Temat: fitorja e Bler në Britaninë e Madhe, 8 Maji dhe kriza qeveritare në Poloni | Studimi në Gjermani | DW | 07.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Temat: fitorja e Bler në Britaninë e Madhe, 8 Maji dhe kriza qeveritare në Poloni

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman janë rezultati i zgjedhjeve në Britaninë e Madhe, përvjetori i fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe situata politike në Poloni.

Mbi rezultatin e zgjedhjeve në Britaninë e Madhe gazeta berlineze "Tageszeitung" shkruan:
"Partia laburiste qeveris përsëri por me nje shumicë të tkurrur thellësisht. Kryeministri Toni Bler nuk mund të qeverisë më kundër partisë së tij. Me një rezultat zgjedhor si ky, parlamenti nuk do të kishte miratuar as luftën në Irak dhe as pagesën për studimet. Që tani të majtët në rradhët e laburistëve po mendojnë se si duhet të organizohen për të ngritur një fraksion bllokadë jozyrtar por të qëndrueshëm. Një opozitë e bashkuar në të gjithë vendin kundër Blerit nuk doli as nga këto zgjedhje por tani ka më shumë mundësi për të shprehur opozitën. Politika në Britaninë e Madhe do të jetë më e larmishme, më lokale dhe e fshehtë. Për Bler ky nuk është lajm i mirë por është i tillë për demokracinë britanike.

Po mbi zgjedhjet në Britaninë e Madhe "Thüringer Allgemeine" nga Erfurti komenton:
"Megjithëse shumë e cilësojnë mashtrues, britanikët i dhanë përsëri votëbesimin Blerit. Në mënyrë pragmatike ata vendosën për partinë që gjatë viteve të fundit u siguroi mirëqënien. Ndërkohë që në Gjermani papunësia arrinte nivelin rekord prej 12,5%, në Britaninë e Madhe ajo ra në 2,7% duke arritur nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit. Rritja e parashikuar ekonomike këtë vit është tre herë më e lartë se në Gjermani. Me një rezultat të tillë edhe kancelari Shrëder mund të tregonte përralla mbi luftën në Irak pa iu frikësuar rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme."

Mbi 8 Majin përvjetorin e 60-të të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gazeta "Aachener Zeitung":
"Lufta e Dytë Botërore u kushtoi jetën më shumë se 55 milion njerëzve. Viktima të marrëzisë së masave dhe rracave, të epërsisë dhe egoizmit, të intolerancës dhe ideologjive. Disa dekada më vonë e dimë se shoqëritë janë të ndjeshme ndaj ideve komplotiste, herë janë hebrenjtë, herë të huajt e herë vëndasit, si dje edhe sot. Si rregjimet totalitare ashtu edhe fanatikë fetarët, të gjithë veprojnë në fabrikat e paragjykimeve. Pra le të fillojmë me këto kur duam të flasim për paqe, tolerancë dhe respekt!"

Mbi të njëjtën temë citojmë nga gazeta "Ostthüringer Zeitung":
"Deri sot vazhdon polemika e pashprehur nëse 8 Maji 1945 ishte një ditë çlirimi apo rrënimi. Sigurisht të dyja janë të vërteta por në rradhë të parë ajo ishte një ditë çlirimi. U çliruan Gjermania, Evropa dhe bota nga tmerri i dhunës sunduese nacionalsocialiste, e cila kreu krime aq të tmerrshme si nuk ishin parë kurrë më parë as në egërsi e as në përmasa. Por u çliruan njëheraz edhe të gjithë ata që nuk ishin në opozitë me fashizmin hitlerian dhe që ndoqën thirrjen e Gëbelit për luftë totale deri në plumbin e fundit. Ata u çliruan nga iluzioni sa absurd aq edhe i rrezikshëm se gjermanët ishin diçka e veçantë dhe mund të sundonin botën nëse dëshironin."

Ndërsa "Mannheimer Morgen" shkruan:
"Natyrisht kapitulli i fajit dhe ndëshkimit ka kohë që është mbyllur. Sot, 60 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore asnjë gjerman nuk ka më mbi ballë shenjën e Kainit sepse në emër të atdheut të tij e zhyti botën në mjerim. Rrallë herë ndonjë vend i ka përpunuar anët më të errëta të historisë së tij me aq vuajtje sa Gjermania. Gjermanët e kanë mësuar mësimin por një gjë nuk duhet lejuar të ndodhë: Lufta e Dytë Botërore dhe kampet e vdekjes të nazistëve nuk duhet të mbulohen nga harresa. Për këtë arsye përkujtimi i 8 Majit është kaq i rëndësishëm: historia nuk duhet të përsëritet. Le të shkaktojnë dhimbje pamjet e tmerrit se ato mprehin vështrimin për Hitlerët e vegjël, për padrejtësinë dhe dhunimin e dinjitetit njerëzor të cilat ndeshen ende në të gjitha skajet e globit. Mëshira e "lindjes së vonuar" egziston por jo e drejta e mosdijes."

Ndërrojmë temë. Lidhur me krizën qeveritare në Poloni, gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:
"Në thelb bëhet fjalë për ndajen e dytë nga pushteti të ish komunistëve. Pas vitit 1989 Polonia pësoi të njëjtin fat si vendet e tjera të bllokut të Lindjes: elitat e vjetra të cilat sapo ishin rrëzuar erdhën përsëri në pushtet pasi zgjedhësit i frikësoheshin më shumë refomatorëve dhe kurave të tyre të dhimbshme se sa xhelatëve të djeshëm. Fillimi i ri përfundoi kështu në një moçal korrupsioni dhe nepotizmi që u ushqye nga të ardhurat e privatizimeve në shuma disa miliardëshe. Në Poloni ndryshimi i elitës mund të bëhet më qetësisht se në Kiev ku protestat e rrugës detyruan ndryshimet. Të gjitha parashikimet për zgjedhjet e ardhshme flasin për shkatërrimin e plotë politik të post-komunistëve. Aleanca e majtë demokratike SLD në pushtet nuk ka fituar kohë të re loje, e shumta një zgjatje të fundit. Sipari po bie!"

  • Data 07.05.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arve
  • Data 07.05.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arve