1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ta pasqyrojmë Kosovën ashtu siç e meriton" - Kosova në panairin e Frankfurtit

Mimoza Cika-Kelmendi17 Tetor 2008

Në panairin e librit në Frankfurt, Kosova shteti më i ri prezantohet m fuqishëm. I pranishëm në panair ishte edhe ministri i kulurës, rinisë dhe sporteve të Kosovës, Valton Beqiri

https://p.dw.com/p/FbzI
Fotografi: AP

Në sallën numër 6 të panairit të Frankfurtit, është vendosur një stendë shumë e madhe ku shkruhet ”Republika e Kosovës” dhe ku pasqyrohen pamje nga ky vend. Nëpër stenda janë vendosur librat më të fundit nga shtëpitë botuese si: Faik Konica, Dukagjini, Altini, Koha, Instituti Albanologjik dhe nga Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës. I pranishëm në aktivitetet e panairit ishte edhe ministri i kulurës, rinisë dhe sporteve të Kosovës, Valton Beqiri.

DW: Zoti Beqiri si vlerësohet ky aktivitet nga qeveria dhe cilat janë disa nga kontributet e saj që libri të jetë prezent në standartet bashkëkohore?

Beqiri: Kësaj rradhe ne si qeveri dhe si ministri kemi bërë gjithçka që stenda që përfaqëson Kosovën të jetë në këtë panair më e madhe. Ne sigurisht kemi ndihmuar me mjete financiare drejtpërsëdrejti për këtë hapësirë më voluminoze duke pasur parasysh se kemi tashmë një realitet të ri politik. Pra është një shtet i ri që ka nevojë të pasqyrojë vlerën e vërtetë të botuesve kosovarë në këtë panair të librit. Një tjetër arsye që na shtyn edhe më shumë të jemi më prezent këtu në Frankfurt është edhe numri i madh i bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në Gjermani. Pikërisht për këtë ne shfrytëzojmë rastin që bashkëatdhetarëve tanë, fëmijëve të tyre, edhe pse kanë vështirësi në komunikim me gjuhën shqipe dhe me librin shqip, t'ju ofrojmë një mundësi që në këtë panair, në këtë vend, të bëhet një pikëtakimi duke blerë edhe libra nga këto që ofrojmë ne. Kuptohet që panairi shërben tani edhe për lidhjet dhe kontaktet me shtëpitë botuese të huaja që janë prezente këtu në Frankfurt

DW: Por si paraqitet gjendja e librit, me çfarë problemesh përballen botuesit dhe cilat janë disa nga masat që ka marrë ministria e juaj, zoti Beqiri?

Beqiri: Sikurse dihet, libri shqip është në krizë të madhe. Natyrisht, kjo ka të bëjë kryesisht, jo vetëm me lexueshmërinë e librit, por edhe me përfitimet që sjell vetë botimi i librit. Ne megjithatë jemi një popull i vogël, që do të thotë një fuqi e vogël blerëse dhe mendoj se për dallim nga gjuhët e tjera, jo vetëm anglishtja, por edhe frengjishtja apo gjermanishtja, që kanë një numër të madh botuesish dhe lexuesish, kriza e librit shqiptar bazohet në forcën blerëse të popullit shqipëtar. Megjithatë, duke u bazuar tek ky element, ne si ministri po mundohemi që librit shqip t'i ofrojmë të tilla privilegje si shitja e librave pa tatimin mbi vlerën e shtuar, të sponzorizojmë botime të ndryshme, duke i përkrahur shumë autorë për botimin e veprave të tyre. Tani sapo kemi miratuar, në kuadër të Këshillit të Librit që është formuar sivjet në ministrinë e kulturës, mbështetjen financiare për 34 botime në Kosovë. Mendoj se institucioni që unë drejtoj po bën maksimumin.

DW: A zhvillohen aktivitete të tjera për librin në Kosovë apo me vendet e tjera fqinjë, zoti ministër?

Beqiri: Natyrisht bashkëpunimi mes botuesve shqiptarë, qoftë në Kosovë, Maqedoni, në Shqipëri apo në Mal të Zi funksionon. Libra të ndryshëm korrespondojnë mes tyre. Prezantimet e librave janë kthyer tashmë në aktivitete të rëndësishme kulturore kudo nëpër Kosovë. Por një element që duhet përmendur në këtë rast, kur është fjala për bashkëpunimin me shtëpitë botuese, është e drejta autoriale e cila nuk funksionon si duhet dhe nga kjo kemi hezitim të botuesve të ndryshëm ndërkombëtarë apo nga shkrimtarë të njohur që të japin të drejtën e botimit botuesve shqipëtarë. Edhe funksionimi i ligjit mbi mbrojtjen e të drejtave autoriale do të ishte me interes për të ofruar para lexuesve shqiptarë emra të njohur në shkallë botërore si në fushën e letërsisë, të politikës, të shkencës etj.

DW: Zoti Beqiri, sa shërben kultura në komunikimin paqësor mes shqiptarëve dhe pakicave të tjera serbe, turke apo rome?

Beqiri: Duke marrë parasysh gjuhën universale të artit dhe kulturës, padyshim që forca e këtij segmenti jetësor është e madhe për të ofruar mundësitë e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës. Po ashtu arti dhe kultura kosovare është vlera më e madhe dhe më e çmuar që ne mund të ofrojmë për momentin, meqë historikisht dhe ekonomikisht Kosova nuk qëndron në këmbë të shëndosha. Për këtë arsye mendoj se duhet të shfrytëzojmë pikërisht këtë forcë të kulturës dhe të artit që ta pasqyrojmë Kosovën ashtu siç e meriton.