Teherani nuk lëshon pe | FOKUS | DW | 01.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Teherani nuk lëshon pe

Reagimet iraniane ndaj vendimit të Londrës për programin bërthamor

Central atomik në Iran

Central atomik në Iran

Konflikti rreth programit bërthamor të Iranit ka hyrë në një raund të ri. Pasi Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA vendosën të hënën në mbrëmje përfshirjen e Këshillit të Sigurimit në këtë konflikt, të martën Irani konfirmoi se do të ndjekë kursin e deritanishëm.

Irani është shprehur pak i habitur nga vendosmëria e papritur e rusëve, kinezëve dhe gjithë perëndimit."Nuk ekziston asnjë bazë ligjore për të na nxjerrë përpara Këshillit të Sigurimit" ka thënë shefi i autoritetit për energjinë bërthamore në Iran Aghazadeh. Edhe mediet iraniane sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë e veçantë. Edicioni i pasdites i lajmeve në televizionin shtetëror i kushtoi fillimisht vëmendje gjerësisht temave të tjera: në hapje janë aktivitetet fetare, shiitët në Iran festuan të martën ditën e parë të muajit të zisë Muharram. Lajmet vazhdojnë me tema të tjera derisa diku nga fundi i vjen rradhë energjisë atomike.

Udhëheqja iraniane ndoshta është e elektrizuar mbi unitetin e ri të perëndimit me ata të cilët Irani i konsideronte në fakt miq të tij: Rusinë dhe Kinën. Por nga jashtë ajo nuk lë të duket asgjë. Moto duket se është: të mos e japim veten dhe asnjë ndryshim kursi. Kërkesën për ndërprerjen sërish të kërkimeve rreth pasurimit të uranit zv/shefi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Javad Vaiidi e ka hedhur poshtë: "Ne në asnjë mënyrë s'mund të heqim dorë nga e drejta e popullit iranian për kërkim dhe zhvillim në programin tonë bërthamor."

Pra Irani nuk lëshon pe, të paktën tani për tani jo. Megjithatë Teherani nuk përdor tone shumë kërcënuese. Vetëm pak ditë më parë Irani kishte kërcënuar se në rast kalimi të çështjes në Këshillin e Sigurimit do të përzinte nga vendi inspektorët e Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe do të fillonte menjëherë me pasurimin në stil industrial. Ali Larijani, kryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurimit, e cilëson kalimin e çështjes në Nju Jork "përfundim të rrugës diplomatike". Por zëvendësi i tij Vaiidi thotë gjithashtu:"Ne bashkëpunojmë me Agjensinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe edhe në të ardhmen do të vazhdojmë bashkëpunim tonë intensiv me inspektorët ndërkombëtarë mbi bazat e marrëveshjeve ndërkombëtare."

Irani thekson edhe se është i interesuar për negociata të reja me europianët por jo pafund. Ende është e mundur një zgjidhje diplomatike, thuhet në Teheran por nuk tregohet se cili është shtegu që të nxjerr nga rruga pa krye ku duket se ka hyrë konflikti.

  • Data 01.02.2006
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgA
  • Data 01.02.2006
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgA