1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tani zyrtarisht: Moska ndihmon separatistët

aud/cw/sc (dpa, afp)22 Dhjetor 2014

Dhjetë autokolona me ndihma ka dërguar Rusia në zonat e separatistëve. Tani një komision qeveritar do të koordinojë mbështetjen për Donbass-in. "Republikat Popullore" të atjeshme i pret një dimër i ashpër.

https://p.dw.com/p/1E8Nw
Mallra ruse per Ukrainen Lindore, 12.12.2014
Fotografi: Vasily Maximov/AFP/Getty Images

Urdhri erdhi nga kryeminstri Dmitri Medvedjev personalisht. Nën drejtimin e Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik, një komision qeveritar do të koordinojë rindërtimin e rajoneve të shkatërruara nga lufta. Në komision marrin pjesë zëvendësministra nga 15 ministri.

Uri, ftohtë dhe mungesë uji

Përballë gjendjes humanitare gjithnjë e më të vështirë në zonën e konfliktit në Ukrainën Lindore Moska e ngre tani ndihmën për rajonet e Donjeckut dhe të Luganskut në nivel zyrtar. Udhëheqja ruse kishte paralajmëruar së fundi vazhdimisht që bllokada ekonomike dhe financiare e zonave të separatistëve përmes udhëheqjes ukrainase në Kiev çon në katastrofë.

Infrastruktura në zonën e konfliktit është e shkatërruar në shumë vende. Aktivistë të të drejtave të njeriut flasin për kushte ekstreme me uri, mungesë ngrohjeje dhe uji. Në mes të nëntorit, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko i ndaloi të gjitha shërbimet e shtetit në zonat e separatistëve. Kjo ka të bëjë me pagesat e shkollave dhe spitaleve si dhe pagesat e pensioneve.

Autokolonë e re me ndihma nga Rusia

Në rajonin e konfliktit pritej të dielën autokolona e dhjetë ruse me ndihma, bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes civile. 170 kamionët, sipas të dhënave zyrtare nga Moska kanë ngarkuar 1400 tonë mallra humanitare. Ukraina i pati quajtur këto ndihma shkelje të të drejtave të sovranitetit të saj.

Ndërsa bisedimet e paqes midis qeverisë së Ukrainës dhe kryengritësve, të planifikuara për të dielën në Minsk, dështuan. Presidenti ukrainas qe shprehur për negociata midis dy palëve të konfliktit. Kryengritësit prorusë e akuzuan udhëheqjen properëndimore të Kievit për bllokadë të bisedimeve.

Veç kësaj, sipas tyre, Kievi e shfrytëzon armëpushimin aktual për të gjetur armë të reja, tha drejtuesi i separatistëve, Alexander Saharçenko. Udhëheqja e Ukrainës shpalli pas kësaj mobilizime të reja në luftë kundër separatistëve në Lindje të vendit.