1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Talibanët mbështesin Trumpin në garën presidenciale

12 Tetor 2020

Në një intervistë me CBS News, grupi militant tha se shpreson që Trumpi të fitojë zgjedhjet e nëntorit. Ndihmësi i Trumpit tha se fushata "e refuzon" mbështetjen e Talibanëve.

https://p.dw.com/p/3jlug
Afghanistan | Donald Trump besucht Truppen zu Thanskgiving
Fotografi: Getty Imags/AFP/O. Douliery

Presidenti i SHBA Donald Trump mori të premten një mbështetje të pazakontë nga Talibanët për ofertën e tij për kandidaturën e tij për t'u rizgjedhur, njoftoi CBS News.

"Ne shpresojmë që ai të fitojë zgjedhjet dhe të përfundojë praninë ushtarake të SHBA në Afganistan," tha Zabihullah Mujahid, një zëdhënës i grupit islamik në një intervistë telefonike për rrjetin amerikan.

Talibanët të shqetësuar për shëndetin e Trumpit

Talibanët gjithashtu u shprehën të shqetësuar për infektimin e fundit të Presidentit amerikan me koronavirus.

"Kur dëgjuam se Trumpi ishte infektuar me COVID-19, ne u shqetësuam për shëndetin e tij, por duket se ai po bëhet më mirë," tha një tjetër udhëheqës i lartë i Talibanëve për CBS News.

Përfaqësues të fushatës së Trumpit u përgjigjën të shtunën duke e refuzuar mbështetjen e grupit.

"Talibanët duhet ta dinë që Presidenti gjithmonë do të mbrojë interesat amerikane me çdo mjet të nevojshëm", tha Tim Murtaugh, zëdhënësi i fushatës Trump për CBS News.

Vota e mbështetjes së grupit islamik vjen një ditë pasi ai mirëpriti njoftimin e së mërkurës të Trumpit se SHBA do të tërheqë të gjitha trupat nga Afganistani deri në Krishtlindje.

Trumpi ka kohë që ka premtuar t'i kthejë ushtarët amerikanë nga Afganistani.

"Ne duhet të kemi në shtëpi deri në Krishtlindje numrin e vogël të burrave dhe grave tona të guximshme që shërbejnë në Afganistan ," shkroi Trump të mërkurën. Njoftimi i tij erdhi vetëm disa javë para se ai të përballet me sfiduesin demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Talibanët e mirëpritën deklaratën e Trumpit

Talibanët e mirëpritën "marrëveshjen dhe e konsiderojnë atë një hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjes midis Talibanëve dhe SHBA", tha një zëdhënës i grupit.

Në shkurt, administrata e Trumpit nënshkroi në Doha një marrëveshje historike me Talibanët, e cila vendosi largimin e forcave të SHBA nga Afganistani pas gati 20 vjetësh.

Qeveria afgane dhe përfaqësuesit e Talibanëve janë duke zhvilluar një dialog në Katar, për të negociuar për një marrëveshje paqeje.

SHBA e pushtoi Afganistanin në vitin 2001 pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe e rrëzoi regjimin e Talibanëve.