Temë: Vdekja e papa Gjon Palit të II, humbje e madhe për kishën, çfarë do të ndodhë pas epokës së Karola Vojtilës | Studimi në Gjermani | DW | 04.04.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Temë: Vdekja e papa Gjon Palit të II, humbje e madhe për kishën, çfarë do të ndodhë pas epokës së Karola Vojtilës

Komentet e gazetave gjermane përqëndrohen tek figura e Papa Gjon Palit të II, këtij personaliteti të madh, nga më të rëndësishmit e shekullit, që ndërroi jetë ditën e shtunë


Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan:
Bota rri e heshtur. Megjithëse vdekja e papa Gjon Palit të II nuk ishte e papritur, çdo lloj gjykimi mbi pontifikatin e tij është i parakohshëm, i papërshtatshëm. Ishte shumë e dhimbshme vdekja e tij e ngadaltë para syve të gjithë botës. Me cilat parametra do t'a gjykojnë këtë papë dhe periudhën e tij 26 vjeçare? Secili do të vendosë shenjën e tij: Një të shkurtër, një të gjatë, një politike apo religjioze. Njëri protestante, tjetri protestuese. Një mendim i besimtarit apo i ateistit, një i gjermanit apo i evropianolindorit e kozmopolitit. Po kështu do të jenë edhe gjykimet. Për kaq vite dihej kush e përcillte mesazhin e krishtërimit katolik në më shumë se 100 udhëtime ndërkombëtare e apostolike deri në kufijtë e një botë të pakufij por gjithnjë e më të zvogëluar. Tani pa të shumë gjëra janë të pasigurta.

Gazeta Frankfurter Rundschau mbi papën shkruan: Është me rëndësi vendimtare ajo çështje që u kthye në temë qendrore në kohën e papa Gjon Palit të II: Çfarë synon kisha në mbarë botën? Çfarë duan një miliardë katolikë, kardinalët dhe peshkopët e tyre? Formatin historik botëror të papa Gjon Palit të II nuk mund t'a ketë papa i ardhshëm. Por ai mund të përpiqet që të nxisë dialogun mes katolikëve në mbarë botën, dhe kishës katolike me botën. Ndoshta pasardhësi mund të sjellë atë që nuk mundi dot të sillte Karol Vojtila: Kurajon për një Koncil të tretë të Vatikanit. Kjo do të ishte surprizë.

General Anzeiger komenton:
Ky papë ishte një shkëmb. Shumë u përplasën me të, të gjithë mund të mbështeteshin aty. Edhe kur ai si konservativ mbronte colibatin, kur ju mohonte grave ushtrimin e profesionit të priftëreshës dhe kur i detyroi të bindeshin peshkopët gjermanë në çështjen e këshillimit në rast shtatzanie të padëshiruar. Apo atëherë kur kontribuoi dukshëm në çlirimin e Evropës lindore nga sundimi sovjetik, kur ngrinte gjithmonë gishtin për paqen apo kur nuk kishte drojë të kritikonte edhe vetë Amerikën kristiane. Nderimi që ai gëzonte tek gjeneratat e reja në të gjithë botën, lidhet ngushtë me besueshmërinë që ofronte figura e tij. Edhe kur ata më shumë nderonin personin se sa teoritë e tij. Ata e dinin: Ky njeri është i vërtetë.

Gazeta Thüringer Zeitung vlerëson rolin e papës në Lindje:
Papa polak ndryshoi jetën e njerëzve para së gjithash në bllokun lindor, edhe kur shumë nuk donin ta besonin, apo mbetën agresivë deri në fund. Gjermanolindorëve në ndryshim nga popujt e tjerë lindorë pas ngjarjeve të qershorit 1953, ju mungonte guximi të luftonin për më shumë demokraci e liri. Vjeshta e ndryshimit në vitin 1989 erdhi jo vetëm prej Gorbaçovit por edhe prej Karola Vojtilës.

Shtutgarter Zeitung vëren:
Vdekja e papa Gjon Palit të II është një humbje e madhe për kishën. Pamjet e vuajtjes së tij të thellë, tronditëse do të mbeten për një kohë të gjatë në mendjet e të gjithëve, jo vetëm të besimtarëve. Por pas gjithë asaj kohe të respektit të thellë, të cilin ky papë e ka merituar, duhet që në kishën katolike të fillojnë sërish bisedimet. Këto u mbajtën për një kohë të gjatë në favor të teorisë nga lart-poshtë, të komunikimit njëkalimësh. Mjaft çështje kanë mbetur për t'u diskutuar.

Ndërrojmë temë:

Hamburger Blatt shkruan mbi Ministrin e Jashtëm gjerman, Joshka Fisher:Ai që gjithmonë ka qenë elokuent, Ministri i Jashtëm është bërë i heshtur. Por zhurma përreth tij është shtuar. Afera e vizave, donacione të një menaxheri, etj. Tanimë edhe një kryengritje e vogël e diplomatëve të tij. Ndryshimi i procedurës përkujtimore në arkivin vetë Ministrisë për ata punonjës që dikur ka qenë anëtarë të partisë nacionalsocialiste,NSDAP- do të kishte qenë diçka anësore. Në kushte normale një ndryshim i tillë as nuk do të kishte qenë i vërejtur nga opinioni dhe punonjësit do të kishin ruajtur diskrecionin e zakonshëm që kërkon Ministria e Jashtme. Që kjo protestë po ndodh, është më shumë shenjë e agresivitetit e zhgënjimit të grumbulluar prej vitesh, nga vartësit e një shefi resistent ndaj këshillave. Ministra të tjerë në kohë të tjera, për pretekste edhe më të vogla linin karriken.

  • Data 04.04.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arw5
  • Data 04.04.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arw5