1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tanja Fajon: Kosova e meriton liberalizimin e vizave

30 Gusht 2018

Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë e të Brendshme (LIBE) të enjten në Bruksel votoi me 30 vota pro, 10 kundër dhe dy abstenime pro liberalizimit të vizave me qytetarët e Kosovës.

https://p.dw.com/p/341KC
Sarajevo Bosnien - EU Integration Fachkonferenz Tanja Fajon
Fotografi: DW/Samir Huseinovic

Të enjten (30.08) u mor një vendim i rëndësishëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. LIBE, Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme votoi sot pro kësaj çështje pas diskutimeve të një dite më parë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar menjëherë. Në statusin e tij në Facebook ai shkroi se "Komisioni LIBE ka votuar pro liberalizimit të vizave. Ky është një lajm i merituar për qytetarët dhe një hap drejt vendimit final nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ne presim që brenda këtij viti qytetarët tanë të lëvizin pa viza në Zonën Schengen."

"Do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator"

Eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon e cila e ka dhënë për votim çështjen në Komitetin LIBE, është shprehur më parë  për Deutsche Wellen se Kosova e meriton liberalizimin e vizave. "Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira."

Megjithëse ende nuk mund të flitet për një datë të saktë për udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës në hapësirën Shengen, eurodeputetja Fajon thekson, se "jemi shumë afër raundit final. Kjo nënkupton të shtojmë forcat të gjithë, por së pari e sidomos me plotësimin e të gjitha kritereve."

DW-Aktion „Wir sind Deutschland“ Lindita Arapi
Lindita Arapi gazetare, moderatore, autore, shkrimtare