Temat: Diskutimi për partinë ekstremiste NPD, zgjedhjet në Irak, lidhjet e CIA-as me nazistët | Studimi në Gjermani | DW | 01.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Temat: Diskutimi për partinë ekstremiste NPD, zgjedhjet në Irak, lidhjet e CIA-as me nazistët

Zgjedhjet në Irak, vazhdojnë të dominojnë në kryeartikujt e gazetave të sotme të Gjermanisë. Sa i përket politikës së brendëshme, temë kryesore është diskutimi për mundësinë e ndalimit të partisë ekstremiste të djathtë NPD. Veçojmë gjithashtu edhe një opinion lidhur me të dhënat e fundit të "New Jork Times" mbi lidhjet e shërbimit sekret amerikan, CIA, me Gjermaninë naziste.

default

Nga e përditshmja "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" një citat i komentit mbi zgjedhjet në Irak: "Do të zgjasë derisa të mund të shpallen të dhëna të besueshme për zgjedhjet në Irak; sa kanë votuar, për kë dhe ku kanë votuar? Rezultatet nga një numërim i shpejtë i votave ngjallin mosbesim. Madje edhe në vende me administratë funksionuese nuk do të ishte e lehtë një gjë e tillë, nisur nga numri i madh i listave dhe i kandidatëve. I njëjti mosbesim mund të të ngjallet edhe prej pamjeve të filmuara me nxitim. Punonjës të televizioneve të huaja u lejuan të vizitojnë pesë qendra votimi në Bagdad, katër syresh në lagjet e shiitëve dhe një të sunitëve. E vërteta e thjeshtë është, se fakti që irakianët sfiduan terrorin, flet shumë pak motivet dhe shpresën e zgjedhësve, aq më pak flet kjo për rëndësinë që ka rezultati për të ardhmen e vendit. Një gjë është mëse e sigurt, shiitët kanë votuar për shiitët, kurdët për kurdët dhe sunitët me shumicë i kanë bojkotuar votimet. Në këtë mënyrë për herë të parë janë përcaktuar të çarat fetare dhe kombëtare, që deri më sot mbuloheshin prej politikës", komenton "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Lidhur me diskutimin për rihapjen e procedurës për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë NPD, gazeta "KÖLNISCHE RUNDSCHAU" shkruan: "Deklaratat inkurajuese nga gjyqtarë me funksione drejtuese në Gjykatën Kushtetuese e kanë bërë të kontestueshëm diskutimin për rihapjen e procedurës për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë, NPD. Por ky debat është i tepërt, e madje pasojat e tij mund të jenë të rrezikshme. Dështimi i procedurës së parë të ndalimit e ka fuqizuar ndjeshëm NPD-në. Sot kjo parti e ngre zërin më shumë dhe paraqitet më e vetëdijshme duke përhapur madje mesazhet injoruese të saj ndaj grupeve të caktuara të njerëzve edhe nëpërmjet parlamentit të landit. (...) Megjithatë ai që tenton të paraqitet sërish tek kushtetuesit në Karlsruhe, luan me një rrezik të madh të panevojshëm. Debati anashkalon atë që është më thelbësorja. Edhe sikur NPD-ja të ndalohet, fakt mbetet që ekstremistët e djathtë në formacione të ndryshueshme janë në gjendje t´i flasin një rezervuari të caktuar të elektoratit", tërheq vëmendjen "KÖLNISCHE RUNDSCHAU".

Ndërsa komentatori i "KIELER NACHRICHTEN" thekson një aspekt tjetër të rëndësishëm: "Problemi i partive të etabluara nuk janë aq neonazistët që bërtasin, se sa të rafinuarit funksionarë të tyre me kostume e kravata, të cilët minimizojnë krimet e nacionalsocialistëve duke përdorur krahasime relativizuese dhe gënjeshtra. Këtyre tipave nuk mund t´u mbyllet goja, duke u çjerrë kundër tyre. Ata duhen goditur me argumenta dhe atyre duhet t´u çirret maska. Një konfrontim i tillë është i domosdoshëm, me ose pa ndalimin e NPD-së", thekson "KIELER NACHRICHTEN".

Gazeta austriake "DIE PRESSE" boton sot artikullin me titull "Njollat e murme të CIA-s". Autori merr shkas nga një artikull i botuar më parë në të përditshmen amerikane "New York Times", e cila shkruan, se CIA posedon dhe nuk do t´i bëjë të njohura dosjet e nazistëve të rekrutuar prej saj. "DIE PRESSE" - Citat: "CIA i përgënjeshtron këto akuza, por dikur ajo duhet të përgjigjet për këtë çështje. Sa bashkëpunëtorë me të kaluar të njollososur ka rekrutuar CIA? Kush e ka urdhëruar këtë? (...) Në ç´pozicione janë vendosur këta bashkëpunëtorë? Dhe a janë përdorur pikëpamjet e tyre totalitare në luftën e CIA-s kundër komunizmit? Që shkenctarë, të cilët kanë qenë në shërbim të Gjermanisë naziste, pas vitit 1945 kaluan në listat e pagave të SHBA, kjo ka qenë e njohur. Por tani siç duket këtyre po u shtohen edhe nazistë "më aktivë". SHBA i kanë njollat e murme përpara portës së tyre në Langley. Kundër kësaj ndihmon vetëm një gjë, zbardhja nga misione hisotirianësh, ashtu siç kanë demonstruar shumë vende evropiane. Numrat përkatës të telefonave janë në internet dhe CIA duhet ta bëjë këtë. Uashingtoni ka një problem në pragun e shtëpisë së vet: historianët duhet të shkojnë tek CIA në Langley", konkludon autori i artikullit të austriakes "DIE PRESSE".

  • Data 01.02.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwv
  • Data 01.02.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwv