Të heqim një minë që të ruajmë një jetë njeriu | Ballkani | DW | 14.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Të heqim një minë që të ruajmë një jetë njeriu

Bisedë me Arben Brahan, drejtor i AMAE-së, zyrës së veprimit kundër minave në Shqipëri

Minakërkues

Minakërkues

Deutsche Welle: Sipas njoftimeve zyrtare në fund të 2006 mendohen të mbyllen punimet e pastrimit nga minat për zonat me prioritet të lartë dhe në 2009 të përfundojë i gjithë çminimi. Cili është bilanci deri tani, sa pjesë e territorit është pastruar dhe sa e sigurtë është?

Arben Braha: Siç jeni në dijeni rreziku i minave dhe municioneve të paplasura rrjedh nga konflikti i Kosovës dhe përfshin 120 km vijë kufitare midis Shqiperisë dhe Kosovës, nga Shishtaveci në rrethin e Kukësit deri në kufirin me Malin e Zi përballë Plavës dhe Gucisë. Nga survejimi i bërë nga forcat e armatosura shqiptare në vitin 1999 u identifikuan rreth 102 fusha të minuara dhe disa fusha beteje që zënë një total prej 15 milionë metrash katrorë.

Deutsche Welle: Me çfare lloj minash ka qenë kryesisht i kontaminuar territori verilindor i Shqipërisë?

Arben Braha: Si rezultat i vëzhgimit të bërë nga ushtria shqiptare rezultoi që territori ishte i infektuar me mina të vendosura me dorë, mina antipersona dhe mina antitanke dhe një situatë tjerë si rezultat i predhave të artilerisë dhe municioneve të hedhura nga ushtria serbe.

Deutsche Welle: Minat antipersona janë të ndaluara në baze të marrëveshjes së Otaves të vitit 1997. Edhe Shqipëria e ka nënshkruar këtë marrëveshje, cilat obligime duhet të përmbushë?

Arben Braha: Sçic jeni në dijeni Shqiperia ka nënshkruar këtë traktat që në prill të vitit 2000. Dhe menjeherë që në vitin 1999 kanë filluar projekte për zbatimin e detyrimeve të traktatit të Otaves. Këtë doja ta ndaja në dy faza. E para ka qenë zbatimi i nenit katër të këtij traktati, që parashikon asgjësimin e të gjitha minave antipersona, që dispononte ushtria shqiptare në depot e saj. Ky projekt ka filluar me 15 janar 2001 i financuar nga donatorë të ndryshëm të kryesuar nga Kanadaja. Ushtria shqiptare, përmes Natos ka kontaktuar një kompani që quhej Namfa, e cila vazhdoi projektin që nga 15 janari 2001 deri në prill 2002. Afati i traktatit të Otavës ishte 4 vjet dhe Shqipëria përmes këtij projekti e zbatoi atë dy vjet para afatit duke asgjësuar një sasi minash prej 1,6 milionë në depot e ushtrisë, duke shfrytezuar ish uzinat ushtarake siç është ajo e Mjekësit në Elbasan. Me pajisje, që u sollën nga kjo kompani Namsa u arritën që të çmontoheshin dhe të asgjësoheshin të gjitha minat antiperson që dispononte ushtria. Së dyti në bazë të artikullit pesë të këtij traktati Shqipëria detyrohet të pastrojë të gjitha minat brenda territorit të saj. Në bazë të këtij artikulli Shqipëria ka filluar programin e veprimit ndaj minave që në vitin 1999, duke krijuar një komitet për menaxhimin e kësaj situate të drejtuar nga ministria e mbrojtjes dhe me rolin e vëzhguesit donator të përfaqësuesve të ambasadave, që ndodhen në Tiranë. Nderkohë u krijua edhe zyra e koordinimit të AMAE-së, që ka për detyrë kontrollin dhe koordinimin dhe kontrollin e gjithë kësaj veprimtarie.

