1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teherani kërcënon me sanksione

Peter Philipp24 Janar 2006

Në kuadër të konfliktit për programin atomik të Iranit presidenti Mahmud Ahmadinexhati u bëri thirrje të gjitha shteteve islamike që ta përdorin fuqinë e tyre ekonomike si armë kundër Perëndimit.

https://p.dw.com/p/ArMb
Interesat ekonomike gjermane në Iran janë të mëdha
Interesat ekonomike gjermane në Iran janë të mëdhaFotografi: dpa

Teherani i bën qejfin vetes, në rast se beson, se mund t'i bëjë botës së jashtme presione përmes sanksioneve ekonomike. Dhe nuk duket se deklarata të tilla i beson ndokush seriozisht, sepse sukses një hap i tillë mund të ketë vetëm në rast se me sanksionet bashkohen edhe vende të tjera. Si ishte për shembull rasti i bojkotimit të furnizimeve me naftë gjatë luftës së Izraelit kundër Sirisë dhe Egjiptit, në tetor të vitit 1973. Asokohe thirrjes për sanksione iu përgjigjen shtatë vende të OPEC-ut. Irani poseidon në fakt 10% të rezervave botërore të naftës dhe 15% të gazit. Por për sa kohë me bojkotin iranian nuk bashkohen vende të tjera, kërcënimi do të mbetet një paralajmërim bosh.

Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhani ka kohë që po përpiqet që të fitojë simpatinë dhe solidaritetin e shteteve arabe dhe muslimane. Por deri tani nuk ia ka arritur sa duhet. Shumë prej këtyre shteteve janë po aq skeptike dhe mosbesuese ndaj Iranit, sikurse ka qenë vetë Irani gjithmonë ndaj botës arabe. Për këtë në lidhje me mosmarrëveshjet për programin atomik të Iranit në anën e tij nuk do të jenë as shtetet e vogla në Gjirin Persik dhe as Arabia Saudite. Madje mund të ndodhë e kundërta. Arabia Saudite përshembull e ka ndihmuar Perëndimin me sasi më të mëdha nafte, për të përmirësuar në këtë mënyrë në një farë mënyre reputacionin e saj të dëmtuar disi pas 11. shtatorit.

Eksportimi i naftës dhe i gazit përbëjnë 80% të eksporteve të Iranit. Për këtë Teherani do t'i shkaktonte dëme vetes në rast se do t'i kufizonte këto eksporte. Nga kjo mund ta shpëtonte vetëm ndonjë marrëveshje me Kinën që kjo të blinte ato sasi nafte dhe gazi që nuk do të eksportoheshin në perëndim. Nga ana tjetër edhe në fushën e marrëdhënieve ekonomike reciproke alternativat për Iranin janë të kufizuara. Kështu p.sh. eksportet gjermane në Iran kanë shënuar vitet e fundit një rritje të ndjeshme prej 30%, ndërkohë që në listën e importeve gjermane Irani zë një ndër vendet e fundit. Asnjë firmë gjermane nuk do të hiqte dorë me dëshirë prej tregtisë me Iranin, por nga ana tjetër edhe iranianët do ta kenë të vështirë të heqin dorë nga tregtia me Gjermaninë.

Për këtë arma e bojkotit apo kërcënimet për sanskione mbeten vetëm një instrument i shurdhër me të cilin Irani më tepër i bën dëm vetes. Ajo mund të shërbejë në rastin më të mirë vetëm si kundërpeshë në kontekstin e kërcënimeve me dhunë dhe kundërdhunë. Izraeli dhe Irani i ngrenë me mjete të tilla puplat vetes dhe në këtë drejtim bëri të vetën edhe presidenti francez Zhak Shirak.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank-Walter Steinmeier tërheq vëmendjen kundër "militarizimit të të menduarit". Teherani i përkrah këto fjalë. Pra ende nuk mund të konsiderohet e humbur asgjë.