Tërheqja e kryer nga revista Newsweek | Bota | DW | 17.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tërheqja e kryer nga revista Newsweek

Më 9 maj revista amerikane Newsweek publikoi një njoftim, në të cilin thuhej se në kampin e të burgosurve Guantanamo në Kubë ishte përdhosur kurani. Konkretisht shkruhej se një libër kurani ishte shkarkuar në WC. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe katastrofal: në protestat antiamerikane u vranë 17 vetë dhe u plagosën me qindra. Dje revista Newsweek e tërhoqi zyrtarisht shkrimin. Burimi i vetëm i informacionit për përgjegjësit në revistë nuk ishte aq i sigurtë. Peter Philipp komenton.

Me siguri që kryeredaktori i revistës "Newsweek" nuk duhet ta ketë pasur të lehtë të pranonte gabimin dhe aq më shumë që një ditë më vonë të "tërhiqte" artikullin e diskutueshëm. Këtu rrezikohej besueshmëria gazetareske, por edhe tirazhi i lidhur me reklama, vende pune dhe para. Po, tërheqja e revistës "Newsweek" kishte një arsye shumë më të rëndësishme: shttatëmbëdhjetë vetë kishin humbur jetën dhe mbi njëqind ishin plagosur kur si pasojë e publikimeve të "Newsweek"-ut në Afganistan shpërthyen demonstrata dhe protesta të fuqishme.

Në një njoftim relativisht të vogël revista shkruante, se në kampin e të burgosurve Guantanamo-Bay rojet kishin vënë në WC librin e Kuranit, madje në njërin rast edhe kishin shkarkuar. Sipas saj ky ishte përfundimi i nxjerrë nga një hetim i brendshëm i Pentagonit. Raporti me autor njërin prej punonjësve më të njohur të "Newsweek"-ut mbështetej tek deklarata e një informatori anonim, i cili deri më sot ishte dëshmuar si i besueshëm.

Në këtë mënyrë redaksia kishte shkelur njërën prej rregullave më të rëndësishme sipas të cilës informacionet nga një burim i vetëm duhen trajtuar me shumë rezerva. Por më i rëndësishëm është fakti që "Newsweek" si shumë të tjerë në mbarë botën u bë pre e një dukurie krejt tjetër e me më shumë pasoja: informacioni u vlerësua si i mundshëm.

Pas eksceseve në Abu Ghreib dhe përballë sjelljes autokratike të Uashingtonit me të drejtën ndërkombëtare në Guantanamo dhe gjetiu në botë duhet të besoje se ky ishte vetëm një tjetër kapitull i shëmtuar në një histori të pafundme. Për më tepër që herë pas here kishte pasur dëshmi të të burgosurve të liruar, se përçmimi i fesë së tyre dhe edhe i kuranit nga ana e amerikanëve ishin pjesë e pandarë e terrorit psikologjik, të cilit i ishin nënshtruar.

Kur një gjë e tillë konsiderohej e mundshme prej gazetarëve me përvojë të revistës "Newsweek" si do të mendonin për këtë demonstruesit në Xhalalabad, Kabul apo Islamabad. Ata në fakt nuk e kishin lexuar shkrimin, por u desh vetëm një shtytje e vogël që ndjenja e tyre e lehtë e mërzitjes dhe shushatjes të shndërrohej në protestë të dhunshme kundër gjoja shkaktarit: në radhë të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së dyti ndaj mëkëmbësve të tyre në vend: presidentëve Karzai dhe Musharraf. Shtytja u dha nga forcat opozitare, të cilat ishin të vetëdijshme se në demonstrata do të vriteshin njerëz. Sa më shumë viktima aq më e dëmtuar pamja e Uashingtonit, kjo ishte llogaria e tyre.

Këto forca nuk do të çoroditen prej tërheqjes së revistës "Newsweek". Ja që gënjeshtrat kanë jetë të gjatë, siç tregojnë edhe teoritë e ndryshme të përbetimeve pas 11 shtatorit. Të kërkuarit falje, por edhe tërheqja nga ana e revistës "Newsweek" nuk do ta largojnë mosbesimin. Para së gjithash ato nuk mund të ngjallin të vdekurit. Edhe Uashingtoni zyrtar nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Ky mund dhe më në fund duhet të respektojë rigorozisht parimet për të cilat futet në luftë. Shklelje të tilla nuk duhet të duken si të zakonshme, por duhet të jenë sa të papërfytyrueshme aq edhe të papranueshme.

  • Data 17.05.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArPH
  • Data 17.05.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArPH
Reklamë