1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të pafajshmit vuajnë" - Acarimi i dhunës në Lindjen e Mesme

Peter Philipp28 Dhjetor 2008

Gjendja ka dalë jashtë kontrollit. Kërkohet impenjimi i bashkësisë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/GO7h

Asnjë vend i botës nuk do ta pranonte të qëllohej rregullisht me raketa dhe të qëndronte pa ndërmarrë gjë. Prandaj Izraeli shpreson në mirëkuptimin ndërkombëtar dhe e përdor goditjen e re me raketa Kasam nga Rripi i Gazës si arsyetim për operacionin e vet masiv kundër Hamasit, që sundon në Gazë. Dhe ky, ashtu si grupe të tjera në Rripin e Gazës, "hakmerret" përsëri me raketa mbi jugun e Izraelit. Në rast se nuk ndodh ndonjë mrekulli ky është një skenar i përsosur për një shkallëzim të mëtejshëm me pasoja të paparashikueshme. Por kjo është edhe prova krejt e tepërt dhe ndofta përfundimtare se premtimi i Anapolisit në nëntor 2007 për të negociuar një marrëveshje paqeje deri në fund të vitit 2008 ishte një premtim bosh.


Nëse fundi i këtij viti sjell ndoshta një luftë të re atëherë natyrisht kjo nuk ka të bëjë vetëm me raketat e përmendura. Më saktë, Izraeli dhe Hamasi po u rikthehen kohëve të vjetra, kur në mungesë të koncepteve të arsyeshme përdornin dhunën, megjithëse ishte dëshmuar me kohë që dhuna prodhon kundërdhunën dhe se dalja prej rrethit vicioz është pothuajse e pamundur.


Tani Izraeli bën gabimin kapital dhe supozon që Hamasi mund të nxirret jashtë loje me një operacion ushtarak. Pikërisht siç besonte se do të mund ta bënte dy vjet e gjysmë më parë në rastin e Hisbollahut libanez. Por sulmet masive ndaj Libanit e çuan Hisbollahun në përgjegjësinë e qeverisjes dhe diçka e ngjashme mund të përsëritet në Palestinë me Hamasin. Kjo sepse Hamasi qeveris qëkurse fitoi zgjedhjet në janar 2006 dhe një sulm izraelit i përmasave të mëdha do t'i hedhë palestinezët më shumë se më parë në krahët e organizatës.


Gabimi kapital i Hamasit dhe i palestinezëve të zhgënjyer në çdo aspekt është që të shpresojnë, se qëndrimi i papajtueshëm i Hamasit sjell zgjidhjen ose shpëtimin. Refuzimi i fortë i së drejtës së ekzistencës të Izraelit nuk mund të jetë bazë për paqe. Këtë mësim iu desh të nxirrte edhe ish-kreut të Organizatës për Çlirimin e Palestinez Jaser Arafat pas dekadash lufte të armatosur kundër Izraelit.


Rjedhojë e kësaj ishin Marrëveshja e Oslos dhe autonomia palestineze. Izraeli e humbi shansin duke e nënvleftësuar zbatimin e Marrëveshjes së Oslos. Ose për shembull duke ndërtuar gjithmonë e më shumë ngulime në territoret e pushtuara, dhe duke varrosur në këtë mënyrë shpresat që varnin palestinezët tek marrëveshja. Këtu nuk ndryshoi gjë as tërheqja e njëanshme e Izraelit nga Rripi i Gazës: Territori "i pushtuar" u kthye në territor "të rrethuar" nën bllokadë të rreptë. Veçanërisht në vitin 2006 kur Hamasi mori kontrollin në Gazë. Si gjithmonë: Vuajtën ata që nuk duhet të vuanin. Jo ideologët dhe as hedhësit e raketave, por në radhë të parë civilët, gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Ata do të vuajnë edhe tani më së shumti. Sepse bombat nuk bëjnë dallim.


Bota nuk duhet të rrijë ende duarkryq: Kur arrihet të mobilizohen trupa ndërkombëtare në luftë kundër terroristëve dhe piratëve, bota duhet të ishte në gjendje të siguronte më shumë sesa vetëm fjalë të bukura në rastin e Palestinës. Në mos për të vendosur paqe, së paku për të shmangur një gjendje më të keqe.

Aj-VFB