Deutsche Welle: Cilat organizata kanë ndihmuar financiarisht apo me dergim ekspertesh?

Arben Braha: Në bazë të koordinimit të AMAE-së dhe komitetit u bë një sensibilizim i mirë i donatoreve, qofte brenda vendit qofte jashte vendit. Që nga viti 2000 departamenti i shtetit amerikan ka filluar financimin e programit tonë duke bërë të mundur që të fillojë cminimiet direkt kompania Ronko, kompani amerikane, pastaj e pasuar nga kompania zvicerane, kompania gjermane dhe më vonë kompania daneze. Që nga ajo kohë kanë vepruar keto kompani nderkombëtare, duke punësuar operatore vendas. Deri më tani rezulton një siperfaqe e pastruar mbi 12, 5 milione mq që do të thotë rreth 82% e siperfaqes totale të kontaminuar.

Deutsche Welle:Sa të vdekur apo të plagosur ka patur në zonat e infektuara nga minat në popullsinë civile?

Arben Braha: Që nga viti 1999 fatkeqësisht ka patur të dëmtuar dhe të vrarë, 238 kemi patur të plagosur dhe 34 persona të vdekur. Një e treta e tyre të moshës së vogel, fëmijë.

Deutsche Welle: Infrastruktura shëndetëesore në zonën verilindore të Shqiperisë nuk është aq e përshtatshme për të dhënë ndihmën urgjente në raste aksidentesh të rënda, siç janë minat. Si veprohet në keto raste?

Arben Braha: Siç e përmendet edhe ju. Situata e spitaleve nuk ka qenë e mirë që në vitin 1999 dhe jemi detyruar që të përdorim spitalet në anën tjetër Gjakove dhe Prizren, por si rezultat i programit të veprimit ndaj minave, financuar nga donatorë të ndryshëm kemi bërë të mundur, që të rrisim nivelin e kapaciteteve të spitaleve tona e sidomos spitalit rajonal i Kukësit, ku kanë financuar prej dy vitesh qeveria amerikane me pajisje kirurgjikale dhe trajnime për personelin. Ndërkohë kemi shikuar edhe trajnimin e të gjithë personelit mjekësor në 39 fshatra, kemi patur një projekt të financuar nga qeveria britanike të implementuar nga UNDP-ja dhe kemi arritur, që të ndërtojmë dhe një qendër riparimi të protezave në Kukës, pasi dihet në vend kemi vetem një qendër kombëtare, e cila është e atashuar pranë spitalit ushtarak në Tiranë dhe kjo qendër e riparimit u ka ardhur në ndihmë të dëmtuarve me proteza pasi dihet se nga Kukesi, Tropoja është një distancë e largët për të udhetuar në Tiranë.

Deutsche Welle:Çfarë behet me viktimat e minave, me ata që kanë mbijetuar aksidentet, a rintegrohen në punë dhe në shoqëri dhe si?

Arben Braha: Në fillim jemi marrë që t´i pajisim ata me proteza. Por duke parë gjendjen e spitalit ushtarak në Tiranë jo në kushte të mira kemi bashkëpunuar përmes fondit ndërkombëtar në Slloveni duke i dërguar ata çdo vit 26 deri 30 persona në institutin e rehabilitimit në Slloveni. Ndërkohë po shikohet mundësia e rritjes edhe e ndërtimit të kapaciteteve në këtë qendër. Kemi përgatitur një projekt të përbashkët. Ministria e mbrojtjes dhe ministria e shëndetësisë, dhe donatorë të ndryshëm janë shprehur se do ta financojnë me pajisje moderne këtë qendër ortopedike. Muajin që shkoi një shoqatë lokale në Kukes ka zbatuar projekte të ndryshme sipas individëve duke i trajnuar ata për radioteknikë, berberë, kurse kompjuterike, në mënyrë që të jenë të aftë për t´u integruar në jetën sociale në komunitetin, ku ata jetojnë.

