1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Hyn në fuqi protokolli i Kiotos. Afera e vizave në Gjermani. Libani pas vrasjes së Haririt

Vilma Filaj-Ballvora16 Shkurt 2005

Në komentet dhe analizat e shtypit gjerman u kushtohet vëmendje e veçantë: protokollit të Kiotos për mbrojtjen e klimës që hyn në fuqi sot më 16 shkurt, aferës së dhënies së vizave gjermane në vendet e Evropës Lindore si dhe situatës në Liban pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri.

https://p.dw.com/p/Arwg
Fotografi: Bilderbox

Lidhur me protokollin e Kiotos e përditshmja "KÖLNISCHE RUNDSCHAU" komenton: "Shtatë vjet pas marrëveshjes së arritur në Kioto më në fund protokolli për mbrojtjen e klimës hyn në fuqi. Arësye për ta festuar? Ndoshta një dolli e vogël. Pas shkëputjes së SHBA dhe qëndrimit ngurrues të Rusisë dukej se nuk do të arrihej numri i duhur i shteteve nënshkruese në mënyrë që protokolli të ishte i vlefshëm. Por tani që kjo u realizua, mund të thuash se është më shumë pasojë e dobësisë ekonomike, se sa e vullnetit politik. Rënimi i të gjithë industrisë në Rusi është shkas për uljen brenda dhjetë vjetësh me më shumë se 1/3 të emisioneve të gazrave në atmosferë. Në këtë mënyrë nën ombrellën e Kiotos Rusia merr një liçencë për të fituar para. Moska shet të drejtat e emisioneve të gazit dhe nevojat për këtë janë të mëdha. Në fund të fundit deri më sot qëllimet për reduktimin e emisioneve të gazit nuk janë arritur në asnjë vend, madje as në BE, me përjashtim të Gjermanisë dhe Britanisë së madhe që kanë bërë disa përparime. E pra vërtetë mjafton vetëm një dolli e vogël për këtë eventiment", vëren "KÖLNISCHE RUNDSCHAU".

Kësaj teme i kushton vëmendje edhe gazeta "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG": "Për fat të keq kërcënimi është mëse i dukshëm. Për këtë nuk ndihmon as dëshpërimi dhe as akuzat kundër mëkatarëve të klimës në shtëpinë e bardhë. Në këtë mes bindëse janë veprat dhe provat konkrete, se mbrojtja e klimës nuk mund të blihet me stanjacionin ekonomik. Shkëndijat e shpresës po vezullojnë në Britaninë e Madhe, në Gjermani dhe në Suedi, ku të paktën mund të thuash, se qëllimet që i ka vënë vetes protokolli i Kiotos nuk janë më utopi. (...) Por një thëngjill optimizmi po ndriçon edhe në Kinë, që synon të tregojë në mënyrë shembullore, se një komb me ambicje të forta është në gjendje t´i shmangë gabimet e parardhësve në Perëndim dhe në Lindje. Për këtë flet fakti që në të ardhmen automobilët në Kinë do të duhet të rrespektojnë vlera më të forta konsumi. Ka shumë gjasa pra që çisterna e rëndë e nisur nga Kiotoja gradualisht do të vihet në lëvizje, atëherë kur pasojat e ndryshimit të klimës nuk mund të fshihen më", nënvizon "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Në artikullin e "STUTTGARTER ZEITUNG" lexojmë: "Mbrojtja e klimës është në interesin primar të të gjithë njerëzve. Askush nuk e dëshiron një klimë të pastabilizuar të shoqëruar nga më shumë katastrofa natyrore se deri më sot. Por ky qëllim është në konflikt me të tjera interesa primare të njeriut: ato ekonomike, politike dhe sociale. Ky konflikt do të bëjë ndoshta që toka të nxehet edhe më shumë duke i tejkaluar normat e parashikuara prej shkencëtarëve, pavarësisht nga ekzistenca e protokollit të Kiotos. E megjithatë është e drejtë që të vendosen marrëveshje të tilla si kjo e Kiotos dhe që ndonëse me mundim ato të vihen në jetë" thekson "STUTTGARTER ZEITUNG".

Lehtësimi procedurës së dhënies së vizave gjermane në vendet e Evropës Lindore nëpërmjet një dekreti të ministrit të jashtëm Joshka Fisher ka ndezur debatin këto ditë në Gjermani. Nga komenti i "KIELER NACHRICHTEN" veçojmë: "Parlametni nuk është pazar, komisioni parlamentar nuk është një kioskë ku qëllohet me shigjeta për të provuar fatin, dhe as ministrat nuk janë kanoçe teneqeje, ndaj të cilëve mund të godasësh me topa tenisi. Komisioni hetimor ka përgjegjësinë politike që të sqarojë qëndrimin e Joshka Fisherit ndaj prcedurës së dhënies së vizave në ambasadat gjermane jashtë vendit. Por kjo nuk do të thotë, se opozita në këtë rast është e çliruar prej çdo lloj përgjegjësie. Këtu është rrezikuar e drejta sublime e parlamentit për të verifikuar punën e qeverisë. Por nëse dikush synon që komisioni hetimor parlamentar duhet të shndërrohet krykëput në një tabelë qitjeje për antarët e kabinetit qeveritar, atëherë kemi të bëjmë me keqpërdorimin e të drejtave të Parlamentit", nënvizon "KIELER NACHRICHTEN" duke pasur parasysh rolin e opozitzës.

Duke komentuar vrasjen e ish-kryeministrit të Libanit Rafik Hariri, gazeta e Bonit "GENERAL ANZEIGER" i referohet konfliktit të Lindjes së Mesme: "Konflikti në Lindjen e Mesme nuk është zgjidhur. Këtë e tregon sulmi barbar në Bejrut, viktimë e të cilit ra ish-kryeministri libanez Rafik Hariri. Askush nuk e di, nëse autorësia do të zbulohet ndonjëherë dhe do të mund të dihet konkretisht se prej ç´grupimi vjen. Por tani e gjithë vëmendja është drejtuar tek Damasku. Iraku, Irani dhe Siria kanë luajtur në prapaskenë qysh pas marrëveshjes së paqes në Oslo. Por Iraku tani të paktë nuk paguan më premie për familjet e atentatorëve kamikacë dhe as nuk furnizon me armë grupet e terroristëve", konstaton "GENERAL ANZEIGER":