Tanin: Rritja e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit rrezikon paqen | Ballkani | DW | 15.05.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tanin: Rritja e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit rrezikon paqen

38 milionë dollarë në vit duhen për të mbajtur misionin e OKB në Kosovë, UNMIK. Prandaj SHBA, Franca dhe Britania e Madhe kërkojnë që nëse nuk i jepet fund UNMIK-ut, ai të paktën të reduktohet.

Vendet në fjalë kërkojnë që raportimet nga baza të bëhen në KS një herë në gjashtë muaj, ose 12 muaj. Por, kjo duket se nuk po ndodh ende. Kështu dje, Këshilli i Sigurimit diskutoi sërish për Kosovën, në një nga takimet që zhvillohen çdo tre muaj, sipas të njëjtës rutinë. Shefi i UNMIK i dërgon raportin Sekretarit të Përgjithshëm, ai ia shpërndan anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët përgatisin fjalimet, për ditën kur KS diskuton me dyer të hapura apo të mbyllura.

Zahir Tanin, shefi i UNMIK, raportoi të hënën (14.05) vetë para KS, duke thënë se tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit janë shtuar duke rrezikuar paqen e qëndrueshme në Kosovë. Ai numëroi arritjet pozitive në Kosovë si demarkacioni me Malin dhe Zi dhe rifillimi i bisedimeve në Bruksel, arritje të cilat sipas tij janë zvenitur nga dhuna dhe konfrontimet midis palëve. Misioni vazhdon të punojë për krijimin e besimit, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit dhe drejtësisë.

Rishikimi i aktiviteteve të UNMIK-ut

Anëtarët e Këshillit diskutuan për të ardhmen e UNMIK. Krahas SHBA edhe Britania e Madhe kërkoi rishikimin e aktiviteteve të misionit. Por, Rusia tha se njoftimet për mungesën e ligjit janë në kontrast të fortë me "pasqyrimin rozë” të situatës nga disa palë. Disa delegatë shprehën mbështetjen për UNMIK dhe thelbin e tij. Përfaqësuesi nga Etiopia, shprehu shpresën se misioni do vazhdojë të promovojë dialogun politik, pajtimin e komuniteteve dhe të sigurojë paqen në Kosovë dhe rajon.

Emrat Oliver Ivanocic dhe Marko Duric, u përmendën nga të gjithë delegatët që morën fjalën në gjuhët angleze, franceze, spanjolle dhe franceze, arabe. Disa aksione prishin paqen e kërkuar për të gjetur zgjidhjen e qëndrueshme thanë delegatët. Disa ngritën shqetësimin për keqpërdorimin e forcës në Kosovë në rastin e Duricit. Disa ngritën shqetësimin për kthimin e ngadalshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Sipas radhës fjalën e morën përfaqësuesit nga Bolivia, Giunea Ekuadoriale, Holanda, Peruja, Kuvajti, Franca, Kina, Kazakistani, Bregu i Fildishtë, Suedia dhe Polonia. Polonia drejtoi takimin, si presidente e radhës.

Ivica Dačić, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Serbisë tha se UNMIK-u ka arritur shumë, por duhet të bëjë ende për dialogun, si e vetmja zgjidhje afatgjatë. Edhe ai është kundër zvogëlimit të UNMIK-ut.

Serbia  kundër, Kosova pro

Vetë Kosova dëshiron që UNMIK t' i japë fund misionit. “UNMIK e ka kryer synimin e vet”, tha Vlora Çitaku. Ajo kujtoi se asnjë nga dorasit që kanë kryer dhunë seksuale gjatë konfliktit nuk është dënuar, ndërkohë që 20 mijë raste janë bërë të ditura për torturë dhe dhunim sistematik. Ajo foli po ashtu për promovimin që Serbia i bën kriminelëve të luftës duke i parë ata si heronj, në një kohë kur vendi është kandidat për BE.

Nëse asgjë nuk ndryshon ndërkohë, takimi tjetër i të njëjtës natyrë pritet të ndodhë pas tre muajsh. Ndryshimi i misionit të UNMIK është pjesë e planit për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë në konfliktin midis Prishtinës dhe Beogradit. Deri tani idetë e zgjidhjes kanë qenë ofrimi i perspektivës së pranimit në BE për Serbinë si shkëmbim për njohjen e Kosovës. Kjo do i hapte rrugën Kosovës të bëhej anëtar i Kombeve të Bashkuara me të drejta të plota.

I pyetur a pritet ndonjë ndryshim i situatës, Farhan Haq, zëdhënës shtypit, i tha Deutsche Welles “shpresojmë që tensionet që kemi përjetuar javët e fundit të mos përsëriten”.