1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tahiri: Marrëveshja me Serbinë e domosdoshme

20 Shtator 2018

Intervistë me ministrin kosovar të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për perspektivën e dialogut të Kosovës me Serbinë.

https://p.dw.com/p/35Enl
Abelard Tahiri
Fotografi: DW/A. Shuka

DW: Dialogu serbo-kosovar ka ngecur në vend. Si do të vazhdojë më tutje?

Abelard Tahiri: Është tejet e rëndësishme për të dy shtetet që të arrijmë në një marrëveshje finale që do të jetë e pranueshme për të dy shtetet dhe do t'u hapte të dy shteteve një perspektië për të ardhmen.  Edhe Republika e Kosovës, edhe Republika e Serbisë janë të bllokuara nga njëra-tjetra në axhendën euroatlantike, derisa nuk kemi një marrëveshje të obligueshme për të dyja palët. Ky është një proces që do të vazhdojë. Unë nuk do të paragjykoj përfundimin e këtij procesi, sepse është e pandershme prej anës time. Ajo që është e rëndësishme është që pala kosovare ka treguar një vullnet të madh që të jetë pjesë e dialogut, duke vënë edhe kushtet e saja.

Cilat janë këto kushte?

E kemi thënë edhe herët. Ajo që është e panegociueshme për republikën e Kosovës është sovraniteti i Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk lejojmë, në asnjë formë e në asnjë çmim, të krijojmë asociacione, siç ka qenë pretendimi i shtetit serb, të cilat do të kenë kompetenca ekzekutive dhe do ta cënonin rendin kushtetues në Republikën e Kosovës. Pra, në kuadër të rendit tonë kushtetues si shtet, ne kemi gatishmërinë që të respektojmë maksimalisht e t‘i avancojmë të drejtat e komuniteteve joshumicë, në këtë rast edhe të komunitetit serb, mirëpo duke mos e cënuar kurrsesi kushtetueshmërinë e vendit tonë.

Po integritetin territorial?

Padyshim, e thashë edhe më herët, kjo është një nga çështjet më të rëndësishme, që në asnjë rrethanë e në asnjë moment nuk e negociojmë.

Pra, nuk do të ketë bashkim me Luginën e Preshevës?

Po e them prapë. Nuk dua t'i vë sot epilog këtij procesi. Nuk dua të paragjykoj se çfarë do të ndodhë. Është e rëndësishme që ajo marrëveshje të jetë e respektueshme nga të dyja palët dhe do të hapte perspektivë për vendin tonë dhe për Repubikën e Serbisë në integrimet euroatlantike.

Derisa të arrihet një marrëveshje e tillë mund të kalojnë shumë vite. Si mund të bashkëjetojë Kosova me Serbinë në këtë periudhë? 

Tashmë komuniteti serb në Republikën e Kosovës është integruar jashtëzakonisht mirë. Së fundmi, kishim edhe integrimin e tyre në kuadër të gjyqësorit dhe Republika e Kosovës tashmë ka shtri sovranitetin në gjithë territorin e saj. Ka qenë sfidë funksionalizimi i gjykatave, prokurorive dhe policisë në Veri të Kosovës. Edhe si rezultat i marrëveshjes së Brukselit ne kemi arritur që të funksionalizojmë gjykatat në katër komunat në Veri të Kosovës, ku padrejtësisht qytetarët e asaj pjese kanë qenë të privuar nga e drejta e tyre që t'u ofrohen shërbimet e gjyqësorit dhe të prokurorisë për problemet e tyre.

Kosova nuk e ka arritur ende një konsensus  të brendshëm për çështjen e dialogut. Kur  do të arrihet ky konsensus?

E gjithë klasa politike në Kosovë është dakord për një gjë, që dialogu duhet të vazhdojë. Padyshim që ka dallime edhe ndërmjet klasës politike në çështje të ndryshme. Mirëpo e rëndësishme është që dialogun e përkrahin të gjithë. Është një proces dhe nuk mund ta them sot dhe realisht nuk e di se kur do të arrihet.