Të ushtrojmë presion moral | FOKUS | DW | 18.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Të ushtrojmë presion moral

Parlamenti evropian ka vendosur që të emërojë një komision të përhershëm i cili duhet të sqarojë, nëse shërbimi i fshehtë amerikan CIA mban në shtetet evropiane burgje, në të cilat të burgosurit mbahen ilegalisht apo torturohen.

Fluturime të CIA-s në Evropë

Fluturime të CIA-s në Evropë

Një komision të vertetë hetimor me kompetencat përkatëse juridike parlamenti evropian nuk ka mundur të ngrejë. Për këtë shpreh keqardhjen Ewa Klamt, deputetes në fraksionin konservator.


"Në vështrim të parë një komision hetimor është më i vendosur, por shërbimi ynë juridik na ka njoftuar, se kjo nuk është e lejueshme. Sepse atëherë do të kishte të bënte vetëm me të drejtën e bashkësisë evropiane, por ne flasim këtu për CIA-n, për njerëz, të cilët është e qartë se nuk bëjnë pjesë në Evropë."


Kështu mbetet tek një komision normal parlamentar, që mund të ushtrojë ndikim vetëm moral tek qeveritë e shteteve anëtare, apo tek kandidatët për pranim.

Ewa Klamt thotë:"Natyrisht që ne kemi mundësinë, të ftojmë dhe si Këshilli Evropian t´u shkruajmë dhe të ftojmë shtete anëtare. Por fundja askush nuk është me të vërtetë i obliguar të paraqitet. Kondoleza Rice siç duket nuk do të jetë e ftuar prej nesh."

Ministrja e jashtme e SHBA-ve në një vizitë në Bruksel në dhjetor pat bërë të qartë, se CIA ka transportuar të burgosur me avionë nëpër Evropë. Kjo ka ndodhur me aprovimin e shteteve përkatese, tha Rice, dhe është një procedurë e zakonshme që prej shumë vitesh. Megjithatë të dyshuarit për terrorizëm nuk janë sjellë në vende, ku janë torturuar.


Nëqoftëse del që njoftimet e "Uashington Post" dhe të mediave të tjera kanë qenë të vërteta dhe shtetet e veçanta të BE-së kanë mbështetur CIA-n në aktivitetet ilegale, duhet të dënohen qeveritë kombetare. E mundshme do të ishte një heqje e përkohshme e së drejtës së votës në këshillin e ministrave, në forumin më të madh vendimmarrës të Unionit. Kandidatet për pranim si Rumania, Bullgaria, apo Maqedonia mund të dënohen me shtyrjen e pranimit, thotë Eva Klamt, deputetja evropiane konservatore.


"Unë jam e mendimit, se nëqoftëse konstatohet kjo, duhet ta sqarojmë me të vërtetë, se ku ndodhet ky vend dhe a mund të hyjë tani në BE."

Deputeti i ekologjistëve Cem Ozdemir, mendon nga ana e tij, se nuk duhen marrë në shqyrtim vetëm kandidatët për pranim, por edhe disa nga 25 shtetet anëtare janë treguar kooperativë dhe janë bërë keshtu të dyshimtë.

"Këtu nuk është fjala, që të tregojmë me gisht mbi vendet e veçanta, por këtu është fjala që të gjitha vendet duhet të kenë interes që ne të nxjerrim prej kësaj konsekuenca, për të penguar gjera të ngjashme në të ardhmen."


Se çfarë ka ditur qeveria e mëparshme gjermane për aktivitetet e CIA-s në vendin e saj, apo çfare ka lejuar, nuk do të shqyrtohet vetëm nga parlamenti evropian, por në rradhë të parë nga parlamenti gjerman. A pret deputeti i ekologjistëve evropian Cem Ozdemir surpriza.

"Këtë nuk e di. Është e qartë në momentin e tanishëm që nuk do të ruajmë dot askënd. Këtu nuk është fjala, që një palë ka të drejtë dhe një palë nuk ka. Fjala është thjesht se ne kemi marrëveshje të përbashkëta, të cilave duhet t´u përmbahemi të gjithë."

Në periudhën e kaluar legjislative parlamenti evropian ka ndjekur me vëmendje SHBA dhe i ka hetuar në një komision praktikat e marrjes në pyetje të shërbimeve sekrete amerikane në të ashtuquajturën afera Echolon. Rezultatet e tyre nuk kanë bërë jehonë shumë të madhe, thotë deputetja e UKD-së Eva Klamt.

"Sigurisht që nuk është dhënë ndonjë dënim, por ne i kemi treguar qytetarëve dhe qytetareve tona, se nëqoftëse diçka e tillë shtrohet për hetim, atëherë do të shohim me vëmendje. Ne kemi parimet tona të shtetit juridik, lirisë dhe demokracisë dhe duan që të gjithë qytetaret dhe qytetarët ta dinë se ne i respektojmë."

Paralelisht me parlamentin evropian edhe organizata "Këshilli i Evropës" e pavarur nga BE shqyrton sjelljen e shteteve të saj anëtare në të ashtuquajturën aferë e CIA-s. Informuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, do të paraqesë në fund të javës së ardhshme rezultatet e para.

  • Data 18.01.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgV
  • Data 18.01.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgV