1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tërheqja e Myntefering dhe Shtojber- pengesë për bisedimet e koalicionit

Deutsche Welle2 Nëntor 2005

Deklarimi i kryetarit të partisë socialdemokrate (SPD), Franc Myntefering për t´u tërhequr nga posti si dhe tërheqja e kreut të kristjansocialëve (CSU), Edmund Shtojber nga ambicjet për post ministror në Berlin, janë tema më e komentuar në shtypin e sotëm. Kriza e socialdemokratëve dhe largimi i Shtojberit po reflektohen me zvarritjen e bisedimeve të koalicionit.

https://p.dw.com/p/Art4
Kohë të vështira për Partinë Socialdemokrate
Kohë të vështira për Partinë SocialdemokrateFotografi: AP
Një citat nga komenti i "Kieler Nachrichten": "Pa Shtojberin dhe Myntefering kolaicionit të madh i mungojnë dy shtyllat kryesore. Angela Merkel është duke marrë në sy një rrezik të madh, për faktin që edhe pas tërheqjes së tyre i përmbahet aleancës së fokusuar. Dilema e saj është, se ajo nuk ka asnjë alternativë. Koalicioni me liberalët dhe ekologjistët është po aq ekzotik sa edhe më parë. Krijimi i një qeverie minorance të përbërë nga kristjandemokratët dhe liberalët nuk është as i mundur dhe as nuk do të nxirrte gjë në dritë. Zgjedhje të reja? Ato do të shërbenin si hapja e zemrës së politikës tek zgjedhësit duke pranuar: ne nuk dimë nga t´ia mbajmë, mos ndoshta ju (zgjedhësit) e dini përgjigjen? Me ose pa dëshirë Merkelit i duhet të vazhdojë të negociojë. Ajo duhet të shpresojë, që diku do të ndizet ndonjë shkëndijë optimizmi. Në fund të fundit situata e saj nuk është më komode se ajo e socialdemokratit Myntefering.

E përditshmja "Sächsische Zeitung" komenton: "Kaosi që ka përfshirë aktualisht partitë do të ishte gjysma e së keqes, nëse prej saj nuk do të rrezikohej kaq shumë. Që kur më 22 maj kancelari, Gerhard Shrëder shpalli zgjedhjet e reja, në politikën gjermane praktikisht ka pllakosur paraliza. Ka më shumë se pesë muaj që qeveria pothuajse nuk mund të marrë asnjë vendim. Nëse ndokush ngre zërin tani për zgjedhje të reja, duhet të mendohet mirë: Zgjedhjet e reja formalisht do të ishin të mundura vetëm pas disa javësh, për të mos thënë ndoshta pas disa muajsh. E po të kemi sërish një rezultat si ky i 18 shtatorit, atëherë s´do të fitonim asgjë, përkundrazi do të humbinim kohën që është aq e çmuar për të vepruar. Çdo ditë që kalon është shumë për politikën gjermane që ndodhet në gjendje paralize", vëren "Sächsische Zeitung".

Në të njëjtën linjë komenton edhe "Offenbach Post": Më mirë zgjedhje të reja! Një rrezik i tillë! Nga njëra anë mund të ndodhë që gjermanët sërish të votojnë si më 18 shtator, për të ardhur aty ku jemi sot. Anketimet e rezultojnë këtë si të pamundur. Por ndoshta nisur nga ajo që ne e kemi humbur besimin tek partitë popullore që po dështojnë në mënyrë të turpshme, mos vallë kjo do t´i forcojë shpejt parti të tilla: si pasardhësen e ish-partisë së bashkuar socialiste nën Gregor Gizin, apo separtatistët socialdemokratë nën Oskar Lafontenin. E pra mund të jetë kjo alternativa të kuq, më të kuq dhe të gjelbër? ... Gjermania nuk po qeveriset qysh prej muajsh dhe perspektiva për një përmirësim të shpejtë të situatës është mjaft e vakët. Duket se po shkojmë drejt një republike bananesh", komenton "Offenbach Post".

"Badische Tagblatt" nënvizon: "Të dyja partitë e mëdha të krijojnë përshtypjen, se në radhë të parë interesohen për pushtetin. Pasoja është që gjithnjë e më shumë njerëz po i kthejnë shpinën politikës. Nuk është nevoja të grindesh për orientimin e kompetencave të një kancelari apo kancelareje, kur tek të dyja palët mungon kompetenca. ... Për aq kohë sa qytetarët vazhdojnë të pyesin, se ç´po bëjnë ata në Berlin, mund të kemi shpresë tek aftësia e demokracisë partiake. Por kur të vijë momenti që qytetarët të mos pyesin më, do të jetë shumë vonë", nënvizon "Badische Tagblatt".