e futbollit? Na lejoni të shijojmë së bashku dhe përjetojmë kampionatin botëror. Pa atë cenin tipik për rregullsi totale.

Ndërsa gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung mbi shitjen e biletave për kampionatin botëror shkruan:
620.000 nga 812.000 bileta shkuan në vendin mikpritës të kampionatit pas një llotarie në kompjuter. Në të vërtetë hynë më shumë se 6 milionë porosi të gjermanëve... Gjermanët mund t' kishin thjeshtuar punën dhe shitjen e biletave, t'ja kishin lënë Fifës. Por bordi përreth presidentit të Organizimit të Kampionatit, Franc Bekenbauer, ishte i mendimit se do të dirigjonte vetë këtë punë duke ulur zemërimin e tifozëve dhe arritur më shumë drejtësi. Me të drejtë u kritikua dhe u hoq ndërkohë, ndalimi i ndërrimit të biletës me emër për arsye sigurie. Duket se para kampionatit të gjithë kanë rënë dakord me të keqen më të vogël: Para shijimit të kampionatit ka ende një mal me punë për të bërë.

  • Data 23.04.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arvp
  • Data 23.04.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arvp