1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Dhuna në Irak, virusi H5N1 në Gjermani

24 Shkurt 2006

Në Irak është shkallëzuar vala e dhunës pas sulmit në xhaminë e artë në Samarra, një nga pasuritë e shenjta më të rëndësishme të shiitëve në mbarë botën. Temë që analizohet në gazetat e sotme është edhe gripi i shpendëve në Gjermani

https://p.dw.com/p/ArrE

Lidhur me Irakun e përditshmja "Mein Echo" që del në Ashafenburg sulmin në Samarra e sheh në kontekstin historik: "Një akt të tillë të shëmtuar siç është shpërthimi i xhamisë së artë shiite të Samarrës s´ka pasur kurrë në të gjithë historinë islame. Madje as gjatë djegies së Mesopotamisë nga mongolët përpara 750 vjetësh s´ka ndodhur një gjë e tillë. Irakianët shiitë nuk mund t´i pranojnë pa hakmarrje të tilla provokime. I gjithë vendi zien, ndonëse Ajatollahu i madh që jep tonin në vend Sistani e madje edhe radikali, Imami el Sadr, kanë bërë thirrje për qetësi. Lufta civile shiitët kundër sunitëve tashmë është shpallur, trupat pushtuese perëndimore rrezikojnë të hasin midis dy fronteve", komenton "Mein Echo".

Me rolin e trupave pushtuese merret edhe komentatori i gazetës së Bielefeldit "Neue Westfälische": "Eshtë i hidhur shpagimi, për atë që amerikanët dhe aletatët e tyre, patën strategji për luftën, por nuk pati asnjë plan për periudhën pas saj. Madje as që duket ndonjë shenjë se ky vend do të gjejë qetësinë e brendshme. Qëllimi për të siguruar demokracinë, lirinë dhe mirëqenien ka dështuar vajtueshëm. Situata në Irakun e pushtuar është një ëndërr e keqe", thekson "Neue Westfälische".

Mbi përmasat e kësaj ëndrre të keqe gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Ndërhyrjet e ditëve të fundit të fuqive pushtuese treguan, se deri në ç´masë gjendja ka dalë jashtë kontrollit. (...) Shkallëzimi i ri i situatës sinjalizon për Irakun një krizë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjendja mund të degradojë në një luftë civile kaotike, mbetet vetëm shpresa që forcat e matura ta kuptojnë situatën me seriozitet. Por nuk është shenjë e mirë që sunitët i kanë ndërprerë bisedimet për krijimin e qeverisë", vëren "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

"Märkische Allgemeine" e Postdamit komenton: "Ata që shpesh herë cilësohen si kryengritës, nuk janë vetëm për rezistencën kundër pushtuesve amerikanë. Ata synojnë të nxisin me qëllim kaosin dhe luftën civile, për të destabilizuar dhe për të ngritur kundër njëri-tjetrit grupet fetare. Ai që s´trëmbet për të vrarë bashkëatdhetarët e vet dhe për të shkatërruar vendet e shenjta, nuk është luftëtar i lirisë, por një fanatik dhe një terrorist. Megjithatë është e habitshme, që disa karikatura në Danimarkë kanë çuar në një protestë masive në Lindjen e Mesme, ndërkohë që shkatërrimi me gjakftohtësi i një xhamie të pashembullt në histori jep shkas vetëm për disa komente kritike në botën arabe. Perëndimi duke nisur qysh nga Bushi e deri tek OKB-ja dhe kishat janë pozicionuar më me forcë ndaj kësaj", shënon "Märkische Oder Zeitung".

Zëra nga shtypi i sotëm edhe mbi epideminë e influencës haviare tek shpendët në Gjermani. "Berliner Morgen Post" tërheq vëmendjen për të mos krijuar panik: "Nuk ka arësye për firkë të madhe në aspektin ekonomik e madje as nuk duhet të shqetësohemi nga rreziku për jetën. Për shpendët e pularive është në fuqi detyrimi i mbajtjes nëpër stalla. Ndaj rreziku për infektimin e tyre është minimizuar. Sa u përket zogjve, pëllumbave dhe dallëndysheve ekspertët mendojnë, se nuk janë të rrezikuar nga infektimi. E me pak logjikë të shëndoshë njeriu nuk do t´i preknim pa doreza shpendët e ngordhur, për t'a evituar rrezikun. Askush nuk ka përse t´i shmanget shëtijeve pranë liqeneve apo lumenjve të Berlinit e Brandenburgut, apo pushimeve në brigjet e detit Balltik, madje as nuk duhet t´i trëmbemi konsumimit të mishit të shpendëve", shkruan "Berliner Morgen Post".


Gazeta e Kaselit "Hessische/Niedersächsische Allgemeine" komenton situatën duke nxjerrë në pah nevojën e reformës në sistemin e federalizmit gjerman: "Një javë grip shpendësh në Gjermani dhe situata në vend është e ngjashme me atë të kotecit të pulave: kakaritje histerike dhe një tollovi e panevojshme. (...) Zhvillimet e fundit me një këshill komune siç duket të mbingarkuar në ishullin Rygen dhe me një ministri landi në Shverin që mezi u vu në lëvizje, shtrojnë pyetjen, nëse e kanë të gatshme përgjigjen e duhur ndaj një katastrofe të mundshme strukturat federale. A mund të luftohet me sukses një epidemi si gripi i shpendëve që brenda një kohe të shkurtër kapërceu kufijtë kontinentalë, kur të drejtën e fjalës e kanë autoritetet e federatës, ato të 16 landeve si dhe të qindra komunave? Sapo të kalojë breshëri i histerisë kjo temë duhet të mendohet seriozisht", tërheq vëmendjen "Hessische/Niedersächsische Allgemeine".