1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Bashkimi Evropian, zgjedhjet e parakohshme dhe Majkll Xhekson

15 Qershor 2005
https://p.dw.com/p/Arv6
Fotografi: dpa zb

Ndër temat kryesore të gazetave të sotme gjermane është kriza në Bashkimin Evropian. E përditshmja «Der Tagesspiegel» e cila botohet në Berlin, komenton:

"Në dëm të mirëqenjes evropiane, nëpunësit qeveritarë e kanë vënë interesin nacional në rend të parë. Prandaj, për vite të tëra në fushat politike po mbretëron një heshtje. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet krijimi i tregut më të madh në botë, ndërkohë që mungojnë ligjet adekuate për rregullimin e tatimeve dhe elementeve tjerë. Deri sot nuk ekziston ndonjë politikë e jashtme serioze, ndonjë politikë serioze e hulumtimeve, ndonjë politikë për energjetikën dhe shumë cështje të tjera. Vetëm në këtë mënyrë mund të vie deri te konstruksionet groteske për subvencionet agrare në dëm të vendeve në zhvillim ose pwr rabatet absurde ekonomike. Nuk është Evropa në krizë për shkak se qytetarët janë budallenjë, për të kuptuar qëllimet e qeverive të tyre. Përkundrazi: qeveritë po ngurrojnë t'i mësojnë leksionet e domosdoshme të ardhura prej qytetarëve".

Ndërrojmë temë dhe kalojmë në përgatitjet për zgjedhjet e mundëshme të parakohshme në Gjermani. "Stutgarter Zetung" shkruan:

"Nuk është ndonjë pjekuri politike kur përfaqësuesit e unionit kristiandemokrat, me arrogancë flasin për fitoren e sigurt dhe nuk paraqesin ndonjë program serioz. Një këtë moment janë shumë larg njëra tjetrës paralajmërimet për shkurtimet sociale dhe për ruajtjen e të drejtave sociale. Opozita ka paralajmëruar se programi zgjedhor do të prezantohet me 11 korrik, por që tani është e qartë se kinse kompromiset e vitit të kaluar në cështjet e tatimeve dhe të shëndetësisë, nuk ishin kompromise të vërteta".

Zhvillimeve në radhët e opozitës i referohet edhe komentatori i "Wetzlarer Neue Zeitung", i cili poashtu gjenë fjalë kritike ndaj udhëheqësve të saj:

"Shefja e CDU-së Angela Merkel deri tani u ka ikur pozicionimeve të qarta. Në shembullin e zgjedhjeve në landin Nord Rajn Vestfalen Merkel ka mësuar se fitorja mund të shënohet edhe pa fjalë të qarta, në qoftë se kundërshtari është i shtrirë për toke. Po cfarë të bëhet pas fitores? Kancelarja Merkel nuk do të kishte asnjë zgjidhje tjetër, përvecse të vazhdojë kursin reformator të Shrëderit. Merkel do të ketë nevojë për një sukses të shpejtë, në qoftë se nuk e do humbjen e shpejtë në zgjedhjet e mëvonshme lokale".

Për dallim prej këtyre dy gazetave, "Handesblat" më shumë vëmendje i kushton zhvillimeve në radhët e socialdemokratëve:

"Shteti social i tipit të Bizmarkut, për ta është më i rëndësishmi. Kjo shihet me faktin se ashteti social është bërë qendra e fushatës së socialdemorkatëve. Pas kalimit në opozitë kjo nuk do t'u ndihmojë shumë. Avokatë më elokuentë për këtë cështje janë Gregor Gizi dhe Oskar Lafonten. Pa këtë konkurencë, socialdemokratët do të mbijetonin edhe disa dimra. Ndërsa konkurrenca më e fortë mund të shkaktojë përcarjen e tyre."

Një temë interesante për komentatorët e gazetave të sotme gjermane është edhe lirimi i yllit të muzikës pop, Majkll Xhekson. Gazeta «Fränkischer Tag» e Bamnbergut shkruan:

"Se një njeri si Majkll Xhekson nuk jeton me të vërtetë në këtë botë, dëshmon reagimi i tij pas shpalljes së vendimit për lirimin e plotë. Xhekson e krahasonte këtë zhvillim me rënjen e murit të Berlinit. Mbreti i muzikës pop nuk e sheh se kurora e tij kaherë ka rënë për tokë dhe se nga një figurë kulti është shndërruar në figurë talljesh. A thua dikujt i vie keq për rrënimin e tij financiar dhe humbjen e pasurisë në Neverland. Pothuajse askujt, sepse të habit niveli i naivitetit të tij".

Me këtë cështje merret edhe e përditshmja «Esslinger Zeitung»:

"Sikur në vitin 2003 Majkll Xhekson të mos kishte pranuar vet, në një intervistë për televizionin britanik BBC, se me të mitur ka fjetur në një shtrat, ky proces triller për pedofili dhe keqtrajtim seksual nuk do të fillonte fare. Humbësja më e madhe është prokuroria, e cila prej 141 dëshmitarëve, nuk ia doli t'i përzgjedhë më të mirët".

Me tone të ngjashme shprehet edhe komentatori i gazetës "Mannhaimer Morgen":

"Vendimi për lirimin e Xheksonit nuk ishte ndonjë befasi, për shkak se prokuroria nuk gjeti dëshmitarë të besueshëm. Në fëtyrën e tyre shihej se ata kërkojnë dëmshpërblime në vlerë prej miliona dollarësh. Eshtë dëshmuar vetëm se Xhekson mbanë pornografi të lirë në dhomën e tij të gjumit dhe se me shumë dëshirë kohën e tij të lirë e kalon me fëmijë - ditën në parkun e tij ndërsa natën në shtrat. Nuk mund të kuptohet fare se si prindërit i kanë lejuar fëmijët e tyre ta kalojnë kohën me këtë këngëtar. Megjtihatë, nuk është dëshmuar asnjë prej akuzave për keqtrajtime seksuale. Por, nga këto akuza, Xhekson nuk do të mund ta lajë emrin e tij, deri në fund të jetës".