Takimi i G-8-ës në Sankt Petersburg përfundoi sot me sukses | Politika | DW | 17.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Takimi i G-8-ës në Sankt Petersburg përfundoi sot me sukses

Për dy ditë e gjysmë me radhë, shefat e shteteve dhe të qeverive të shtatë vendeve kryesore të industrializuara dhe Rusisë folën për shumë tema të politikës botërore dhe të ekonomisë botërore. Hijen mbi takim e hodhi kriza në Lindjen e Mesme

Merkel bisedon me Putinin në samit

Merkel bisedon me Putinin në samit

Atij iu desh të luftonte fort, presidentit rus, Vladimir Putin, në mënyrë që takimi i parë i G-8-ës në vendin e tij të kthehej në sukses. Në fund, ai sidoqoftë e arriti këtë, edhe sepse personat e ulur në tryezën e bisedimeve në pallatin Konstantin ishin të gatshëm, të lëviznin nga pozicionet e tyre: vetëm në këtë mënyrë u arrit, që tetëshja ta kapërcente hijen e saj dhe të dërgonte një mesazh të qartë tek palët e konfliktit në Lindjen e Mesme: fund dhunës, shmangeni gjakderdhjen e mëtejshme. Rënia dakord për dokumentin prej dy faqesh- me fjalë të qarta për rrënjët e dhunës- ishte e rëndësishme për takimin e nivelit të lartë- edhe për mikpritësin e tij.

Ndaj edhe bilanci i Putinit ishte pozitiv: "Ne jemi të kënaqur, që idetë dhe propozimet tona në takimin e nivelit të lartë gjetën miratimin e partnerëve tanë. Dëshiroj të falënderoj kolegët e mi për punën e përbashkët dhe për interesin. Në sajë të kësaj, ne arritëm rezultate shumë të mira. Mendojmë se takimi i nivelit të lartë ishte një sukses."

Vladimir Putini nuk ishte i vetmi me një premierë. Kancelarja gjermane Angela Merkel mori pjesë për herë të parë në një takim të tillë. Ajo la një përshtypje tërësisht pozitive tek kolegët e saj meshkuj, e cila i solli asaj të hënën jo vetëm një dolli për datëlindjen, por edhe një lavdërim për aftësinë e saj negociuese për hartimin e deklaratës për Lindjen e Mesme. Ky ishte një sinjal me të vërtetë i rëndësishëm, që mund të kontribuojë në qetësimin e gjendjes, tha kancelarja dhe lëvdoi vullnetin për të rënë dakord:

"Atmosfera mua m'u duk shumë e ndershme, shumë e hapur dhe përballë problemeve gjigante që kemi, edhe një atmosferë në të cilën nevoja për të rënë dakord më shumë është rritur, se sa është pakësuar."

Kancelarja gjermane mori në Sankt Petersburg shkopin e stafetës. Vitin e ardhshëm, Gjermania do të marrë kryesinë e G8-s, takimi i nivelit të lartë do të zhvillohet në qershor, në llixhën e Detit të Lindjes Heiligendamm. Në këtë vend, sipas dëshirës së organizatave ndihmëse, Angela Merkel duhet të vërë sërish në qendër të vëmendjes luftën kundër varfërisë së përbotshme. Në Sankt Petersburg kjo pikë u trajtua shumë shkurtimisht. Oliver Buston nga organizata ndihmëse DATA:

"Për ne kancelarja Merkel është personi më i rëndësishëm në planet, për të vënë në jetë premtimet, që janë bërë: në mënyrë që fëmijët në Afrikë të kenë mundësi të venë në shkollë dhe të gjithë të sëmurët me AIDS të kenë edhe mundësi kurimi. Sfida për zonjën Merkel është: ajo duhet të mbledhë botën, për të zgjidhur në këtë mënyrë problemet e vendeve të varfra."

Por ajo që kërkohet fillimisht është të shuhet vatra e zjarrit Lindje e Mesme. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan përsëriti në Sankt-Petersburg apelin e tij drejtuar palëve të konfliktit:

"Unë përsërit apelin tim: ruani jetën njerëzore dhe infrastrukturën civile si pajisjet energjitike dhe të komunikacionit. Ne duhet të bëjmë gjithçka në dorën tonë, për të ndaluar vrasjet dhe shkatërrimet."

Konflikti në Lindjen e Mesme - ai ishte një gur prove për takimin e G-8-ës. Por vetëm kur të kenë heshtur armët, atëherë do të dalë në pah, se çfarë vlere kanë me të vërtetë deklaratat e Sankt Petersburgut.

  • Data 17.07.2006
  • Autor H. Böhme
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpA
  • Data 17.07.2006
  • Autor H. Böhme
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpA