Takim për sigurinë e Irakut - Bisedimet e para mes ShBA dhe Iranit pas 27 vjetësh
27 Maj 2007Një takim me simbolikë të lartë - të dyja shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike qysh prej 27 vjetësh. Shkas i ndërprerjes së marrëdhënieve ka qenë marrja peng e 52 shtetasve të ShBA në ambasadën e tyre në Teheran në nëntorin e vitit 1979, pak pas revolucionit islamik. Pengjet u liruan pas 444 ditësh, pasi Uashingtoni premtoi, se nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendëshme të Iranit.
Që prej asaj kohe të dyja vendet nuk lënë t´u shpëtojë rasti për të shprehur indinjatën reciprokisht - Teherani i quan ShBA "satanin më të madh", ndërsa për qeverinë në Uashington Irani është pjesë e "aksit të së keqes".
Kësisoj është e kotë të mbash shpresa të mëdha tek bisedimet e së hënës (28.05) në Bagdat. Këtu nuk kemi të bëjmë me bisedime midis dy shteteve, jashtë axhendës është lënë çështja e programit të diskutueshëm atomik iranian, këtë e kanë theksuar të dyja palët. E vetmja temë bisedimi është stabilizimi i Irakut. Me këtë i shkohet pas kërkesës së qeverisë irakiane, sipas së cilës Irani, vendi më i fuqishëm fqinj dhe forca kryesusese ushtarake në rajon, mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare për sigurimin e Irakut. Pikërisht kjo kërkesë ka bërë që në Bagdat të ulen në një tryezë dy ambasadorë - Hanas Kazemi-Komi për Iranin dhe Ryan Crocker për ShBA. Paradhësi i Crocker-it, Zalmay Khalizad, gjatë konferencës ndërkombëtare për Irakun që u zhvillua në mars në Bagdat i pat nënvleftësuar shanset për këtë takim. Sipas tij ShBA e akuzojnë Iranin se mbështet grupet militante shiite në Irak dhe sulmon ushtarët e ShBA: "Fillimisht duhet të shohim, se ç´ndoh në të vërtetë: nëse vazhdojnë të kalojnë armë përmes kufirit, të jepen ndihma për milicët apo grupet e armatosura. Këto janë çështje mbi bazën e të cilave ne duhet të vlerësojmë qëndrimin e palës tjetër. Kjo ka peshë në periudhë afatgjatë."
Qeveria e Irakut kish pritur më shumë nga kontakti i ministrave të jashtëm të Iranit dhe të ShBA. Por në samitin e Sharm el-Sheikut në fillim të muajt nuk u arrit më shumë veçse një kontakti fare të shkurtër mes Condoleeza Rice-it dhe homologut të saj Mottaki.
Mosbesimi i thellë pengon afrimin. Të dyja palët përpara bisedimeve në Bagdat i dhanë sërish gaz motorrit të propagandës. Uashingtoni nuk do as t´i lirojë dhe as t´i shkëmbejë pesë iranianët e arrestuar në janar në Irak. Për Teheranin ata janë diplomatë, ndërsa për ShBA të dyshuar për terrorizëm. Duke u kundërpërgjigjur edhe Irani arrestoi pesë shtetas të ShBA.
Uashingtoni reagoi me manovrën demontrative në Gjirin Persik. Republika islamike vuri si kusht për vazhdimin e bisedimeve në Bagdat ndryshimin e kursit të politikës amerikane ndaj Irakut.
E pavarësisht toneve diametralisht të kundërta, një diplomat i Teheranit bëri të ditur, se nuk kërkohet tërheqja e menjëhershme të trupave të ShBA, por duhet të ketë një plan. Ndërsa ambasadori i ShBA Crocker sinjalizon, se mund të bisedohet me grupet e armatosura në Irak, nëse ato janë të gatshme të marrin pjesë në procesin poilitik, me këtë ai ka parasysh udhëheqësin shiit me influencë, Muktada al-Sadr, milicët e të cilit mendohet se mbështeten nga Irani. Në këtë drejtim mund të punohet.