Deutsche Welle: Organizatat per pastrimin e minave të vendeve të ndryshme të rajonit të përfshira dikur në luftë bashkëpunojnë sot me njera-tjetrën. Vendet e veçanta i kanë vënë para disa vjetësh kundër njëri-tjetrit. Si përjetohet sot bashkëpunimi?

Arben Braha: Që në vitin 2001 nëpërmjet fondit të besimit ndërkombëtar në Slloveni AMAE-ja u integrua në komitetin rajonal të veprimit ndaj minave dhe ku bëjnë pjesë Bosnja, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova. Domethënë që nga ai vit kemi filluar bashkepunimin në nivel teknik duke këmbyer informacione dhe duke shikuar teknikat, pasi minat thuajse janë të njëjta në rajonin tonë, janë ata të ish ushtrisë jugosllave. Niveli i bashkëpunimit ka ardhur në rritje nga viti në vit. Kemi patur një bashkëpunim të mirë me Malin e Zi, ku ka një qendër rajonale për çminimin nën ujë, kemi bërë trajnimin e disa ekspertëve të ministrinë e mbrojtjes dhe të rendit. Në muajin gusht kemi bërë një vëzhgim teknik të kufirit të përbashkët Shqipëri-Mali i Zi. Kemi plane dhe në mbledhjen e kaluar të Seemacut, që u mbajt në Maqedoni më datë 25 po shikojmë bashkëpunimin për të ardhmen. Në 2007 dë të trajnojmë ekspertë në qëndrën e Malit të Zi, ndërkohë do të përdorim qenë minakërkues nga qëndra rajonale e Bosnjes do të bëjmë një vizitë të përbashkët Shqipëri-Kroaci për të vizituar qendrën kroate, pasi është një qendër moderne e koordinimit të veprimit ndaj minave. Do të shikojmë, që ta vizitojmë ate nga delegacioni shqiptar, do të kemi bashkëpunim me Maqedoninë për të shikuar sidomos kontaminimin me municione në liqenin e Ohrit. Do të vazhdojë patjetër bashkëpunimi me Kovosën, që kemi çdo muaj.


Deutsche Welle: Bashkëpunimi kryhet edhe me më entuziazëm, kur punohet në të mirë të çështjeje humane si është shkatërrimi i minave.

Arben Braha: Duke qenë se niveli i bashkëpunimit ka qenë thuajse teknik për ne operatorët dhe specialistët e minave, për ne nuk ka politikë. Misioni ynë është të heqim një minë, që të ruajmë një jetë njeriu më shumë dhe ky ka qenë motivi ynë.

Deutsche Welle: Kërkimi dhe shkatërrimi i minave nuk është punë e parrezikshme. Çfarë motivesh e shtyjnë një minakërkues të kryejë këtë punë?

Arben Braha: Siç dihet kjo është një punë nga më të vështirat, puna e çminimit. Së bashku me kompanitë ndërkombetare të çminimit kemi bërë një punë të mirë mbi selektimin dhe punësimin e personave tepër të aftë dhe sidomos në gjendje shëndetësore të mirë. Në kompanitë e çminimit janë integruar ish ushatarake, policë të dalë në reformë. Sic jeni në dijeni papunësia në rajonin e Kukesit është tepër e lartë dhe të gjithë aplikojnë për të pasur një burim financiar për burim jetese, por këto persona duke jetuar vetë në këto zona janë të motivuar, se po shikojnë se me dorën e tyre po pastrojnë vdekjen e mbjellur dhe ndërkohë pas pastrimit shikohet se fshatarët janë në gjendje t´i përdorin këto zona qoftë për bagëti, qofte duke i punuar ata dhe rezultatet tona shikohen se janë tepër, tepër të vlefshme për jetën e njerëzve, që jetojnë në këto zona.


  • Data 14.11.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArbC
  • Data 14.11.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArbC
Reklamë